Roman Abramovich i dhuron 5 milionë dollarë Agjencisë Hebraike për të luftuar antisemitizmin
Roman Abramovich ka dhuruar deri tani rreth 500 milionë dollarë për çështjet hebraike, veçanërisht në Rusi dhe Izrael, dhe më shumë se 2.5 miliardë dollarë donacione të përgjithshme bamirëse.
Miliarderi dhe filantropisti rus, Roman Abramovich, i dhuroi 5 milionë dollarë për Agjencinë Hebraike të Izraelit (Jewish Agency for Israel – JAFI) për të ndihmuar në përpjekjet e saj për të luftuar antisemitizmin në mbarë botën.
Roman Abramovich, i cili gjithashtu ka shtetësi izraelite, dha donacionin e tij për shkak të antisemitizmit në rritje në Evropë, SHBA dhe më gjerë dhe do të përdoret nga “Njësia Ndërkombëtare” (International Unit ) e JAFI-t, e cila angazhohet në operacione dhe aktivitete të ndryshme për të luftuar antisemitizmin.
Incidentet antisemitike kanë qenë në rritje në Britani të Madhe, Francë, në pjesën tjetër të Evropës dhe në SHBA gjatë viteve të fundit, duke përfshirë një numër gjithnjë e më të madh të sulmeve të dhunshme, gjë që ka rritur nevojën për masa më të mira monitorimi, inteligjence dhe sigurie për komunitetet hebraike globit.
Vetë Roman Abramovich nuk ka komentuar dhuratën e tij, por kryetari i JAFI, Isaac Herzog, e vlerësoi atë për ndihmën e tij financiare.
“Komunitetet hebraike anembanë botës po përballen me një numër rekord të sulmeve të rrezikshme antisemite. E duartrokas Roman Abramoviç për marrjen e iniciativës së fortë për të luftuar antisemitizmin dhe jam mirënjohës për kontributin e tij në përpjekjet e Agjencisë Hebraike, për të siguruar që çifutët janë të sigurt në komunitetet e tyre anembanë botës”, tha Herzog.
“Për fat të keq, siç e kam thënë edhe pas shumë sulmeve të fundit, hebrenjtë janë edhe një herë të pasigurt në rrugët e Evropës. Është fakt. Unë vazhdoj t’i nxis liderët globalë të bashkohen në një përpjekje të përbashkët dhe të organizuar për të luftuar antisemitizmin dhe të gjitha format e krimeve të urrejtjes”.
Roman Abramovich, i famshëm për zotërimin e klubit të futbollit Chelsea në Mbretërinë e Bashkuar dhe për një pasuri të vlerësuar në 13 miliardë dollarë, sipas “Forbes”, iu dha shtetësia izraelite në maj 2018, pas një vonese të gjatë në rinovimin e vizës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke e bërë të pamundur qëndrimin e tij në Britani.
Roman Abramovich ka dhuruar rreth 500 milionë dollarë për çështjet hebraike, veçanërisht në Rusi dhe Izrael, dhe më shumë se 2.5 miliardë dollarë donacione të përgjithshme bamirëse.