TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e martë në një seancë të posaçme plenare, për Ditën e Kujtesës së Viktimave të Holokaustit. Në kujdesin e kryeministrit Berisha dhe kryeparlamentares Topalli, të martën do të zhvillohet seanca, e cila do të fokusohet në nderim të kodit tonë shpirtëror unikal “Në besë të shqiptarit”. Mbajtja e kësaj seance është bërë e ditur dje nga vetë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi që ajo ka pasur dje me ambasadoren e shtetit të Izraelit për Shqipërinë, Amira Arnon. Topalli është shprehur se, shqiptarët ndjehen krenarë që kamë qenë të vetmit në Evropë që nuk kanë dorëzuar asnjë hebre gjatë luftës, por i kanë mbrojtur ata. “Këtë ditë ne e konsiderojmë një ditë homazhi për viktimizimin kolektiv dhe sigurisht që ndjehemi krenarë, për të gjitha familjet shqiptare që ndihmuan në shpëtimin e jetëve të hebrenjve, duke dëshmuar se për shqiptarët, besa dhe mikpritja janë vlera unikale dhe kjo na bën të ndjehemi krenarë”,- tha Topalli. Më tej, Kryetarja e Kuvendit e njohu Ambasadoren Izraelite me angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të nxjerrë në pah dokumente historike, që dëshmojnë faktin se shteti shqiptar dhe shqiptarët ishin të vetmit në Evropë që nuk dorëzuan asnjë hebre gjatë luftës, por përkundrazi, përballë kërcënimit të shfarosjes dhe të vetë familjeve të tyre, ata treguan vlera dhe dinjitet historik. Nga ana e saj, ambasadorja Arnon shprehu falënderimet për mbajtjen e seancës së veçantë, si dhe mirënjohjen e popullit izraelit për gjithçka që populli shqiptar ka bërë gjatë viteve të Holokaustit, duke mbajtur në shtëpitë e tyre shumë hebrenj e duke mos dorëzuar asnjë prej tyre, pavarësisht rrethanave. “Kjo është një vlerë e rrallë, që populli ynë nuk do ta harrojë kurrë”,- u shpreh ajo.
Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli