Ambasadori Ehud Gol: Izraeli, marredhenie solide me Shqiperine


Ambasadori Ehud Gol, ish-diplomati i parë hebre në Tiranë dhe ish-këshilltari diplomatik i presidentit të Izraelit, tregon pas shumë vitesh marrëdhëniet tona dhe të ardhmen e tyre. Ai flet për prirjen e përbotshëm për të njohur Palestinën, por edhe çfarë e pengon procesin e Paqes. Një nga funksionarët më të lartë diplomatikë të Izraelit në Evropë shprehet dhe për ISIS-in dhe realitetin e tyre që ata pretendojnë se e njohin më mirë nga të gjithë.

Nga Ben Andoni, JAVA

Ambasadori Ehud Gol flet shpejt.”Problem i mbetur prej kohës, që kur isha zëdhënës i MPJ”, shprehet me buzëqeshje. “Jepi!” Nuk e tregon moshën dhe kur ia përmend është momenti që bën shaka me veten. Si të gjithë hebrenjtë në administratë ka qenë aktiv në shërbimin ushtarak dhe pastaj ka prekur të gjithë piramidën diplomatike të vendit të vet, që nga zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, ambasador në disa vende të Evropës, por edhe deri këshilltar i presidentit Chaim Herzog. Në Shqipëri ka qenë shumë vite më parë dhe mund të quhet një nga njerëzit që solli rezidencën hebreje në Tiranë, që u pasua me vendimin e ministrit Liberman. Flet për Palestinën, kuptohet marrëdhëniet tona, por edhe ISIS-in. Ka një mllef, disi të fshehur me Evropën, për trendin e njohjes së Palestinës, që e shpreh me faktin se Izraeli është vendi që e do i pari pavarësinë e tyre. Ndan shqiptarët me ata që ushqejnë radikalët e ISIS-it dhe thotë se janë të shqetësuar me institucione nga vendet e Perëndimit, që janë ushqyesit kryesorë të terroristëve me burimet humane. Një shqetësim tjetër lidhet me Iranin, kërcënuesin më të madh publik të tyre, dhe ai sërish gishtin e vendos te Perëndimi, që duket se po e toleron. Të flasësh me një funksionar të lartë hebre, të duket sikur “në një farë mënyre”, je me një funksionar të Shqipërinë së kohës së socializmit, në kuptimin e fobisë. Për këtë të kthjellon, sepse sheh hutimin, dhe ka një përgjigje të shpejtë: Jemi vendi më i kërcënuar në botë, thotë.

-Zoti Ambasador! Faleminderit për kohën që gjeni për këtë intervistë. Në çfarë stadi janë sot marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona?

-Jam shumë i entuziazmuar me nivelin e tanishëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Dua t’ju tregoj një histori të vogël: Kur kam qenë ambasador i Izraelit në vendin tuaj, dhjetë vjet më parë, kujtoj një takim jo shumë “të këndshëm” me atëherë Ministrin e Jashtëm të vendit tuaj, z. Ilir Meta (kuptohet se u bëmë miq të mirë më vonë). Që ta ilustroj: ai m’u ankua pasi edhe pse i emëruar prej dy vjetësh në Tiranë dhe Shqipëria kishte ambasadë në Izrael prej kohësh, unë, i dukesha se nuk i kisha bërë hapat e mëtejshëm për t’i ngritur marrëdhëniet mes vendeve tona, në një stad më të lartë. Ja ku jemi tani dhe jam i lumtur se atëherë i thashë të bënte durim sepse procesi do të merrte pak kohë, por do realizohej në fund. Dhe, ashtu ndodhi. Ne kemi një ambasadë prej gati dy vjetësh në kryeqytetin tuaj dhe kjo ka rritur shumë kontaktet dhe besoj se ato do rriten edhe më shumë. Nga ana jonë, jemi të angazhuar dhe planifikojmë se marrëdhëniet do rriten më tej, pasi kemi interesa ekonomike në infrastrukturë, por edhe në fusha të tjera, si eksplorimi në gaz etj. Dhe, provë për këtë, është se aktualisht në vendin tonë, në këtë moment, është Ministri juaj i Energjisë, që po zhvillon bisedime. Më shkurt, besoj se marrë­dhëniet tona janë në udhën e duhur dhe kjo më kënaq pa masë”.

