
Teknologjia inovative izraelite në shpëtimin e fëmijëve në Tajlandë
Kompania izraelite, Maxtech Networks, përmes teknologjisë së saj bën të mundur komunikimin edhe në vendet që nuk ka valë celulare

Historia e 12 fëmijëve dhe trajnerit të tyre të futbollit, të cilët u bllokuan për shkak të shirave në një shpellën Tham Luang në Tajlandë, ishte në vëmendjen e gjithë botës.
Operacioni i shpëtimit të tyre u transmetua “live” thuajse nga të gjitha mediet e mëdha ndërkombëtare.
Për të dhënë kontributin në shpëtimin e tyre, përveç burimeve njerëzore, ka qenë edhe një inovacion teknologjik izraelit, që ka bërë të mundur nxjerrjen e tyre.
“Kryeministri Benjamin Netanyahu më kërkoi për të parë sesi Izraeli mund të ndihmonte një vend mik si Tajlanda”, citohet ambasadori izraelit në Tajlandë, Meir Shlomo nga portali Mailchi.mp.

Pas vlerësimit të situatës, ishte pikërisht kompania izraelite, Maxtech Networks, ajo që përmes teknologjisë së saj bën mundur komunikimin edhe në vendet që nuk ka valë celulare, që dha kontributin e saj.
Ekipet e shpëtimit, përveç atyre vendas, vinin nga gjashtë vende të huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Yuval Zalmanov, një inxhinier i Maxtech, shpjegon se ata përdorën një aparat pa kabëll, ku një algoritëm high-tech bën të mundur komunikimin midis tyre, duke mos pasur nevojë të një linje dhe që aparatet mund të komunikojnë me njëri-tjetrin në një distancë 3 km.
Startapet izraelite rregullisht marrin pjesë në operacionet shpëtimi në katastrofa natyrale. Në shtator 2017, kompania Camero mori pjesë në operacionet e shpëtimit pas tërmetit të fuqishëm në Meksiko.