Kuzhinieri pa kufij që gatuan për komunitetet e të gjithë botës


Ilir Sinanaj –“Kuzhina është dashuria ime e parë, e dytë dhe e tretë”, – kështu shprehet kuzhinieri i mirënjohur izraelit, Kobi Mizrahi, për të cilin kuzhina nuk është vetëm një pasion, por edhe një art që i përkushtohet duke studiuar një literaturë të gjerë nga e gjithë bota, në mënyrë që përsosë teknikat e tij të gatimit. Kobi ndodhet në Shqipëri, pas një ftesë të Ambasadës Izraelite në Tiranë, në kuadër të një shkëmbimi përvojash në artin e kuzhinës si edhe për të ndihmuar persona me aftësi të kufizuar, të cilët janë integruar në tregun e punës që lidhet me shërbimin në restorante dhe kafene. Ftesa e tij në Shqipëri erdhi pasi ai u njoh në një takim të rastësishëm, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata e Hebrenjve të Shqipërisë, me Suela Lalën, dhe shoqet e saj, të cilat janë themelueset e një biznesi social në Tiranë, ku janë punësuar persona me aftësi të kufizuara.

Kërshëria e gatimit

“Kur isha i vogël më pëlqente shumë të qëndroja afër mamasë, ndërsa ajo gatuante”. Ky është fillimi i marrëdhënies së Kobit me kuzhinën. Më tej ai thotë se i ati, duke parë se ai tërhiqej nga gatimi, i bëri atij një stol të vogël me dërrasa, ku ai mund të hipte për të ndjekur gatimet e së ëmës. Por edhe pse e kishte pasion gatimin, Kobi do të ndiqte një rrugë tjetër, për sa i përket karrierës së tij, për para se t’i përkushtohej tërësisht gatimit.

Shef profesionist

Rrugëtimin e tij profesional Kobi e nisi si një pilot avionësh. Për këtë i është dashur të studionte së tepërmi në disiplina të ndryshme që nga ato inxhinierike e deri tek psikologjia, pasi e tillë ishte dhe përgatitja që duhet të keshë. E gjithë kjo metodologji sistematike e përftimit të dijeve i dha Kobit aftësinë për të organizuar mënyrën e zotërimit të disiplinave të ndryshme, ku në një të ardhme do të kishte dëshirë të thellohej. Zgjedhja e tij, e cila do të ndryshonte njëherë e përgjithmonë karrierën profesionale, do të ishte rikthimi në pasionin e tij kur ishte fëmijë: kuzhina. Por të kishe vetëm dëshirë për të gatuar nuk ishte kurrsesi e mjaftueshme për të përsosur artin. Si rrjedhojë, ai nisi studime të thelluara universitare dhe pas universitare për të marrë njohuritë e nevojshme, që do ta bënin atë një nga kuzhinierët më të mirë në botë.

Te gatuash për evenimente politike të shtetit

Para 18 vitesh Kobi do të fillonte të gatuante për evenimente të rëndësishme qeveritare. “Një ditë një miku im më tha se në Kneset (parlamenti izraelit) kërkonin një kuzhinier dhe më këshilloi të aplikoja. Unë shkova të paraqitesha dhe menjëherë, pa e besuar as vetë, fillova të gatuaja për evenimentet e instancave më të larta qeveritare dhe izraelite”, – tregon Kobi me thjeshtësi, pavarësisht kësaj arritje që do të lakmohej nga shumë kuzhinierë. Ndërkaq, të gatuash për raste me rëndësi shtetërore, të vë përpara një përgjegjësie të madhe dhe mund të jetë edhe stresuese. Por si ia doli Kobi? “Kur fillova të gatuaja për Knesetin unë kisha, në përgjithësi vetëm përgatitje teorike, por nga ana tjetër unë kisha shumë besim në vetë. Kjo për faktin se unë i njihja mirë aftësitë e mia, ashtu siç njihja edhe kufijtë e mi”, – thotë ai.