-Si njohës i mirë i problemeve të integrimit evropian, si e shikoni të ardhmen e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor? A do të ndikojë periudha e bllokimit që ka ndërmarrë BE-ja për përpjekjet integruese të vendit tonë?

-Është një fakt interesant që më pyesni për këtë çështje. Dua t’ju kujtoj se sot në mëngjes, pikërisht në takimin me ministrin tuaj të Jashtëm (E Martë-09 Dhjetor) folëm për këto marrëdhënie, që përfshinin integrimin por edhe hapat për zgjerimin, pasi me futjen e Kroacisë në Bashkimin Evropian, tashmë është Shqipëria, e cila e ka filluar procesin. Personalisht, mënyra sesi e shoh Shqipërinë është interesante. Por, dua t’ju them se jam për një vizitë të shkurtër dhe nuk ndodh si më parë ku qëndroja shumë. Një gjë e di me siguri: se procesi i anëtarësimit do të marrë pak më pak kohë sesa ju mori procesi i integrimit dhe po ashtu, një gjë tjetër e them me siguri se do jeni para Turqisë në Bashkimin Evropian”.

-Izraeli ka një ambasadë në Tiranë dhe ky është një tregues i vlerësimit të diplomacisë suaj për Shqipërinë. A ka qenë i vështirë vendimi për të sjellë selinë tuaj diplomatike në Tiranë?

-Jo. E cekëm dhe më sipër. Ne jemi po ashtu vend i vogël dhe i kemi të menduara mirë disa prioritete, por ministri Liberman e dha menjëherë besueshmërinë për këtë ambasadë. Ai erdhi në Tiranë dhe pa potencialin që ekzistonte këtu dhe pa asnjë hezitim vendosi menjëherë të hapej residenca. Dhe ajo u hap. Ishte një hap i mirë në kohë të mirë”.

Jeni shumë i lidhur, falë postit tuaj, me realitetin në Evropë. Si i shikoni zhvillimet e sotme dhe mozaikun politik që përfaqësohet në vende të ndryshme. A janë pasojat e krizës ekonomike ato që po e konfigurojnë ndryshe Evropën?

-Unë, mbase, nuk mund të jem shumë i saktë tek kjo përgjigje, por të gjithë pretendojnë se Evropa është një gjigant në shumë aspekte, me plot mundësi realizimi projektesh dhe për hir të së vërtetës, ka bërë një hap të madh, sa i përket integrimit ekonomik të vendeve të ndryshme. Megjithatë, sfida mbetet të kalojë krizën që e kapi pak vjet më parë. Dhe, është e vështirë për mendimin tim, që në konfigurimin e saj të bëjë një politikë të jashtme efikase, pasi s’është e lehtë të bëhet një zë i vetëm përfaqësues në kontinent dhe të flitet me të. Kjo lidhet me problemet politike, ndërsa është pak më e lehtë nga ana ekonomike edhe pse kërkohen bashkëpunime në shumë fusha dhe po ashtu shumë sfida duhet të kapërcehen. Thënë kështu duket se edhe situata ekonomike s’është e lehtë dhe aspak e qartë. Pasi përveç ekonomisë së përbashkët, ku duhet të përmendim se Evropa s’është vetëm Gjermania, Franca, Anglia mbeten edhe një mori vendesh të dobëta që kërkojnë të ngrihen dhe që po hasen me vështirësi. Ka vende në Evropë që janë sërish drejt recensionit. Unë, personalisht, kam qenë ambasador në Portugali dhe e di mirë se ky vend ka qenë në recesion tre herë dhe jam i sigurt se për pak vjet do jetë sërish në recension. Askush nuk do që të ndodhin më krizat, por ato ndodhin. Ashtu si askush nuk e do që të prishet monedha e përbashkët evropiane pasi pasojat do të ishin shumë të mëdha për të gjithë botën. Dhe nëse do të thoshin se do kishte probleme dhe në politikën e jashtme kjo është një histori krejt tjetër, që të frikëson disi.

