Tal Kravitz: Çdo këngë e imja, lutje për ditë më të mira


Tirane, 22 korrik 2014 – “Çdo muzikë që del nga brenda zemrës, siç është folklori në jetën e çdo vendi, vazhdon të emocionojë. Folklori është e vetmja muzikë natyrore, e cila buron ashtu natyrshëm e na bën për vete”.

Tal Kravitz, një emër i njohur në botën e xhazit, shprehet kështu, teksa përpiqet të tregojë se ajo çfarë e bën të ndjerë jo vetëm xhazin por çdo tingull muzikor, është çdo burim që vjen nga shpirti i një populli. Artisti izraelit ndodhet në Tiranë për të performuar në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, i cili hap siparin sot, për të vijuar deri më 27 korrik.

Ndërsa Izraeli vazhdon të zërë faqet e shtypit botëror për raportet e tensionuara me Palestinën, Kravitz ka zgjedhur të kërkojë paqen nëpërmjet muzikës.

“Në këto ditë të vështira që po kalon vendi im, Izraeli, kam pasur fatin që të kontribuoj nëpërmjet muzikës, duke kënduar edhe me vëllezërit e mi palestinezë, sepse arti dhe muzika është gjuha që na bashkon me Palestinën e gjithë botën, dhe çdo këngë e imja, do të vijë si një lutje për ditë më të mira”, thotë ai. Muzika nuk ka gjuhë dhe Kravitz e ka ndier këtë jo vetëm kur interpreton folklorin palestinez, por dhe atë të vendeve të ndryshme të botës ku ai ka udhëtuar. Ai beson se detyra e artit, përveçse të prekë zemrat e njerëzve, është dhe t’i ndërgjegjësojë ato. Arti mund t’i flasë edhe politikës, të ndryshojë qëndrime dhe të orientojë drejt të mirave kolektive.

Pavarësisht se ndodhet mijëra kilometra larg vendit të tij, ai është i lidhur me çdo gjë që ndodh atje. Izraeli është shtëpia e tij, ku do të kthehet gjithnjë, pavarësisht sa larg do të shkojë. Tal kujton arratisjen e parë nga vendi i tij. Ishte 19 vjeç kur mori avionin për të ikur shumë larg. Çdo i ri izraelit është i detyruar të bëjë shërbimin ushtarak nga mosha 18-21 vjeç. Por Kravitz nuk mund të ishte pacifist, megjithëse nuk mund t’i thoshte jo shërbimit ushtarak, ndryshe do të shkonte në burg.

“U trajnova një vit, por e kam urryer aq shumë atë kohë. U kërkova që në vend të ushtrisë të merresha me shërbime sociale në kujdes të fëmijëve me aftësi të kufizuara, apo çfarëdolloj gjëje që ata do të më kërkonin, vetëm ushtri të mos bëja. Por kjo kërkesë nuk u pranua. Ishte turp që një djalë të largohej nga ushtria. Kështu mora rrobat e mia dhe u largova nga Izraeli”, thotë Kravitz.

Ende nuk kishte mbushur 20 vjeç kur u largua pa lënë asnjë shënim në shtëpi, drejt lirisë. Me ndihmesën e disa miqve ai gjeti para sa për udhëtimin dhe fluturoi në Europë. Në fillim u ndal në Holandë e më pas shkoi larg deri në Australi, për t’u ndalur më pas në ishullin Papua Guinea. Jeta në ishull do të ishte si një muzikë për të. “Ishte si një kthim në lashtësi, me popujt fisnorë, një traditë që të hipnotizonte. “Ishte aq bukur të shihje sesi ata njerëz jetonin në paqe me natyrën dhe veten, edhe pse nuk kishin as energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo rroba”, kujton Tal.

Ditët në këtë ishull e bënë Tal të kthehej në një antropolog. Por, si ka qenë lidhja e tij me muzikën? Ai e kujton veten gjithnjë të lidhur me muzikën. Sot, teksa kthen vështrimin në kohë beson në fuqinë që kanë ëndrrat, në atë çfarë një njeri është në jetë. “Që kur e kujtoj veten, që 3 vjeç, ëndërroja muzikën. Më pëlqente të mbaja një vegël muzikore në dorë. Kur isha 7 vjeç prindërit më çuan për të më provuar në kisha talent për muzikë. Për fatin tim të keq, atyre u thanë që unë nuk kisha ndonjë talent ndaj nuk duhet të luaja muzikë”, kujton Tal.

Pavarësisht këtij konstatimi, ai vazhdonte të ëndërronte sikur luante muzikë, deri sa një ditë zbuloi një piano të fshehur në një apartament të vjetër të familjes. “Për katër vjet kam luajtur piano fshehurazi, duke mësuar në mënyrë autodidakt t’i bija. Ishte diçka e paligjshme në Izrael të mësoje muzikë fshehurazi. Por kur u zbulova, kjo gjë u pranua nga familja dhe komuniteti, dhe që atëherë nuk kam ndalur së luajturi muzikë”, thotë Tal.

Muzika e ka bërë të udhëtojë në shumë vende të botës. Shqipëria është vendi i 31-të ku ai ndalon për të interpretuar. Në çdo vend ku shkon atij i pëlqen të blejë vegla muzikore. “Shtëpia ime është plot me instrumente, të cilat i koleksionoj nga vende të ndryshme ku shkoj. Zakonisht blej instrumente përpara se të blej ushqime apo rroba. Kam aq shumë në shtëpi, sa tani i var në tavan”, thotë Kravitz.

 

Të mërkurën ai do të ngjitet në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në ambientet e hotel “Sheraton” për të interpretuar xhaz. Kjo është muzika e jetës së tij, ajo çfarë e bën të shndërrohet i gjithi nën tingujt që i ndalin prej duarve. Marco Castelli Trio (Itali), Marco Zappa (Zvicër), Tal Kravitz (Izrael), Lebi Derya (Gjermani), Evrim Demirel Ensemble (Turqi), Das Großmütterchen (Austri), Martin Brunner Trio (Ceki), Manos Tavlakis Trio (Greqi) dhe Gent Rushi Quartet (Shqipëri-Kosovë) janë 9 grupet që do të performojnë gjatë gjashtë netëve të festivalit. Festivali do të nisë në Tiranë e do të vijojë më pas në Shkodër, Korçë, Apoloni, apo Porto Palermo. Festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës si dhe bashkitë përkatëse. “Festivali, i cili vjen i organizuar nga Shoqata Syri Blu dhe fondacioni “Xoxa”, sjell në Shqipëri një aktivitet i cili i mungon vendit tonë, dhe që nëpërmjet tij, ne do të përpiqemi të promovojmë këtë zhanër i cili në Shqipëri nuk është edhe aq i pëlqyer sa muzika Rrock apo Pop”, tha Besim Petrela, producent i këtij eventi.

Gazeta Shqip

 

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023