Student i përhershëm

Pavarësisht suksesit në Izrael dhe në mbarë botën, Kobi studion në mënyrë të vazhdueshme për të përftuar teknika apo receta të reja të gatimit, si edhe për të përmirësuar stilin e tij të kuzhinës. “Në bibliotekën time kam mbi 3000 libra për artin e gatimit në gjuhë të ndryshme si gjermanisht, frëngjisht, anglisht etj. Gjithashtu nuk lexoj literaturë që ka të bëj vetëm me mënyrën e të gatuarit, por edhe me përbërjen kimike të ushqimit”, – thekson ai. Sekreti i gatimit të Kobit mund të përmblidhet në ushqime që janë të thjeshta në të gatuar, por me një shije të veçantë dhe të pasur, jo më kotë thonë se thjeshtësia është shpirti i bukurisë. Një kuzhinier i mirë, jo vetëm njeh kulturat e ndryshme të botës në fushën e gatimit, por bashkëvepron, lidhet, bashkëbisedon edhe konkurron me koleget e tij, që i janë përkushtuar artit te gatimit. Si rrjedhojë, Kobi është në korrespondencë të vazhdueshme me kolegët në të gjithë botën, në mënyrë që të shkëmbejë teknika dhe përvoja të reja.

“Të shtatët” e kuzhinës botërore

Për punën e tij në artin e të gatuarit, Kobi është vlerësuar nga BBC-ja si një nga 7 kuzhinierët më të mirë në botë. Pavarësisht këtij vlerësimi prestigjioz, ai shprehet me thjeshtësi: “Unë nuk mund të jemi personi, që të vlerësoj veten time për sa bëj në fushën e të gatuarit, por më vjen mirë sigurisht që dikush ka menduar që veprimtaria ime ka qenë e atillë që të ketë ndikuar në botën e gatimit”.

Të hash lirë dhe mirë

Veprimtaria e Kobit nuk kushtëzohet vetëm në kuzhinë. Në Izrael ai ka edhe emisionin e tij përkushtuar gatimit. Ajo, që e ka bërë emisionin e tij të veçohet nga të tjerët e të njëjtin zhanër; është fakti se me anë të një buxheti të ulët, Kobi tregon se si mund të ushqehesh mirë dhe të kesh një variacion në shije. “Shumë familje kur bëjnë pazar për të blerë ushqime, vërejnë se harxhojnë një sasi të konsiderueshme parash, për të pasur një dietë me ushqimore të nevojshme. Në emisionin tim, jam munduar të tregoj se si mund të kemi një dietë të pasur në vlera ushqimore, njëkohësisht edhe të shijshme, gjithmonë duke përdorur një buxhet minimal”, – tregon ai.

Gatimi që bashkon komunitetet

Kuzhinierit izraelit nuk është mjaftuar vetëm me shpalosjen e artit të kuzhinës në vendin e tij. Për atë është e rëndësishme që të japë kontributin e tij në komunitete të ndryshme në të gjithë botën. “Me mbështetjen e qeverisë izraelite kam udhëtuar në vende të ndryshme, ku kam gatuar në shtëpi të fëmijëve dhe në azile pleqsh. Gjithashtu u kam mësuar edhe të gatuajnë. Ne duhet të kujdesemi për ata njerëz, të cilët gjenden në vështirësi, kurrsesi për fajin e tyre, por për faktorë të caktuar shoqëror dhe ekonomik. Është e rëndësishme që të përfshijmë të gjithë njerëzit, pavarësisht probleme sociale apo ato që lidhen me kufizime të aftësive të tyre, në shoqërinë tonë dhe t’i bëjmë ata të ndihen pjesë e shoqërisë. Duke fuqizuar, që të japin maksimumin të gjithë anëtarët e një komuniteti, edhe vetë komuniteti është më i fuqishëm”, – shprehet Kobi. Për këtë ai ka edhe shoqatën e tij të kuzhinierëve (Voluntary Chef For Children), e cila angazhohet në të gjithë botën.

