Paul Bernstein, filantropisti që ndihmoi realizimin e librit dhe filmit “Besa”

Nga rrugët e Bronx-it, te lartësitë e Wall Street-it, Paul Bernstein tregon për jetën e tij të pasur, lidhjen e tij me Norman Gershman, mbështetjen e tij për kauzat humanitare, dhe rëndësinë e promovimit të shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët gjatë Holokaustit.


Nga Ruben Avxhiu

Paul Bernstein ishte një legjendë në Wall Street, shumë kohë përpara se vetë Wall Street të bëhej i famshëm apo famëkeq prej industrisë së filmit. Është mbase simbolike që ai vendosi të dilte në pension aq herët, në 1986, pikërisht një vit përpara daljes së filmit të shquar “Wall Street” të regjizorit Oliver Stone, me një Michael Douglas të paharrueshëm në rolin kryesor.

“Djali i rrugicave” nga Bronx, që ngelej në pothuajse të gjitha provimet për aftësitë e që i kishin thënë të mos lodhej kot me ëndrrat që thurrte, arriti në një moment të caktuar të kishte nën administrim mbi 80 miliardë dollarë pësuri, me firmën që nisi nga asgjëja me vëllain e tij.

Paul Bernstein solli pothuajse të gjithë klientët e firmës dhe njihej në atë kohë si mjeshtri më i mirë i shitjeve në New York City.

E megjithatë, është puna që ka bërë që kur doli në “pension” që do të mbetet si trashëgimia e tij në këtë jetë. Ishte pikërisht kjo punë që e lidhi edhe me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe që çoi në takimin tonë muajin e kaluar në Sutton Place, në Manhattan.

Besa dhe shëptimi i hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Gjithshka nisi një ditë kur Paul u takua me ish-mikun e tij të ngushtë të rinisë, me emrin Norman Gershman. Ky po nisej për udhëtim në një vend në Europë që quhej Shqipëri, për të fotografuar njerëz që kishin shpëtuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“A do të vish me mua?” e kishte pyetur Normani, por Paul ndonëse kurioz për këtë histori dhe për vendin misterioz, ishte në një periudhë të jetës që nuk mund të lëviste nga qyteti. Po ai mbeti i interesuar për të mësuar më shumë për temën.

Dhe në fakt, sa më shumë informohej për shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët, aq më shumë donte të ndihmonte.

“Me sa dimë, asnjë hebre nuk është kapur më Shipëri, gjatë LB2. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku numri i hebrejve ishte më i madh në fund të luftës”, citon ai.

Kështu që kur Norman kishte hasur në vështirësi për të gjetur financim për prjektet e tij për një libër dhe një film, Paul Bernstein kërceu për të ndihmuar. Gjatë këtij angazhimi u njoh me shumë shqiptarë e me disa prej këtyre u bë mik për kokë.

Ai përmend Mit’hat Gashi, Majlinda Myrton, e shumë të tjerë që u përfshninë në projekt e kanë qenë të vendimtarë në ndihmën për projektin për t’i bërë të njohur botës shembullin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve gjatë një prej kapitujve më të errët të historisë botërore.

Ishte në sajë të ndihmës nga Mit’hat Gashi që producenti i filmit “Besa” arriti të siguronte më shumë se gjysëm milion dollarë ndihmë nga qeveria amerikane. Kur edhe kjo shumë nuk mjaftoi për të gjitha shpenzimet e filmit dhe librit, Paul Bernstein ndërhyri vetë me një donacion të tijin për të përmbushur nevojat e projektit.

“Zoti Bernstein ka dhuruar paratë e tij, kohën e tij, dhe ka shpërndarë te rrjeti i tij i njerëzve historinë e shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët”, më shkroi Mit’hat Gashi, kur e pyeta për lidhjen e tij me filantropistin. “Përmes punës së tij – qoftë duke përcjellë materiale të shkruara (libra, artikuj, etj) apo duke ftuar miq të njohur për të parë filmin dokumentar – Paul ka rritur publicitetin pozitiv të Shqipërisë, në një kohë kur politikanë të korruptuar kanë bërë të kundërtën”.

