Bushati: Me Izraelin, bashkëpunim ekonomik dhe në fushën e sigurisë
Ministri i Jashtëm i Shqipërise, Ditmir Bushati mori pjesë në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të luftës kundër terrorizmit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Izrael për punimet e “Konferencës së 18-të Ndërkombëtare të luftës kundër terrorizmit”, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Luftës kundër Terrorizmit.
Gjatë vizitës së tij, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. Ai u takua me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Izraelit Benjamin Netanyahu, Ministrin e Mbrojtjes Avigdor Lieberman, Ministrin për Bashkëpunimin Rajonal Tzachi Hanegbi, Lideren e Opozitës Tzipi Livni, Drejtuesit e Komitetit Amerikano-Hebre (AJC) David Harris dhe Kongresit Botëror të Hebrenjve (WJC) Robert Singer.
“Ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar rreth sfidave të sigurisë në rajonet ku #Izraeli dhe #Shqipëria luajnë një rol të rëndësishëm, si dhe për të rivlerësuar procesin e bashkëpunimit të dyanshëm në fushën e sigurisë, zhvillimit ekonomik & turizmit”, shkruan ministri Bushati ne faqen zyrtare te Ministrise se Jashtme ne Facebook.
Ministri Bushati në fjalën e tij në konferencë prezantoi angazhimin dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm, duke vënë theksin në shpalosjen e nismave të reja që lidhen me rolin e edukimit, harmoninë fetare, respektimin e të drejtave të njeriut e minoriteteve, vlerave të tolerancës ndaj diversitetit, dhe në hartimin e zbatimin e politikave të posaçme strategjike, sociale, politike, ligjore, edukative dhe ekonomike.
Bushati tha se “lufta ndaj terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë dhe nuk duhet të ndihet e dekurajuar. Ashtu si rrjetet terroriste janë transnacionale, kështu duhet të jetë edhe bashkëpunimi ynë”.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të prishur lidhjen mes radikalizimit dhe terrorizmit duke adresuar çështjet e ndryshme dhe komplekse në mjedise ku ushqehen akte terroriste. Duhet të miratojmë një “përpjekje të të gjithë shoqërisë” duke u angazhuar me shoqërinë civile, komunitetin dhe udhëheqësit fetarë, dhe të rinjtë”, u shpreh Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
Gjithashtu me poshte gjeni nje komunikim nga Ministri Bushati gjate vizites ne Izrael.