Programi Pierce i Studimeve Hebraike, zgjidhja e mençur e komunitetit hebre në Greqi

Ky shkrim nga gazetari amerikano-izraelit, Larry Luxner është shkruar për Jewish Telegraphic Agency dhe është sponsorizuar nga Ronald S. Lauder Foundation. Luxner shkruan rregullisht për “The Times of Israel” dhe “Washington Diplomat” dhe media të tjera ndërkombëtare.


Studentët e shkollave të mesme dhe të mesme hebraike në Pierce Jewish Studies Program në Kolegjin Amerikan të Greqisë në Athinë (American College of Greece) studiojnë hebraisht duke përdorur softuerin në internet. (Larry Luxner)


Nga LARRY LUXNER, JTA

ATHINË – Në një klasë të vogël në kryeqytetin e Greqisë, dhjetë nxënës hebrenj të klasës së tetë studiojnë një tekst biblik për Jakovin dhe Esaun nën drejtimin e Rivkah Carl, një mësues hebre nga Teaneck, New Jersey.

Studentët bisedojnë me zë të lartë në greqisht, ndonëse gjuha e instruktimit është anglishtja. Në klasën ngjitur, nëntë fëmijë – secili me kufje para monitorëve të kompjuterëve – dëgjojnë teksa mësuesi izraelit iu mëson hebraishten.

Por kjo nuk është shkollë hebrenjsh. Komuniteti hebre i Athinës, tashmë i tkurrur në rreth 3000 anëtarë, nuk ka mjaftueshëm fëmijë për të mundësuar hapjen e një shkolle hebre tetëvjeçare apo të mesme.

Kështu që liderët e komunitetit gjetën një zgjidhje unike: një kurs të veçantë hebre në prestigjiozin “American College of Greece”, një shkollë private e themeluar nga misionarët kristianë më 1875, me një degën më vete të tetëvjeçares e të mesmes, të quajtur “Pierce School”.

“Jemi shumë të lumtur që kemi këtë program këtu në Greqi”, thotë Nina Negrin, e cila ka vajzën 12-vjeçare, Melina, nxënëse në këtë shkollë. “Për shumë vjet nuk kemi pasur vazhdimësi të arsimimit hebraik pas moshës 12 vjeç. Gjithçka që kishte të bënte me judaizmin ndalonte menjëherë. Tani fëmijët mund të vazhdojnë me arsimimin hebraik dhe të qëndrojnë së bashku. Këto gjëra janë shumë të rëndësishme për ne, jo thjesht si prindër por edhe si anëtarë të komunitetit hebre”.

Projekti, i njohur si “Programi Pierce i Studimeve Hebraike”, kombinon studimet hebraike me aktivitetet informale edukative, si vizita në sinagogat aty pranë. Melina dhe klasa e saj bënë një ekskursion kohët e fundit në një sinagogë në Halkidha, një qytet i këndshëm në veri të Athinës, në ishullin e Evias. Më pas ishte një vizitë në Rodos për të mësuar për historinë e pasur hebre të ishullit.

Hebrenjtë grekë, duke luftuar me krizën financiare të kombit të tyre dhe me probleme të tjera, po zgjedhin gjithnjë e më shumë të emigrojnë. (Larry Luxner)

Tani në vitin e tij të dytë, programi përfaqëson një qasje novatore për problemin me të cilin përballen shumë komunitete të vegjël hebre në Evropë: mbajtja gjallë e edukimit hebre në qytete ku shkollat hebre nuk janë praktike apo të mundura për shkak të numrit të vogël ose për sekularizmin relativ të komunitetit hebre vendas.

“Teksa komunitete hebre si i yni zvogëlohen, duhet gjetur një mënyrë për të vazhduar edukimin hebre pa pasur domosdoshmërisht shkollë hebraike”, thotë Minos Moissis, president i Komunitetit Hebre të Athinës.

Nevoja për programin ishte veçanërisht akute në Athinë. Kohët e vështira ekonomikisht dhe dhuna – nga ekstremi majtas e djathtas – çoi në largimin e shumë hebrenjve grekë në dekadën e fundit. Për më tepër, shkollat publike greke kërkojnë studimin e teksteve dhe lutjeve kristiane ortodokse greke; hebrenjtë lejohen vetëm nëse e deklarojnë publikisht identitetin hebre në klasë. Kjo është e vështirë për një 12-vjeçar në vendin me nivelet më të larta të anti-semitizmit në Evropë.

Kursi hebre në Pierce i mbron nxënësit nga kjo sfidë dhe ofron edukim hebre përtej shkollës fillore.

Programi, me emrin “Athens Project”, ka 32 nxënës të regjistruar.

“Komuniteti hebre i Athinës ka vetëm një shkollë filllore. Pas saj, fëmijët i humbasin lidhjet, kështu që jemi përpjekur të gjejmë rrugë për t’i mbajtur së bashku të paktën deri në moshën 18 vjeç”, thotë Iakovos Atoun, drejtori i studimeve hebraike për komunitetitn.

Programi hebre nuk do të kishte qenë i mundur pas ndihmën e biznesmenit dhe filantropit Ronald Lauder, president i Kongresit Botëror të Hebrenjve, i cili më 2017 sfidoi komunitetin e Athinës të zhvillonte një program dhe më pas hodhi parà për ta përkrahur atë.

Fondacioni Ronald S. Lauder, i cili subvencionon për nxënësit hebre në Pierce, mbështet edhe shkollën Lauder të komunitetit hebre në Athinë, një shkollë fillore në Paleo Psichiko, dhe një program mësimi të hebraishtes online, me rreth 150 nxënës nga të gjitha moshat.