Emri i Paul Bernstein, së bashku me fondacionin “Seeds of Peace” (Farat e Paqes) përmendet në librin “Besa” në listën e shkurtër të mbështetësve. Libri përmban disa nga portretet më të bukura që Gershman ka mbledhur gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri. Ai ka dhënë portrete thellësisht njerëzore të njerëzve që shpëtuan hebrenj apo të pasardhësve të tyre. Gershman ishte jo vetëm një hulumtues i palodhur por edhe një fotograf i madh.

Paul Bernstein

 

Ishte një rastësi i trishtueshme që vetëm pak ditë pas pas një bisede të gjatë me Paul Bernstein për Norman Gershman dhe largimin e tij nga jeta active, mësuam lajmin e vdekjes së fotografit aq të njohur për shqiptarët.

Në zemër të kërkimeve të Gershmanit ishte kodi i nderit, Besës, që ka qenë në shekuj një nga shtyllat e kulturës dhe moralit shqiptar, e përcaktuar me hollësi më vonë nga Kanuni, ajo kushtetutë joshtetërore ligjesh tradicionale, e transmetuar zakonisht nga gojëdhanat, nga brezi në brez. Besa e sanksionuar nga Kanuni kërkon bujari e mirësi ndah të huajve, miqve të shtëpisë, e përgjegjësi për sigurinë e tyre. Kjo dukuri ishte në themelin e përpjekjeve për të shpëtuar hebrenjtë në kohën e pushtimit fashist e nazist kudo ku jetuan shqiptarët në Ballkan.

E vetmja pikë debatesh në libër dhe film ishte përqendrimi kryesisht te myslimanët shqiptarë, që u bë edhe për ta ndihmuar promovimin e librit dhe të filmit po që shkakoi pakënaqësi te shumë shqiptare. Kjo për arsyen e kuptueshme që shqiptarët janë të ndjeshëm ndaj theksimit të njërit element fetar, po edhe për arsye të korrektësisë historike. Së pari, Besa është si dukuri tepër vjetër, më e hershme se ardhja e Islamit në trojet shqiptare. Jo më kot Kanuni është zbatuar nga shqiptarë të të gjitha feve dhe më e rëndësishmja në rastin konkret, hebrenjtë në Shqipëri u shpëtuan jo vetëm nga myslimanë po edhe shqiptarë katolikë, ortodoksë e ateistë.

Shqiptarët i ka bërë historia një popull me shumë fe e me harmoni të madhe mes komuniteteve fetare. Ishte ky kontekts që e bënte edhe më të lehtë marrjen në mbrojtje të fqinjëve të tyre hebrenj e të arratisurve që vinin nga vende të tjera në kërkim të shpëtimit.

Nga e majta, Skënder Ghilaga, Pauk Bernstein dhe Vehbi Bajrami, gjate vizites ne apartamentin e Paul Bernstein.

 

Bernstein është mrekulluar nga kjo histori dhe ka mbetur edhe sot e kësaj dite një promovues i palodhur i saj.

“Edhe kur Lufta e Dytë nuk kishte filluar ende, Shqipëria po ndihmonte. Mbreti Zog pajiste me pasaporta hebrenjtë nga e gjithë Europa që të mund të largoheshin në Shtetet e Bashkuara”, thotë Paul. Ai ëstë takuar me nipin e mbretit, Princin Leka II, kur ky i fundit udhëtoi në New York.

Paul ka qenë edhe në Shqipëri. Kjo ndodhi gjatë një udhëtimi turistik me traget nëpër Mesdhe, kur një nga stacionet ishte porti i Durësit. Bashkë me disa miq shqiptarë, Paul dhe bashkëshortja e tij Peggy udhëtuan drejt Tiranës, ku u takuan me Presidentin Bujar Nishani dhe morën pjesë në festimin e Hanukkah, me komunitetin hebre të Shqipërisë.

“Tirana është një vend i bukur dhe njerëzit shumë të dashur”, thotë Paul.

Ai e ka takuar Presidentin Nishani edhe këtu në New York, kur u shfaq filmi Besa, në qendrën komunitare të hebrejve (JCC) në Upper West Side në Manhattan. Organizator ishte Fondacioni Raoul Wallenberg që i dhuroi shpëtuesve shqiptarë një çmim të posaçëm nderimi.

Ishte një kënaqësi që mundëm ta njohim edhe personalisht filantropistin Paul Bernstein. Ai na priti me bujari në apartamentin e tij mbresëlënës, me pamje të bukura panoramike, ku jeton bashkë me gruan e tij Peggy. Së bashku, me botuesin e gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami u njohëm me heroin e këtij shkrimi nëpërmjet një miku të përbashkët, Skënder Ghilaga, inxhinerit dhe biznesmenit të shquar shqiptaro-amerikan të ndërtimeve. I njohur për punën e tij me disa vepra të shquara të arkitekturës në New York dhe në shumë anë të botës, Skënder Ghilaga është edhe themelues i Dhomës Tregëtare Shqiptaro Amerikane në New York, si dhe njihet për përfshirjen e tij në nisma të panumërta biznesi, humanitare, e politike të komunitetit tonë në disa dekada.

Jetën e Skënder Ghilagës e ka përshkruar Vehbi Bajrami në librin e tij “Shqiptarët e Amerikës”, një koleksion voluminoz dhe i pasur historish personale të figurave të komunitetit tonë. Që të dy janë miq të vjetër dhe ishte Skënderi që e thirri një ditë për t’i folur për një mik me emrin Paul Bernstein dhe lidhjen e tij me shqiptarët.

Skënderi e njohu filantropistin nëpërmjet të mbesës, Artes Ghilaga, e cila është instruktorja e jogës të Paul Bernstein. Mirëpo, mes beteja të pamëshirshme mbi kutinë e tavllës gjatë mbasditeve njujorkeze, mes të dyve është krijuar një miqësi e madhe. Të dy kanë një thesar historish për të treguar sidomos pë rata që kanë kuriozitet për New York-un që nuk është më, për tema nga politika te industria e pronave të patundshme të qytetit, nga ikonat e kulturës te ngjarjet më të mëdha historike të kohës.

Po takimi ynë ishte më shumë i lidhur me historinë e Shqipërisë dhe punën e Paul Bernstein për kauzat humanitare.

Djemtë e rritur në Bronx, që bënë ligjin në Wall Street

Paul na qerasi me historitë e kohës kur rritej në rrugët e South Bronx e më pas, kur babai filloi të bënte pak më shumë para me dyqanin e tij të argjendarisë, kaluan si familje me shtëpi në Sheridan Avenue afër Grand Concourse, që në atë kohë ishte si zonë më e mirë.

Shkollën e mesme e bëri në “William Howard Taft” dhe në moshë të re u shqua si lojtar bejzbolli, madje duke luajtur edhe si profesionist në Ligën e Vogël për “Atlanta Braves” (Trimat e Atlantës) që nuk ekziston më si skuadër.

Më vonë, shkoi ushtar dhe jetoi në kazermat e bazave në Fort Dix dhe Fort Benjamin Harrison e mund të kishte përfunduar në Luftën e Koresë, sikur të mos kishte dalë i pari në shkollën për daktilografist dhe diktimit me shkurtime, për të cilat kishte kërkesë të jashtëzakonshme në atë kohë.

E bukura është që Paul ëndërronte që të bëhej veteriner dhe jo llogaritar e financier nga po mori drejtimin në shkolln e lartë, mirëpo në fund përfundoi si mjeshtër i tërheqjes së klientëve në Wall Street.

