Ilir Meta takohet me Liberman dhe Shalom
Jeruzalem, 4 korrik 2014 – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar u takuan ne Tel Aviv me Ministrin Izraelit të Energjisë dhe të Ujërave, Sylvan Shalom. Meta shprehu vlerësimin për praninë gjithnjë në rritje të kompanive izraelite në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe menaxhimit të ujerave duhet forcuar në mënyrë konkrete dhe se Shqipëria është e hapur për investimet që vijnë nga Izraeli në këtë drejtim.Ministri i Energjisë dhe Ujërave, Sylvan Shalom shprehu kënaqësinë për intensifikimin e vizitave të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe vuri në dukje se Izraeli është i interesuar të intensifikojë bashkëpunimin me Shqipërinë, si një vend me burime natyrore dhe me peshë dhe rëndësi të veçantë strategjike në rajonin e Ballkanit.Në vijim të takimeve zyrtare në Izrael, kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe grupi i deputetëve të parlamentit shqiptar, përfshirë dhe kreun e deputetëve demokrat Edi Paloka, u pritën në takim nga Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Avigdor Liberman.Ky i fundit vlerësoi marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, duke vënë në dukje se forcimi i perspektivës evropiane të Shqipërisë e konsolidon më tej stabilitetin dhe progresin e rajonit të Ballkanit, si dhe perspektivën e investimeve izraelite në rajon.Meta dhe Liberman ndanë bindjen se forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit në kuadër të platformave ndërkombëtare, do t’i shërbejë forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në të dy rajonet.