“Nëse nuk do të na ishte bërë kjo dhuratë, shumica e fëmijëve tanë do të kishin përfunduar në shkollat publike”, thotë Joanna Nahmias, anëtare e bordit drejtues të Lauder School. “Atje do të ishin të detyruar të ngriheshin mes një klase me 30 fëmijë, krejtësisht të pambrojtur, e të deklaronin ‘Jam Hebre’, e të shpjegonin se pse nuk po thoshin lutjet e mëngjesit”.

Në Pierce, në vende të portreteve të Krishtit apo Virgjëreshës Mari, të zakonshëm në klasat greke, ka portrete të romancierëve të famshëm amerikanë si John Steinbeck dhe Ernest Hemingway.

American College është kolegji i akredituar në SHBA më i vjetër e më i madh në Evropë. Dega Pierce, që fillon në klasën e shtatë, konsiderohet një nga shkollat e mesme private më të mira në vend dhe një nga të paktat që e ka pushim të shtunën.

Përveç matematikës, fizikës, kimisë, letërsisë, greqishtes a anglishtesm fëmijët hebre studiojnë hebraisht, historinë dhe traditat hebraike. Lëndët hebraike bëhen dy herë në javë nga dy orë në përfundim të ditës së rregullt të mësimit.

Programi përfshin dy udhëtime të paguara në Izrael: një tur 11-ditor në verë pas klasës së gjashtë dhe një tjetër gjatë shkollës së mesme për t’u dhënë fëmijëve grekë mundësinë për të eksploruar shkollat në Izrael dhe mundësi studimi në universitete.

Por, emigrimi në Izrael nuk është synimi kryesor, thotë Nahmias.

“Izraeli dhe Greqia po bëhen partnerë shumë të fortë në biznes – energji, mbrojtje, bujqësi”, thotë. “Nëse këta fëmijë dinë të flasin hebraisht, do të kenë avantazh mbi këdo tjetër”.

Hebrenjtë grekë po kalojnë përmes një periudhe sfidash. Vendi ende nuk e ka marrë veten nga kriza financiare e vitit 2009, e cila e çoi papunësinë mbi 25%, për pak sa nuk e nxori Greqinë nga eurozona dhe shkatërroi kursimet e jetës për miliona grekë, përfshirë edhe disa hebrenj shumë të pasur më parë.

“Komuniteti ynë gjithmonë ka qenë vetëfinancues”, thotë Nahmias. “Në vite kemi bërë donacione mbi 40 milionë dollarë në Izrael. Por më pas shumë hebrenj të pasur patën nevojë për ndihmë, sepse bizneset e tyre falimentuan”.

Ajo kujton se si vejushat shitën unazat e florinjta të burrave të ndjerë për të siguruar parà për shkollën fillore hebre.

Kriza financiare koincidoi me një rritje të ndjenjave nativiste dhe anti-semitizmit. Partia neonaziste Agimi i Artë mori 7% të votave në zgjedhjet parlamentare në shtator 2015, ndërkohë që një sondazh i vitit 2014 nga ADL arriti në konkluzionin se 68% e grekëve kanë ndjenja anti-semite, niveli më i lartë në Evropë.

Për shkak të emigracionit, shkolla fillore hebre tani ka 98 nxënës nga 141 më 2013.

Për ta mbajtur shkollën hapur, komuniteti votoi dhjetë vjet më parë për regjistrimin e çdo fëmije me të paktën një prind hebre. Mbi gjysma e nxënësve vijnë nga martesa të kryqëzuara.

Megjithatë, mbi 90% e atyre që përfundojnë shkollën fillore hebre regjistrohen në Pierce — një përqindje e mahnitshme duke pasur parasysh shkallën e lartë të asimilimit në komunitetin hebre në Greqi. Partneriteti special midis Pierce dhe komunitetit hebre siguron që fëmijët hebre të kenë vend në shkolla konkurruese dhe tarifat e subvencionuara nga “Lauder Foundation” nga 25 në 100 përqind bëjnë të mundur përballimin e shkollës.

“Para se të niste programi, Lauder Foundation na tha ‘nëse keni ndonjë ide të mirë si ta mbani të bashkuar rininë tuaj, ne jemi të gatshëm të investojmë për këtë’”, kujton Atoun, drejtori i studimeve hebraike. “Por ishte e vështirë të ndërtoje një shkollë të mesme të re vetëm për fëmijët hebre. Opsioni tjetër i vetëm ishte futja e nxënësve në shkolla ekzistuese me reputacion, por edhe dhënia e arsimit hebraik”.

Atoun thotë se projekti synon sigurimin e një të ardhmeje hebre në Greqi.

“Nëse nuk i ndihmojmë fëmijët tanë në zhvillimin e një identiteti krenar të fortë hebre, do t’i humbasim ata dhe ky do të jetë fundi i komunitetit tonë. Nuk mbijetuam për dy mijë vjet mes sfidash e tragjedish këtu në Greqi për ta lënë të ardhmen tonë hebraike të na shkasë nga duart. Ne po punojmë shumë për t’u siguruar që hebrenjtë në Greqi të mos kenë thjesht një të shkuar të madhe, por një të ardhme të madhe”.


Ky artikull u sponsorizua dhe shkrua në partneritet me “Ronald S. Lauder Foundation“, i cili punon për fuqizimin e të ardhmes së jetës hebre në Evropë përmes mbështetjes së shkollave ekselente hebraike. Artikulli u prodhua nga skuadra e përmbajtjes native e JTA (Jewish Telegraphic Agency).


Më shumë për Ronald S. Lauder Foundation


Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023