Si erdhën, u bënë shqiptarë e pastaj ikën hebrenjtë e Janinës

I dyti prej tre reportazheve mbi hebrenjtë e Janinës tregon krijimin e jetës hebraike tek ne, martesat e përziera, si u bënë hebrenjtë shqiptarë dhe domethënien e të qenit hebre këtu. Autor: Altin Raxhimi | BIRN | Rrugica e hebrenjve, Vlorë

Rrugica që sot quhet “rruga e hebrejve” në Vlorë. Shtatë familje hebreje u zhvendosën për të jetuar aty gjatë komunizmit | Foto nga : Altin Raxhimi


Nga Altin Raxhimi, BIRN/REPORTER.AL

Isak Jakoelit s’iu desh shumë kohë atë fund viti 1945 të ndante mendjen. Do linte Janinën dhe do shkonte në Shqipëri.

I sapokthyer nga veriu i Evropës, ai e gjeti qytetin e tij të lindjes të rrënuar dhe të mbushur me refugjatë nga lufta civile përqark. Lagjet hebreje, Kastroja dhe shtëpitë që dilnin prej saj, ishin shkatërruar.

“Të paktën shih mos më ka mbetur ndonjë rrobë dimri,” i tha atij që i kish zënë shtëpinë. “Është shumë ftohtë.” Ky hyri brenda dhe doli me një thes. Jakoeli e hapi, pa ç’kishte në të dhe u err. Ishin rroba të fëmijëve që i kish humbur në Aushvic.

Isak Jakoeli ishte një prej 1870 hebrenjve të Janinës që u grumbulluan dhe u çuan për Aushvic nga gjermanët më 25 mars 1944, dhe njëri prej 112 të mbijetuarve.

Në rrugën e kthimit, ai kishte hasur Fortuneta Vitulin në kampet e refugjatëve të Kryqit të Kuq në Belgjikë, dhe e kishin bërë rrugën bashkë deri në Janinë. Prej Gjirokastre, para lufte ajo ishte martuar në Prevezë. Edhe asaj, të shoqin ja kishte marrë Holokausti. Të dy, pa ditur për njëri-tjetrin, e ndanë mendjen. Njerëz të tyret kishin vetëm në Shqipëri. Kushërinjtë e tij të parë Jakoelë në Vlorë, të cilët kishin biznes të madh importi basmesh nuk ishin prekur; familja e saj Vituli punonte për Jakoelët në Gjirokastër. Do shkonin tek ata.

Isakun nuk e linin të hynte nga Kakavia—ishte shtetas grek—ndaj iu ngjit malit t’u fshihej ushtarëve, dikush prej të cilëve i qëlloi me armë. Ajo vajti direkt në postë. U tha: “Kam njerëzit e mi në Gjirokastër,” dhe e lanë të hynte.

Pak javë më vonë, në shkurt të 1946-ës, familja hebreje janjiote e Marko Batinos, e cila banonte prej dy brezash në Gjirokastër, por me shtetësi greke u nxor nga shtëpia dhe u përzu nga Shqipëria. Marko bashkë me të shoqen dhe djalin, Josefin apo Pepon 16-vjeçar me çantën me libra shqip, koleksionin e pullave dhe me fizarmonikë në krah. Vëllezërit të tjerë Batino ishin vendosur në Durrës dhe Tiranë dhe kishin shtetësi shqiptare. I madhi, Haimi, u burgos ashtu si tregëtarët e tjerë të cilëve ju sekuestrua pasuria.

Në kufi, rojet shqiptare ia morën librat. “Andej nga do vesh, s’do kesh nevojë për këto.” Ia morën dhe pullat, të cilat Pepoja i kishte mbledhur nga korrespondenca që mbante i ati në dyqan në Gjirokastër. Biles donin t’ia çanin edhe fizarmonikën se mos kishin fshehur florinj. Por Pepoja u qau aq sa iu dhimbs dhe fizarmonikën ja dhanë mbrapsht.

“Lanë të gjithë familjen dhe ç’kishin në Shqipëri,” thotë Pepo Jakoeli, nip i Markos dhe njëri nga fëmijët e Isak Jakoelit dhe Fortuneta Vitulit. “Me Janinën s’i lidhte asgjë.”