Një biznes, ku sipërmarrësit nuk nxjerrin fitime për vete

Sipërmarrjet janë konceptuar, që pronarët e tyre të nxjerrin fitime në formën e kapitalit. Por ka ca sipërmarrje, ku qëllimi nuk është i tillë për pronarët. Atëherë në logjikën e fitimit të ndërtimit të sipërmarrjeve, kush fiton në bizneset sociale? Suela Lala, së bashku me 2 shoqet e saj, kanë themeluar një biznes të tillë në zonën e ish-Bllokut, i cili është një ndërthurje midis një kafeneje dhe restoranti. E veçanta e këtij biznesi është se një pjesë e të punësuarve janë persona me aftësi të kufizuara (kryesisht persona që nuk flasin dhe dëgjojnë). “E themeluam sipërmarrjen tonë pasi plan-biznesi yni fitoi çmimin e parë si biznes social në një konkurs të zhvilluar nga “Yunus Social Business Albania”, ku morën pjesë 50 konkurrentë. “Yunus Social Business Albania” është themeluar nga ekonomisti nobelist me origjinë indiane, Muhammad Yunus, dhe ka për qëllim adresimin e një nevoje ekonomike apo mjedisore të një komuniteti, gjithmonë duke mundësuar edhe ekzistencën financiare”, – shpjegon Suela. Ajo thotë më tej se kjo sipërmarrje ka për qëllim përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar, duke rritur përfshirjen e tyre në shoqëri në mënyrë që ata të mos veçohen. Për ngritjen e kësaj sipërmarrje, Suela tregon se është marrë një kredi e butë prej 47 mijë eurosh. “Qëllimi i biznesit social nuk është fitimi i themeluesve.

Të gjitha fitimet që mbeten pasi janë shlyer detyrimet do të përdoren për zgjerimin e këtij biznesi, në mënyrë që të punësohen akoma më shumë persona me aftësi të kufizuar”, – thotë ajo. E pra, në këtë mënyrë fitimi është tek mirëqenia e komunitetit. Kuzhinieri izraelit Kobi, në bashkëpunim me Ambasadën izraelite në Tiranë, ka ardhur në Shqipëri për të ndihmuar punonjësit e këtij biznesi social. Ai u ka mësuar atyre të gatuajnë disa aperitivë të ndryshëm dhe madje nuk ka ngurruar t’i bëjë ata pjesë edhe të recetave të tij të fshehta. Për të mësuar të tjerët si të gatuajnë, Kobi nuk pranon para, por nga ana tjetër ai është një mësues shumë kërkues dhe nuk kënaqet derisa gatimi të jetë i përsosur. “Kam dëshirë t’u mësojnë të tjerëve të gatuajnë dhe e kam si parim që mos marr para për këtë. Nga ana tjetër, jam i prerë kur vjen puna për kërkesë-llogarinë në cilësinë e gatimit. U them kurdoherë atyre që mësoj se nuk jam nga ata që them fjalë të mira kot. Dhe shumë herë çfarë kanë gatuar ua kam kthyer mbrapsht, derisa gatimi ka qenë i përsosur. Në rastin me vajzat me aftësi të kufizuara (që punojnë në kafe-restorantit) unë jam sjellë si me cilindo person tjetër që do t’i mësoja të gatuaja. Në fillim ato dukeshin pak të frikësuara, por në fund ato kanë arritur të bëjnë gatime shumë të mira dhe të shijshme. Të gjithë njerëzve, pavarësisht kufizimeve fizike që mund të kenë, duhet të trajtohen si të barabartë dhe mbi të gjitha t’u jepet mundësia për të kontribuuar në shoqëri, sepse edhe ata kanë diçka për të dhënë, që është e vlefshme”, – thekson Kobi.

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=58593&kat=104

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023