-Pas Suedisë edhe Franca po merret me problemin palestinez. A mendoni se ka një prirje ndërkombëtare që po e risjell njohjen e Palestinës në rend të ditës?

-Kam frikë se do jetë një trend i përbotshëm shumë shpejt. Dhe e dini që ka një sërë vendesh që po mundohen ta fusin në axhendat e tyre këtë vendim. Sigurisht ne e dimë se është i tepërt. Dua t’ju them diçka: Nëse ka vend më të interesuar për pavarësinë e Palestinës, jemi ne Izraelitët. Ne jemi më të parët që e duam atë, por ama duhet që ata t’i përmbahen rregullave të caktuara dhe të respektojnë atë që u bë disa vjet më parë. Të kujtojmë se ne i kemi bërë hapat tona, por ata nuk kanë dalë kurrë me një zë të përbashkët, pasi luftojnë ashpër me njëri-tjetrin. Hamasi dhe Hezbollahu, por dhe grupimet e tjera vriten thjesht me veten. Nga ana tjetër, vendet e Perëndimit, e në rastin tonë Suedia, ku ka një masë të madhe që flasin arabisht dhe po ashtu edhe në Francë që ka një masë të madhe të popullsisë nga Magrebi, po përshtaten me këtë realitet, duke i përkëdhelur minoritetet e tyre, duke treguar se janë të hapur me çështjen e Palestinës”.

-Për publikun shqiptar, a mund të na thoni ju lutem, se çfarë e pengon realisht në ditët tona, pas shumë përpjekjesh ndërkombëtare, marrëdhënien tuaj normale me Palestinën?

– Na mungon ajo që të dy palët të marrin realisht përgjegjësitë e tyre. Kjo do të thotë se është një proces i tërë, ku palët duhet të lëshojnë pak dhe po të jetë nevoja për të arritur duhet të lëshojnë shumë më tepër. Ne duhet të sqarojmë se: nuk tërhiqemi më kurrë nga kufijtë e Luftës së vitit 1967, por jemi gati të negociojmë për territore të tjera. Ata duhet të përfaqësohen me një zë por duket se nuk e gjejnë dot gjuhën. Zoti Abas (Presidenti i Palestinës Mahmud Abbas) ishte gati drejt akordit, pak vite më parë, por e ndryshoi mendimin në fund i terrorizuar prej gjendjes në vendin e tij dhe tensionit të madh të grupeve terroriste. Të dy palët duhet të bëjnë lëshime që të jenë edhe të dhimbshme nëse do të duan paqen afatgjatë, por jo ta përdorin për refugjatët dhe të mësyjnë vendin tonë”

Izraeli është një nga sponsorizuesit kryesorë ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës. Pse ka dominuar kaq shumë në politikën e jashtme të vendit tuaj kjo ndihmë për Kosovën: thjesht ngaqë jeni aleatë të SHBA-së apo si një lloj mirënjohje për Shqipërinë, për atë që bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore me hebrenjtë?

-Përveç gjërave që ju përmendet, por edhe për faktin që ne jemi një vend i vogël dhe një i tillë vend që e dimë se cili është çmimi i Pavarasisë. Neve nuk bëjmë gjëra të ashtuquajtura të mëdha por neve ndihmojnë pa rezerva dhe jemi me vendet që e kërkojnë pavarësinë në rrugën e drejtë. Dhe Kosova është një rast i tillë”.

– Zoti Ambasador, ju personalisht, keni treguar se jeni dhe një mbrojtës i madh i antifashizmit dhe i vlerave të saj. Si ju duket ngjallja në kohët e sotme e frymës pro fashiste në disa vende evropiane: normale apo e dirigjuar nga dikush?

-Më duket se ka një ngjallje të rrymave ultrase të radikalëve të Majtë dhe po ashtu, atyre të Djathtë por që në vetvete janë gati njësoj të rrezikshme. Anipse, në mes është një rrymë më e rrezikshme dhe ajo ka të bëjë me rrezikun e terrorizmit arab, që sot e kërcënon botën ngado. Të jemi të sinqertë: bota po e sheh me sytë e saj që ky rrezik jo vetëm nuk mund të nënvleftësohet, por duhet të zgjohemi të gjithë. Dhe ata po e tregojnë me radikalizmin e tyre të skajshëm dhe me egërsinë e pamat që ushtrojnë kudo”.