Shqipëria kishte një komunitet hebrenjsh me origjinë nga Janina prej rreth 200 vetësh, i cili mbeti i paprekur nga lufta. Të përqëndruar kryesisht në Vlorë, por dhe në Gjirokastër dhe Delvinë, dikur nga vitet tridhjetë ata kishin nisur të vendoseshin edhe në pjesë të tjera të vendit.

Είσοδος (Isodos) apo hyrja

Në një Bildungsroman mbi një familje të stepave të Kanadasë, shkrimtarja Carol Shields prezanton një personazh misterioz hebre, Abraham Gozhdë Skutarin, i cili kishte emigruar atje nga Prizreni, ku pati shitur çikërrima derë më derë me trajse mbi shpinë. Por ata që nisën të ndërtonin komunitetin në Shqipëri “me basme mbi mushka e në tezga,” siç ma përshkruan Nesim Koheni, nuk ishin nga sefardinjtë që lëviznin ato kohë përqark Shkupit e Prizrenit. Ishin janjiotët—një komunitet i veçantë hebrenjsh që flisnin vetëm greqisht—që zunë të vendoseshin në jug të Shqipërisë nën Pashallëkun e Janinës diku nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Për herë të parë një datë përmendet në një dokument të gjendjes civile të Vlorës. Mateo Matathia lindi aty në 1877-ën, që parardhësi i tij, Itzhaku, apo barba Cakoja, të jetë endur në ato zona para kësaj kohe. Me barba Cakon—i cili, pasi i vdiq e shoqja vente të pinte nga Vlora në Tragjas të shuante dhimbjen—e sidomos pasardhës të tij, Markon, që i ngjau në mënyrën si mbante zi, ky në fakt për të ëmën që e kish lënë herët, Moisiun, që ishte shumë besimtar, apo Mateon, që la më shumë nga çdo hebre tjetër gjurmë në Vlorë, ata nisën e u bënë fisi më i madh hebre i Shqipërisë. Varri i barba Cakos gjendet dhe sot në Tragjas.

Të vjetër në Vlorë ishin Kantozët dhe në tetëqindenëntëdhjetat filluan të vinin dhe të tjerë. Solomonajt, Ganinjtë e Saretat. Dikur u vendos aty dhe Rafael Jakoeli, që pat lënë vëllezërit në Janinë. Nesim Levi, i cili, më thotë Zino Matathia, i pat sjellë anije me armë Ismail Qemalit në 1912-in. Vendoseshin ku të gjenin shtëpi, përqark xhamisë Muradije a në Evrenoz, tutje andej nga Skela; apo si Kantozët, aty ku tani janë shkallët që të çojnë në Varrezat e Dëshmorëve.

Vlora, si Janina, ishte e sigurtë, por malet ishin gjë tjetër. Këngët tona për Janinën shprehnin ankth prej pritave të kusarëve dhe malet gëlonin nga brigandë shqiptarë, grekë e turq, por djemtë hebrenj iknin prej familjesh në skamje për të bërë katandi e për t’u martuar. Legjendat e do që në një nga këto rrugë, nusen që sollën prej Janine ua rrëmbyen lebërit, e prandaj rabini i pat mallkuar ata që vazhdonin të rrinin në Vlorë. Më vonë, sa herë u shkonin punët keq, “na ka zënë mallkimi i rabinit” thoshin.

Është e vështirë të imagjinosh Vlorën e atëhershme tani që qyteti shtrihet mbi dhjetë kilometra nga kodrat në jug të kriporeve të Nartës deri në det; por në fillim të shekullit të kaluar, qyteti kishte vetëm disa lagje të vogla nën kodrën e Kus-Babasë katër kilometra larg portit, Skelës. Këto të dyja lidheshin bashkë me kalldrëm të bërë me gurët e fortesës së vjetër osmane të qytetit. Qyteti vetë kishte shtëpitë e bejlerëve të zonës, Vlorajve, dhe ca shtëpi të tjera osmane, xhamitë, ndonjë kishë, dhe pazarin. Dikur pas shekullit të njëzetë, qyteti vetë u zgjerua e sistemua me shtëpi e rrugë të një stili më italian, pjesë e cila dhe sot është thesari i pazbuluar i tij.