Nga Fondet Dreyfus te Oppenheimer Holdings, te fillimi i një kompanie nga të veçantë me të vëllanë, Zalman, Paul ndoqi talentinin e tij dhe u shpërblye. Firma e tyre, Sanford Bernstein, ishte revolucionarizuese për kohën e tyre. Me një përqendrim të paparë te puna kërkimore, të thyerja e traditës në Wall Street për t’u konsultuar me klientët për çdo veprim, te modeli i uljeve të dividentit, ata shkëlqyen aty ku shumëkush parashikoi se do të humbnin. Ishte një kohë kur hebrenjtë ishin të rrallë në Wall Street. Po kur me ta u bashkuan edhe një grup tjetër miqsh që i njihnin që nga koha kur vraponin nëpër rrugicat e lagjeve të tyre në Bronx, suksesi ishte i pandalshëm.

“Jam i kënaqur me suksesin në jetën time profesionale”, na tha Paul. “Erdhi një moment kur po administronim pasuri që kalonin 80 miliardë dollarë në total. E filluam me një minimum prej 25, dollarësh. Unë isha shitësi më i mirë, menaxheri i shitjeve dhe drejtoja sllën e revizionimit. Jo keq për një djalë që i kishin thënë pas një provimi aftësish se nuk do të shiste dot asgjë në jetë”.

Idesë së një autobiografie i është kthyer disa herë në jetë po në momentin që dukej sikur po realizohej si projekt, ish kolegët që iu bashkuan në firmë atij dhe të vëllait, e u pasuruan aty nuk pranuan që të intervstoheshin për librin. Disa prej tyre janë Shepard D. Osherow, Roger Hertog, Lewis A. Sanders dhe Shelly Lawrence. Pas kësaj, Paul hoqi dorë nga ideja.

“Dola herët në pension, sepse për mua Wall Street është loja më me hile në botë. Nuk e kam shijuar në asnjë moment. Mirëpo, i hymë asaj pune. Lamë gjurmët tona të pashlyeshme të suksesit dhe pastaj vendosa të shkëpuetm e të të shijoj jetën”, thotë ai.

Do të mbahet mend për punën humanitare

Paul Bernstein ka qenë gjithmonë i interesuar për të ndihmuar të tjerët. Fillimet i ka pasur me organizatën HIAS – organizata humanitare për emigrantët hebrenj që i ndihmonte për të gjetur një punë të thjeshtë dhe një banesë sapo mbërrinin në SHBA.

Në 1962, puna e tij mori një drejtim tjetër kur u takua me Fred Stein, që i foli për organizatën e quajtur Qytetarët e Shqetësuar për Hebrejtë Sovietikë.

Ideja ishte për të ndihmuar të ashtuquajturit “refuznikë”, hebrenj të cilët donin të emigronin nga Bashkimi Sovietik dhe për këtë arsye pushoheshin nga puna e diskriminoheshin. Nga vitet 60 deri vonë në ato 1980, mijëra syresh arritën të zhvendosen në SHBA ose në Izrael me ndërmjetësimin e këtyre organizatave.

Me inkurajimin e Fred Stein-it, Paul ndihmoi në koordinimin e punës së HIAS me organizatën që sillte hebrejtë nga BRSS. Mes atyre që u mundua të shpëtonte ishte edhe motra e Norman Gershmanit që jetonte në Moskë, ndonëse e gjithë familja ishte zhvendosur në SHBA. Paul madje udhëtoi për në Moskë për ta takuar vetë motrën e shokut të tij.

Me veprimtarive të tjera të njohura, Paul ka mbështetur rregullisht nismat humanitare “Seeing Eye”, “K-9 Companions” etj.

Një ngjarje që tregohet shpesh është kur Paul Bernstein kishte fituar një rol si personazh kalimtar, pa zë, në filmin që do të bëhej i famshëm, “Serendipity”. Ai sapo kishte dhuruar 600,000 dollarë, në vitin 1989, për organizatën humanitare Fëmijët e Çernobilit dhe për ta falenderuar i kishin bërë dhuratë një rol në film.

Skena ku do të dilte u filmua përpara Hotelit të famshëm Piazza në Manhattan, të cilin Paul e frekuentonte shpesh. Ishte një skenë e thjeshtë. Paul duhej të ecte për pak sekonda në trotuarin para hotelit me aktorin kryesor të filmit John Cusack.