-Realiteti i ISIS-it është një fenomen që po e ngacmon shumë realitetin politik të botës. Sa e shikoni të rrezikshëm për vendin tuaj, zgjerimin e ndikimit të ISIS-it në botën arabe?

-Për hir të së vërtetës, jemi nga vendet më të rrezikuara prej ISIS-it dhe kjo e forcon atë që themi. Ajo, që shtojmë dhe u themi vendeve të Perëndimit, është se: mjaft vazhduat me bombardime pa sukses, por ka ardhur koha ta fusni çizmen në terren. Vetëm atëherë arrihet suksesi dhe shmanget kjo e keqe e madhe, që është shtrirë shumë në Siri, Irak, Liban e më shumë. Por vendet e perëndimit të mos futeshin vetëm tani që u kërcënuan direkt ato vetë por qysh kohë më parë, sepse tani po e shikojnë vetë sesa po u kushton nënvleftësimi i tyre.

cohen-gol

-Ka shumë militantë ballkanas që janë pjesë e ISIS-it. A mendoni se kjo e ka dëmtuar imazhin e Ballkanit para Tel –Avivit zyrtar?

-Kujdes është Jeruzalemi. Të gjithë ngatërrohen. Sa i përket pyetjes nuk shqetësohemi asfare. Ne dimë të dallojmë. Pasi më të shumët s’janë nga Ballkani por janë pikërisht nga këto vende perëndimore që besojnë se do të ndalojnë ISIS-in. E më së shumti akoma janë nga ato vende perëndimore që janë angazhuar në bombardime dhe nga ato vende që në një të ardhme të afërt do ta njohin Palestinën.

A ka pasur reagime dhe lajmërime të mëparshme në vendin tuaj prej shërbimeve të Inteligjencës për mundësinë e ngjalljes së një realiteti të tillë?

-Ne jemi vendi më i kërcënuar në botë dhe patjetër që e kemi pasur këtë informacion dhe kuptohet para të tjerëve dhe po ashtu e kemi shpërndarë për të gjithë. Pasi neve na duhet të jemi shumë vigjilentë me të gjithë atë që po ndodh. Kemi qenë vazhdimisht në korrent të situatës dhe vazhdimisht i kemi ditur lëvizjet e tyre”.

-Duket se po krijohet një realitet i ri në marrëdhëniet me Iranin. Po cilat janë marrëdhëniet e vendit tuaj me Iranin në ditët tona dhe a ka gjasa përmirësimi?

-Jo s’është e vërtetë dhe nuk ka fare një të tillë realitet. Madje na vjen keq për marrëdhëniet e tanishme, që po krijojnë me të vendet e Perëndimit dhe SHBA, pasi duket sikur Irani po favorizohet. Ata janë kërcënimi ynë më i madh dhe të aftë, nëse do kishin mundësi, që gati të na zhdukin. Paradoksalisht ishin më të negociueshmit, ai ekip qeverisës më përpara sesa këta të sotmit, që të qeshin dhe veprojnë në një rrugë jo të mirë. Për mendimin tim, Irani duhet të detyrohet që të bëjë një marrëveshje që vërtetë të jetë larg përdorimit të mbushjeve pasi ato përbëjnë kërcënim jo vetëm për Izraelin. Duket sikur po tolerohet shumë nga Perëndimi. Sa për ne, nuk ka asnjë përmirësim dhe këtë po e dëgjoj vetëm nga ju-

-A mendoni se biznesi hebre është i interesuar realisht të investojë në Shqipëri dhe a e shikoni Shqipërinë, si një vend të qetë për biznesin tuaj?

-Biznesi hebre është vërtetë shumë i interesuar dhe fakti se ministri juaj i energjisë është tek ne përbën një fakt pozitiv. Por, ka edhe shumë biznese që lidhen me gazin dhe të tjera që kanë shfaqur interes dhe këto janë kusht për marrëdhënie më të mira që do të ketë në të ardhmen-

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023