Pazarit i “sollën zanatet që kishin nga Janina,” thotë Nesim Koheni. U morën me ç’mundën. Solomonajt ishin këpucarë. Ndër Solomonaj dhe Sareta kishte dhe rrobaqepës. Kishte ngjyrues pëlhurash mes tyre. “Negrinët,” të cilët erdhën më vonë, “ishin kasapë. Por më shumë me metrazhe u morën.”

Jetë hebraike

Me fundin e Luftës së Parë, kusarisë këtyre anëve i erdhi fundi. Kantozët, të cilëve u eci puna me cohërat që sillnin nga Stambolli, u bënë më të pasurit e komunitetit hebre të Vlorës. Ata patën dhe personazhin më interesant që mund të ketë nxjerrë ai komunitet, Josefin. Plëngprishës apo kapedan, si të duash quaje, ishte i paparë.

Siç e ka shkruar dhe Jakov Solomoni dhe siç e tregojnë dhe të tjerë, kur shkoi me të atin të gjente nuse në Janinë, Josef Kantozi i pat vënë syrin njërës, por pastaj, kur ia sollën në shtëpi, pa që i kishin sjellë motrën tjetër, të shëmtuarën. U bë vrer. U dha pas pijes dhe aventurës. Me shqiptarët e tjerë luftoi në Vlorë kundër italianëve; gjatë përmbysjes së Fan Nolit u bë funksionar policie. Por legjendar u bë shtëpive të qejfit të Barit, ku kishte namin se i vinte flakën parave për t’u ndezur femrave cigaren. Atje ia patën vënë dhe emrin Il conte d’Albania. Në një sherr me italianë zbrazi revolverin në mes të lokalit. Sipas një varianti, ç’kishin vënë pasuri Kantozët, e shkrinë me avokatë për ta nxjerrë shpejt nga burgu.

Konti i Shqipërisë vdiq vite pas lufte, i vetëm, në një azil pleqsh në Vlorë.

“Aman, shyqyr që doli njëri tamam,” thotë me të qeshur Geri Kureta, nip Matathiajsh. “Se merr laps, mprif laps u kishte dalë nami.”

Në gjendje ishte edhe Mateo Matathia, i cili e shkriu pasurinë për të ndërtuar dy nga shtëpitë më mira në Vlorë dhe ishte shumë aktiv në jetën e qytetit. Njërën prej atyre shtëpive, një vilë tre-katëshe me atrium të madh e nga të paktat në Shqipëri ku dritaret imitonin ato gotike veneciane, kur ja morën gjatë komunizmit, e kthyen herë në komitet partie, herë në komitet ekzekutiv, herë në bibliotekë.

Foto e Sarika Negrin-Solomonit, e lindur në Janinë dhe e martuar në Vlorë, pak para martesës viteve 30

Por kur Rafael Jakoeli, të cilin Jakov Solomoni e kujton të bënte gjimnastikë në ballkonin e shtëpisë, dhe Pepe Levi, i cili kishte një sirtar me cigare që i pinte papushim, sipas Nineta Batinos, vendosën të bashkonin forcat dhe të merrnin në dorë tregëtinë me shumicë të stofrave nga Italia dhe Anglia viteve tridhjetë, ata arritën majat në komunitet dhe në vend. Sollën nga Janina në Gjirokastër Vitulët që t’u shisnin mallin. Në Durrës, kishin marrë Batinot prej Gjirokastre. Patën sjellë madje dhe një sionist nga Selaniku, një sefardi që fliste ladino dhe greqisht, t’u jepte një dorë. Dikur nga fundi i viteve tridhjetë, Isak Koheni kërkoi dhe leje për një sinagogë në Durrës dhe bëri krushqi me janjiotët e Shqipërisë. Nipi i tij, Zino Matathia, tregon një letër falënderimi hebrenjsh francezë të nisur për Palestinë të cilëve ky u pati dhënë një dorë ato kohë.

Viteve tridhjetë kishte jetë hebraike në Vlorë. Gratë dilnin shëtitje bashkë të premteve në të ngrysur, si fillonte shabati, e shtuna hebreje. Burrat e kishin kaluar me kohë minianin, numrin e duhur, dhjetë, për t’u mbledhur në shtëpi të njeri-tjetrit për lutje, me shallin, tefillinin, rreth qafës. Më shpesh venin tek shtëpia e Mateo Matathisë, ku ai kish lëshuar një gjysëm kati për lutjet. Kishte nga ata që këndonin mirë dhe bënin hazanin për lutje apo varrime. Kishin marrë një copë tokë për varrezë afër atyre të krishtere.

