Unë jam si JU


Monika Shoshori Stafa

Në vitin 2005, kur pata filluar të studioja për çështjen e hebrenjve në Shqipëri, mbrojtjen dhe shpëtimin e tyre gjatë L.II.B, në një përshëndetje të shpejtë me ambasadoren Ries diku në festën e pavarësisë së SHBA-së, ajo më pati kërkuar që të përfshihej në temën time të studimit për diskriminimin dhe Holokaustin edhe diskriminimi ndaj romëve, por unë i rekomandova që kjo nuk është e mundur, sepse nuk ka ekzistuar. Mirëpo pas ca vitesh të mira pune dhe vëzhgimi më të thellë të problemeve sociale tonat kuptova se dallimi që kthehet në diskriminim në fakt ekziston.

Një çift nga Vlora i dëgjoja teksa isha pjesëmarrëse në një takim pune me organizatat e huaja, se ngritën çështjen e një rasti të qartë të shkeljes së të drejtës për arsim për vajzën e tyre gjatë viteve të arsimit fillor. Vajza kish shkuar rregullisht në shkollë, por progresi i saj gjatë viteve ishte i paktë. Prindërit e patën ngritur çështjen me mësuesen, e cila thuajse nuk kish bërë asgjë. Ata më pas e ngritën çështjen edhe me drejtorin e shkollës, por asgjë s’u bë dhe nga ai. Në një moment mësuesja kishte tentuar ta kalonte vajzën nga klasa e parë në klasën e tretë, për të plotësuar kuotën e nevojshme për të, për të mbajtur postin e saj të mësimdhënies në atë shkollë. Por nga ana tjetër, prindërit ankoheshin shpesh se vajza kishte pak progres në shkollë dhe megjithëkëtë, mësuesja e caktonte të ulej në bankën e fundit. Ja dhe një rast tjetër po aq i padrejtë që përjetohet nga ky komunitet.

I mohohet e drejta të aplikojë si kandidate për Këshillin Bashkiak – e drejta e pjesëmarrjes në politikë.

Etleva Tare, drejtuese e qendrës “Klubi i Qëndistareve”, përshkroi rastin e saj. Gjatë zgjedhjeve të kaluara lokale, ajo ka tentuar të aplikojë për postin e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Korçës, me qëllimin kryesor për të përfaqësuar interesat dhe të jetë zëri i komunitetit egjiptian/rom në zonën e saj, edhe pse, të dyja partitë kryesore politike i kishin ofruar asaj të kandidonte me ta, duke e ditur mbështetjen që kishte nga komuniteti. KZAZ-ja e Korçës nuk i dha asaj mundësinë të kandidonte, me gjithë mbështetjen e dukshme që tregoi komuniteti.

Ditët që kanë mbetur deri në skajin e caktuar prej Brukselit për një vendim të ri ndaj lutjes së Shqipërisë për një status tjetër në Europën e përbashkët, janë drejt fundit. Por ne ende pyesim të paditur, a ka dhe diçka tjetër për verifikim, veç “12 pikave”? Edhe sa delegacione do të na vizitojnë përtej Shqipërisë së gjeneratës së re? A jemi plotësisht të njohur me atë çka është shkruar dhe na kërkohet nga Europa e paqtë e Konferencës së Parisit 1946? Në përfytyrimin e sotëm europian, fundi i diskriminimit shenjohet kur përfundon vëmendja ndaj ndryshimit. Për aq kohë sa mjedisi shoqëror nuk është indiferent ndaj ndryshimit: etnik, racor, kulturor, gjuhësor, fetar, gjinor, të flasësh për mosdiskriminim është thjesht mashtrim ose vetëmashtrim.

