Kryeparlamentari Ilir Meta: Kombi shqiptar sakrifikoi per hebrenjte


(Fjala e plotë përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta)

Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

Është nder dhe përgjegjësi për ne sot që ta hapim këtë seancë plenare duke sjellë në kujtesë miliona viktima hebreje të barbarisë naziste, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit edhe këtu në Kuvendin e Shqipërisë si në shumë Kuvende të vendeve demokratike.

Këtë javë, e gjithë bota kujton me dhimbje vuajtjet dhe tmerrin e një populli të tërë që u persekutua dhe u masakrua në emër të një filozofie të rrezikshme dhe përmes një makinerie të tërë barbare që goditi në zemër të vlerave njerëzore.

Ne sot kujtojmë një nga momentet më të errëta të historisë sonë moderne, dhe përulemi përpara sakrificave të paimagjinueshme të në brezi të tërë, që refuzoi të përkulej ndaj tiranisë dhe racizmit institucional mizor nazist që tentoi të nënshtronte mbarë kontinentin tonë.

Ne sot kujtojmë gjithashtu me krenari dhe përulemi me mirënjohje përpara gjithë kombit shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri dhe që hapi dyert e tij për të mbrojtur shumë të tjerë që gjetën strehë në gjirin e mikpritjes, dashurisë dhe besës shqiptare.

Para dy ditësh, pata një takim të veçantë me Kryetarin e Knesset, Parlamentit të Izraelit, z. Yuli Edelstein, me të cilin morëm pjesë së bashku me 26 Kryetarë Parlamentesh në ceremoninë e 70-të përkujtimore të ditës së holokaustit në Pragë.

Kolegu im i nderuar më rishprehu mirënjohjen për mikpritjen, bujarinë, mbrojtjen, strehimin dhe sakrificën e kombit shqiptar që shpëtoi të gjithë hebrenjtë të cilët ndodheshin në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë botërore.

Kjo sakrificë e madhe e kombit shqiptar është njohur edhe në regjistrin e “Të Drejtëve mes Kombeve” në Yad Vashem, ku shprehet mirënjohja për gjithë shqiptarët që rrezikuan jetët e tyre në mbrojtje të jetës së të gjithë hebrenjve që ishin në Shqipëri dhe që erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shqipëria është vendi ku hebrenjtë ishin më të shumtë në numër pas luftës, se sa përpara saj. Besa, bujaria, mikpritja dhe toleranca e shqiptarit, janë elementë thelbësore të shpirtit tonë kombëtar, të cilat e identifikojnë Shqipërinë si një shembull të jashtëzakonshëm bashkëjetese dhe harmonie etnike dhe fetare në botë. Për këtë ne jemi të gjithë krenarë.

Shqiptarët, përmes sakrificës dhe dashurisë së natyrshme që treguan ndaj kombit hebre, ashtu siç kemi mirëpritur shumë grupe të tjera etnike në shekuj, e mishëruan proverbin e njohur të Mishnës që “kush shpëton një jetë, shpëton universin e tërë”.

Më lejoni që në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të falënderoj Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, z. David Cohen si dhe Profesorin dhe Historianin e shquar izraelit z. Gideon Greif që na nderojnë sot me praninë e tyre.

Falënderoj gjithashtu të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe miqtë e tjerë që ndodhen këtu në këtë ceremoni të veçantë për të shprehur solidaritetin tonë të përbashkët kundër çdo forme diskriminimi, racizmi, nacionalizmi ekstrem, anti-semitizmi dhe anti-humanizmi që demonstrohet sot në botë.

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023