Tek shtëpia e Mateo Matathisë mblidheshin dhe kalamajtë për të parë Mickey Mouse-in me projektor, tregon Josef Kureta, nipi i Marko Matathisë. Në shtëpi flisnin greqisht, jashtë saj shqip. Kishte nga ata që dinin dhe hebraisht—të nxënë në shkollat e Aleancës Izraelite në Janinë a Korfuz.

Mohelin që bënte foshnjet synet e sillnin nga Janina, por kur lindi Isak Matathia në 1946-ën, për arsye që merren me mend, gjyshi i tij vajti dhe ia kërkoi hoxhës si nder.

Kështu, para Luftës së Dytë Botërore, Shqipëra kishte Levinjtë e vet, Matathi e Solomonë.

Shqipëria kishte dhe Kohenë të sajët, madje prej po aq kohe sa kish patur Matathi. Në Delvinë ishte vendosur Shemo Koheni nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe Solomon Jomtovi ndonjë dhjetëvjeçar më parë dhe të dyve u pat ecur puna. Me rënien nga rëndësia të atij qyteti, i cili mbeti si xhep mes Gjirokastrës dhe Sarandës, të dy e përdornin këtë të fundit si port. Veç basmeve që merrnin në Itali, dyqanet i mbanin dingas me lloj-lloj gjëje. Kam dëgjuar si një plakë delvinjiote e vitlindjes 1920, e cila kur ankohej nga fundi i komunizmit për dyqanet që ishin bosh, thoshte se dikur “Τι δεν είχε ο εβραίος!” “Ç’nuk gjeje tek hebreu!”

Tre familjet janjiote të vendosura në Gjirokastër rrinin afër njëra-tjetrës në Varosh. Në shtëpinë që Batinot kishin marrë me qera mbanin dhe shërbyes. “Shqiptarët ishin të mbyllur, por visheshin mirë,” kujtonte e shoqja e Marko Batinos, atij që në shkurt të 1946-ës e patën përzënë për në Greqi. Batinot merrnin pjesë në ceremonitë që bënte bashkia, bile një herë shkuan edhe në një ballo të Zogut. Por për Festat e Mëdha hebraike, ktheheshin në Janinë dhe paratë u dilnin të shkonin për llixha në jug të Greqisë. Dikur, tre prej katër vëllezërve Batino u vendosën në Durrës dhe punonin për Levi-Jakoelët dhe dyqanin e familjes në Gjirokastër e mbante Markoja.

Kasaphana

Kur në vend erdhën italianët, hebrenjtë që kishin banuar në Kosovë dhe ata që patën kaluar nga Jugosllavia e pushtuar nga gjermanët, sefardinj kryesisht, i patën mbledhur në Kavajë dhe Berat. Ndër to dy Kantozë morën nuset.

Por kur hynë gjermanët në vjeshtën e 1943-it—sipas të gjithë hebrenjve shqiptarë me të cilët fola—Rafo Jakoeli dhe Pepe Levi organizuan komunitetin të mblidhte para që t’ia jepnin prefektit të Vlorës si ryshfet për t’i mbrojtur. “Vetëm po të na marrin ne, do ju marrin edhe juve,” u tha Vizhdan Risilia. Ec e beso Risilinë. Pas lufte, në 1946-ën, u gjend i vrarë në Romë dhe kush e bëri s’dihet.

Filluan të fshiheshin nëpër zonat e thella përreth qyteteve ku rrinin, nëpër malet e Krujës e mbrapa Dajtit, fshatra të Vlorës apo në malet pranë kufirit grek. Kunati i Shemo Kohenit, Davidi, kërkoi të bëhej mysliman. Pati dhe ndonjë që s’lëvizi nga Vlora dhe s’i ndodhi gjë.