Këto ditë mbështetur nga PNUD, me fonde të Bashkimit Europian, Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare ka hartuar dhe zhvilluar një program gjithëpërfshirës kualifikimi për OJQ-të rome dhe egjiptiane për zonën e Korçës, Beratit dhe Vlorës në një periudhë prej 3 muajsh, për rreth 20 aktivistë romë dhe egjiptianë. Projekti SSIREC i BE-së “Mbështetja e përfshirjes sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane”, që financohet përmes një marrëveshjeje me kontribut të Komisionit Europian synon të përmirësojë më tej përfshirjen sociale të komuniteteve më të cenuara, rome dhe egjiptiane në Shqipëri, me fokus në zonat e Beratit, Korçës dhe Vlorës.

Ngritja e kapaciteteve dhe kualifikimi i mëtejshëm u konceptua jo vetëm në formën klasike të leksioneve, por edhe nëpërmjet vizitave pranë institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe këshillimi vetjak i çdo aktivisti rom dhe egjiptian për t’i ardhur në ndihmë sipas nevojës. Pjesëmarrësit vijnë nga zona të ndryshme me përvoja të llojeve të ndryshme. Disa prej tyre punojnë në organizata për fuqizimin dhe mbështetjen e komuniteteve, prej vitesh. Disa janë vullnetarë të cilët janë angazhuar në projekte që ndihmojnë arsimimin e fëmijëve, apo me nisma që kanë ndihmuar regjistrimin e fëmijëve të paregjistruar në gjendjen civile, apo të angazhuar me Censusin. Një pjesë e pjesëmarrësve janë gra të cilat kanë qenë aktive sidomos në punën me gratë rome dhe egjiptiane. Trajnimet u konceptuan të mbulonin këto fusha: demokracia e brendshme dhe organizimi i OJF-ve, përgjegjshmëria financiare dhe zbatimi i projekteve, si dhe njohuri mbi punën me komunitetin dhe për të drejtat e njeriut. Temat e trajnimeve kishin të bënin me mekanizmat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, qasja ndaj shërbimeve, si të jesh aktivist i të drejtave të njeriut, si të drejtosh burimet njerëzore, burimet financiare, pjesëmarrja në rrjete dhe bashkëpunimi, advokimi dhe lobimi. Për t’i njohur më nga afër dhe për të krijuar besimin se mund t’u drejtohen këtyre institucioneve pa hezitim, u organizuan vizita në terren e aktivistëve romë dhe egjiptianë në agjencitë ndërkombëtare. U kryen tre vizita në tre ente: OSBE, Këshilli i Europës, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë. Aktivistët romë u takuan me Robert Wilton, zëvendësshef i Prezencës së OSBE-së. Z. Wilton ndau informacion në lidhje me fushëveprimin e përgjithshëm të punës së OSBE-së, se si ajo u krijua dhe se si ajo ka evoluar në organizimin aktual. Gjithashtu, ata u informuan mbi punën e OSBE-së lidhur me procesin e demokratizimit të Shqipërisë, mbi punën e programit të romëve, si dhe mbi mënyrat sesi mund të bashkëpunojnë në të ardhmen me këtë agjenci. OSBE-ja është një nga agjencitë ndërkombëtare ku organizatat rome mund të çojnë shqetësimet dhe ankesa dhe kjo agjenci do të monitorojë sesi shteti shqiptar i trajton këto ankesa dhe raportime. Gjatë vizitës pranë zyrave të Këshillit të Europës u takuan me shefin e delegacionit z. Marco Leidekker. Zoti Leidekker u shpjegoi aktivistëve sesi KiE lindi dhe sesi u zhvillua në kohë. Diskutimi mbi GjEDNj tërhoqi vëmendjen e kolegëve romë të cilët theksuan që drejtësia në Shqipëri nuk arrihet lehtësisht dhe se ka nevojë të ndërgjegjësohen komunitetet e tyre që t’i njohin më mirë këto të drejta dhe ta përdorin gjykatën për çështje të caktuara, por edhe