Në librat e historisë në shkollat e Izraelit… do të jetë një kapitull i veçantë për heroizmin shqiptar të Luftës së Dytë Botërore
Në librin e historisë në shkollat e Izraelit do të vendoset një kapitull i veçantë për kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së Dytë Botërore.
Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka marrë pjesë në ditën e Shqipërisë në parlamentin izraelit, Knesset. Kreu i këtij institucioni, Yuli-Yoel Edelstein vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe u shpreh për forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Ne përherë me mirënjohje vlerësojmë faktin se Shqipëria, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i vetmi vend në Europë, në të cilin numri i komunitetit hebre u dhjetëfishua në mbarim të saj. Mjafton ky fakt për të thënë gjithçka”, tha Edelstein.
Z. Edelstein vuri në dukje rëndësinë e diskutimeve mbi projektet e përbashkëta në fusha me interes reciprok si ajo e energjisë, inovacionit, bujqësisë, turizmit, etj.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Leskaj, vlerësoi lart marrëdhëniet e ngushta të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë, me rrënjë të thella në realitetet historike, duke nënvizuar aktin historik dhe unik të shqiptarë për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.tch/a.k