David Cohen, ish-ambasadori i Izraelit promovon turizmin shqiptar
Ish-kryediplomati u prit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve
Ka përfunduar detyrën e tij diplomatike në Shqipëri dhe ka nisur atë të promovuesit të bukurive të “vendit të shqiponjave”.
Ish-ambasadori i Izraelit në Tiranë, David Cohen, është shndërruar në një nga promovuesit më të mëdhenj të turizmit izraelit në Shqipëri.
Para pak ditësh, në krye të një grupi prej 36 turistësh nga Izraeli, David Cohen u rikthye në Shqipëri për një vizitë turistike dhe promovuar vlerat që ofron Shqipëria.
“Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i ofroi një pritje të bukur grupit të miqve të mi që erdhën me mua në Shqipëri dhe Maqedoni”, shkruan ish-ambasadori David Cohen.
Takime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, gjithashtu me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Mondin dhe kryetarin e Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj.
“Bashkia e Beratit u vizitua nga një grup vizitorësh izraelitë nën drejtimin e ish – ambasadorit të Izraelit në Shqipëri, z. David Cohen, i cili vlerësohet si një nga aktorët më të rëndësishëm të promovimit të turizmit shqiptar në Izrael”, shkruhet në faqen e Bashkisë së Beratit.