
Bushati: Shqipëri-Izrael potenciale të pashfrytëzuara, të forcojmë marrëdhëniet dypalëshe

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Izrael, ka ftuar bizneset të investojnë në Shqipëri, ndërsa ka deklaruar se potenciali i marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Izrael nuk është ende i shfrytëzuar plotësisht. Zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme thotë se gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u ftua nga Këshilli Botëror Hebre dhe Këshilli Izraelit për Marrëdhëniet me Jashtë për të prezantuar prioritetet e politikes së jashtme të Shqipërisë dhe zhvillimet më të fundit në Ballkan. Ministri Bushati theksoi rolin e Shqipërisë, si faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit, si dhe përshkroi proceset transformuese të cilat Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në BE, sidomos për sa i përket sundimit të së drejtës në ekonomi dhe politikave sektoriale, që synojnë përshpejtimin e thithjes së investimeve të huaja.
Në këtë kontekst, Ministri Bushati u shpreh se potenciali i marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Izrael nuk është ende i shfrytëzuar plotësisht, sidomos sa i përket fushave të identifikuara nga të dyja palët si fusha me karakter strategjik: energjia, bujqësia, infrastruktura dhe telekomunikacionet. Ministri Bushati theksoi lidhjet e ngushta historike që bashkojnë popullin shqiptar dhe popullin hebre, lidhje që kulmuan në shpëtimin kolektiv të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së dytë Botërore, si dëshmi jo vetëm e asaj ç’ka shqiptarët ishin të zotët të bënin, por dhe e vlerave që duhet të vazhdojnë të kultivohen në Evropë.
Bushati iu përgjigj pyetjeve të audiencës mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe vendet e rajonit si dhe mbi rëndësinë e marrjes se statusit kandidat për vendin tonë. Një pjesë e rëndësishme e vizitës në Izrael ishte dhe ceremonia e homazheve në memorialin e Viktimave të Holokaustit (Yad Vashem). “Memoriali i Yad Vashem-it na rikujton se në Shqipëri nuk ka pasur histori të antisemitizmit. Në Shqipëri nuk do të ketë kurrë anti-semitizem. Ndihem krenar që i përkas një populli, veprat dhe vlerat e të cilit e kanë rreshtuar në anën e të drejtëve”, tha ai.
/Agjensia e Lajmeve Sot News