Ndërsa filloi të ecte para kamerave që po e filmonin, dikush që e njihte e thirri: “Hey Paul, si dreqin je?”.

“Ti si dreqin je?” ia ktheu Paul.

Skena u desh të filmohej 5-6 herë se vazhdimisht ndërpritej nga njerëz që kalonin dhe që i bërtisnin “Hey Paul, si dreqin je?!” (Fjalët konkrete janë zbutur pak për këtë shkrim se nuk janë për lexuesin e gazetës.)

Cusack më në fund e humbi toruan, u kthye nga ky “aktori pa emër” që duhej të ecte afër tij dhe i tha: “Ore kush dreqin je ti që të pyesin të gjithë se si dreqin je?” Paul u kthye dhe i tha: “Të gjithë këta mesa duket e dinë se kush dreqin jam, kështu që pyetja që duhet bërë është kush dreqin je ti”?

Është nga ato anekdotat që vazhdojnë e tregohen edhe 30 vjet pasi kanë ndodhur.

Një mirënjohje nga Presidenti Brooklyn-it , Eric Adams, për të nderuar “filantropinë e fuqishme” të Paul Bernstein dhe ndihmës së tij bujare për shumë organizata përfshi edhe Turit për Tolerancë.

Broshura e fundit e Turit për Tolerancë lavdëron si Paulin ashu edhe bashkëshorten e tij Peggy për bujarinë e treguar. TFT kthen autobusët në muzeume lëvizësë dhe i dërgon nëpër shkollat amerikane në mbarë vendit për t’u treguar nxënësve historinë e për t’i mbrujtur me tolerancë, dashurië për njerëzit, empati dhe ndërgjegjësim. Një autobus i tillë me suvenire nga koha e Holokaustit do të fillojë udhëtimin nëpër SHBA për të nxitur ndërgjegjësimin historik lidhur me antisemitizmin.

“Injoranca e brezave më të rinjt për tragjedi si ajo e Holokaustit është në themel të shumë të këqijave të ditëve tona”, thotë Paul Bernstein.

Në vitet 1990, ai iu bashkua fondacionit “Seeds for Peace” (Farat e Paqes) që kishte hapur kampe verore për fëmijët izraelitë e palestinezë, indianë e pakistanezë e kështu me radhë për t’i që ta njihnin njëri-tjetrin që fëmijë me shpresën se kur të rriteshin nuk do të bëheshin pjesë e konflikteve të sotme. Nëse do të vendosej paqja këta fëmijë do të ishin gati.

Një nga mirënjohjet që ka marrë prej “Seeds for Peace”, në nëntor 2008 e kavdëron Paul Bernstein për mbështetjen e pabesueshme dhe premtimin për të kontribuar vetë një shumë po aq të madhe sa do të mblidhte fondacioni nga të gjithë donatorët e tjerë. Me një akt të vetëm, Paul do ta dyfishonte shumën e mbledhur.

Ishte pikërisht nëpërmjet “Seeds for Peace” që Bernstein mblodhi dhe dhuroi fondet për librin dhe filmin “Besa”.

Një bisedë mes miqsh

Paul beson se zbulimi dhe promovimi i historisë së shpëtimit të hebrejve në Shqipëri dhe projektit “Besa” e kanë vënë Shqipërinë në hartën e botës. “Kjo është një histori e jashtëzakonshme e gjithë bota duhet ta mësojë”, thotë ai. Holokausti në fund të fundit duhet kujtuar jo vetëm si një histori njerëzish që shfarosen pa mëshirë nga kriminelë mizorë, po edhe si një histori guximi dhe humaniteti të madh të treguar nga ata që përballë tmerrit të paparë vendosën të bëjnë të kundërtën, të shpëtojnë të gjithë njerëzit që mund të shpëtonin.

“Sot, kur shohim që po rritet përsëri anti-semitizmi dhe mungesa e tolerancës”, thotë Paul, “ka akoma edhe më shumë rëndësi që bota ta dijë, ta kujtojë dhe ta nderojë atë që bënë shqiptarët. E të gjejë frymëzimin aty”.

Marrë nga: Illyria Press

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023