të njohin vendimet e shkuara. Zoti Leidekker u ndal sidomos tek disa vendime të GjEDNj që kanë të bëjnë me raste dëbimesh të familjeve rome dhe masat që gjykata ka marrë ndaj shteteve, sidomos në rastin Yordanova e të tjerë kundër Bullgarisë. Z. Leidekker sqaroi që këto vendime janë me rëndësi thelbësore dhe për Shqipërinë pasi me anë të gjykimeve vendosen standarde të jurisprudencës për çdo vend të Këshillit të Europës. Aktivistët romë u takuan edhe me z. Stefano Calabretta, menaxher programi pranë Delegacionit të Bashkimit Europian, i cili u foli së gjeri për rolin e Bashkimit Europian si bashkim shtetesh, si dhe mbi rolin e BE-së si donator. Ai u ndal në theksin që i vihet nga BE-ja tolerancës dhe respektimit të pakicave si edhe faktit që romët dhe egjiptianët janë target i shumë veprimtarive që synojnë përfshirjen sociale. Gjatë diskutimit dyditor aktivistët ndanë shqetësimin se komuniteti rom dhe egjiptian vuan nga diskriminimi i thellë në shumë fusha. Çështjet e diskutuara ishin: çështjet e regjistrimit të lindjes, diskriminimi në arsim dhe ndihma juridike falas, punësimi etj. Romët dhe egjiptianët kanë pak informacione lidhur me rrënjët e tyre dhe traditave të kaluara, në librat e historisë nuk mësohet mbi to, media nuk i kushton shumë rëndësi. Dhe ky është një lloj tjetër diskriminimi publik – institucional që i bëhet atyre. Por ka dhe një diskriminim tjetër pabarazia e shprehur në mungesën e së drejtës së indiferencës. Njeriu pabarazohet jo vetëm kur nuk i jepet një punë, apo kur shihet me përçmim, por edhe thjesht kur i konstatohet hapur dallimi, kur njerëzit kthejnë kokën për të parë apo kthejnë kokën mënjanë, domethënë kur njerëzit reagojnë ndaj ndryshimit. Për shembull, kur kalon një sakat, një me ngjyrë, një rom, një cigan, ata nuk e gëzojnë të drejtën e indiferencës, sepse njerëzit kalojnë, e shohin disi ndryshe, komentojnë, shajnë, domethënë dallimin e kthejnë në diskriminim. Në sociologjinë e sotme europiane është shtuar një term i ri. “Gjuha e tjetrit”, si shumë terma të shkencës, dhe ka për qëllim pikërisht dëbimin e djallit prej gjuhës së demonizuar. Quhet empatia dhe është një ndjenjë njerëzore dashamirësie dhe mirësie ndaj tjetrit, por jo aq sa simpatia, megjithëse me të njëjtën prejardhje me të. Simpatia është një ndjenjë e drejtuar së jashtmi ndaj tjetrit, kurse empatia është ta shohësh tjetrin brenda vetes, të shohësh veten tek tjetri, ta mendosh individin si një pasqyrë për të parë vetveten, sepse, siç shkruante shumë shekuj më parë poeti i famshëm pers Saadiu, “Si gishtat e dorës njerëzit janë / Të Hyjit janë Lindja dhe Perëndimi”. Nuk kish vërtet diskriminim racor e gjinor të llojit institucional atëherë kur ambasadorja amerikane Ries më pat pyetur në botën e shqiptarëve, por diskriminim gjithëpërfshirës të tyre padyshim që ka pasur dhe vazhdon të ketë. E nëse ky lloj diskriminimi i fundmë i një gjuhe tjetër kthehet në fanatizëm, qoftë dhe në fanatizëm empathor, atëherë rruga drejt europeizmit ngushtohet dhe “pikave” të fundit burokratike që Europa pret të përmbushim mund t’u shtohen të tjera që zakonisht quhen “kushte të pashkruara”.

Unë jam si JU

Lexo më shumë

Ambasadorja Peleg: Edi Rama, mik i madh i Izraelit!

Kryediplomatja izraelite në Tiranë reagon pas fjalimit të kreut të qeverisë shqiptare në seancën plenare të OKB-së.

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023