Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit sot në Jeruzalem nga Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, z. Avigdor Liberman. Z. Meta shoqërohej nga delegacioni parlamentar i përbërë prej znj. Valentina Leskaj, Kryetare e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Izrael dhe deputete e Partisë Socialiste, z. Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe z. Shkëlqim Selami, deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta vlerësoi intensifikimin e shkëmbimeve politike dhe forcimin e marrëdhënieve parlamentare mes Shqipërisë dhe Izraelit duke theksuar se tashmë dy vendet duhet të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë, burimeve natyrore, bujqësisë, agro-përpunimit, turizmit dhe teknologjisë. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu vlerësimin për rolin personal të z. Liberman në hapjen e Ambasadës së Izraelit në Shqipëri, e cila ka punuar me përkushtim në funksion të rritjes së investimeve izraelite në Shqipëri, falë edhe dedikimit të Ambasadorit të Izraelit në Tiranë, z. David Cohen.
Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, z. Avigdor Liberman shprehu vlerësimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu bindjen se vizita e Kryetarit të Kuvendit në Izrael do jetë një shtysë e rëndësishme për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe ekonomik mes dy vendeve. Z. Liberman vlerësoi miratimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE për Shqipërinë duke vënë në dukje se forcimi i perspektivës evropiane të Shqipërisë e konsolidon më tej stabilitetin dhe progresin e rajonit të Ballkanit, si dhe perspektivën e investimeve izraelite në rajon.
Kryetari i Kuvendit, z. Meta dhe Ministri Liberman diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet ndërkombëtare me fokus në rajonin e Evropës Juglindore dhe atë të Lindjes së Mesme, ku z. Liberman theksoi se Shqipëria është shembull i përsosur për shumë vende në bote për politikën e fqinjësisë së mirë dhe konstruktivitetit që ndjek në rajon. Duke diskutuar për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, z. Meta shprehu ngushëllimet më të sinqerta pranë autoriteteve dhe popullit të Izraelit për vrasjen e 3 të rinjve izraelit pranë Hebronit, duke nënvizuar se përgjegjësit e këtij akti të rëndë duhet të përballen me drejtësinë. Z. Meta dhe z. Liberman ndanë bindjen në përfundim se forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit në kuadër të platformave ndërkombëtare, do t’i shërbejë forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në të dy rajonet.