Pak kohë para se gjermanët t’i mblidhnin hebrenjtë e Janinës, dy familje të atjeshme me lidhje me Shqipërinë u arratisën nga Janina për këtej. Një vëlla i Rafaelit, Elioja, me të shoqen dhe tre djemtë, njëri prej të cilëve ishte Solomoni nëntëvjeçar, u nisën në fillim të marsit nga një rrugë që i ra Shqipërisë përqark—Gjirokastër, Përmet, Korçë, Tiranë, për të shkuar tek i vëllai në Vlorë. Në të njëjtën kohë, mbërritën dhe një pjesë e një familjeje tjetër, e Negrinëve, që kishin bërë krushqi në Vlorë dhe disa prej të cilëve jetonin aty prej disa vitesh.

Është mister pse s’i mblodhën hebrenjtë e Shqipërisë nazistët. Shpjegimet foklorike nuk kanë munguar. Ka dhe dëshmi se politikanët nacionalistë, të cilët bashkëpunonin me gjermanët, u shmangeshin dorëzimit të listave. Kishin shumë miq johebrenj që i strehuan dhe i fshehën. Ishte fakt se shqiptarët, si pjesa më e madhe e Ballkanit osman, nuk kishin pasur histeri antisemite (Bullgaria, aleatja tjetër e nazistëve, nuk la të prekeshin asnjë nga hebrenjtë e saj, por ata u dhanë një dorë gjermanëve në shfarosjen e hebrenjve të Selanikut). Por disa historianë, ashtu si dhe hebrenjtë me të cilët kam folur, flasin edhe për rrethana të tjera. Pushtimi gjerman ishte më sipërfaqësor se në Greqi. Mbase ishte edhe numri i paktë i komunitetit. Megjithëse dhjetëfish më shumë se para lufte bashkë me të gjithë ata që erdhën në Shqipëri prej vendesh të tjera, hebrenj këtu kishte aq sa kishte pasur kalaja me rrethina në Janinë kur i zunë gjermanët.

Vendi më i mbyllur në botë

Kur mbërriti në Shqipëri nga Aushvici në fund të 1945-ës, Isak Jakoeli vajti drejt e tek djali i xhaxhait të tij, Rafaeli, dhe i tha “Në Janinë s’kam ç’bëj.” Rafaeli, që kishte zgjeruar tregëtinë në Durrës e Tiranë, i pat thënë: “Rri këtu, këtu do ecë mirë puna”. I biri i Rafaelit ishte bashkuar me lëvizjen antifashiste.

S’kaluan pak muaj dhe komunistët ua sekuestruan pasurinë Jakoelëve dhe Rafaelin e detyruan të tregonte ku kishte fshehur florinjtë me pushkë në kokë në një pyll. I futën dhe burg, si qindra tregëtarë të tjerë prej të cilëve, brezi i ri që po merrte pushtetin donte të merrte të ardhurat që të ndërtonte shtetin e tij, dhe sidomos, t’u tregonte se kush e kishte tani vendin në dorë.

Pepe Levit vështirë t’i gjenin gjë, sepse e pati ndarë mendjen të mos tregonte. Natën i bënin presion në Vlorë një Josef Matathisë, dikur llogaritar tek ta, që të tregonte florinjtë e Pepes. Një herë, dy herë, tre herë, pastaj, Josefi, i cili s’mbahej si trim i madh, u tha: “E nga ta di unë ku i mban florinjtë Pepja? Futjani nja dy grushta Pepes dhe i tregon vetë ai ku i ka!”

Megjithatë, hebrenjtë nuk vuajtën më shumë se pjesa tjetër e shqiptarëve, thotë Shemo Solomoni. “Vetëm një, ja, kushëriri i parë i nënës sime, e futën në burg se donte të shkonte në Izrael.” Shemo Kohenit të Delvinës ja patën marrë dyqanin, depot dhe shtëpitë në Delvinë dhe Sarandë, ndaj u zhvendos me gjithë familje në Vlorë. I biri, maturant në normalen e Elbasanit, “tani që ia kishin marrë të gjitha,” siç tregon Nesim Koheni, u nis për në jug për t’u arratisur e vajtur në Izrael. Aty e zunë dhe e futën pesë vjet në burg. Që atëherë, Pepe Koheni e humbi interesin për gjërat e veta. Sa doli nga burgu, shkoi tek familja në Vlorë dhe u martua në komunitet. Në degë, kur pyetën nga familja e nuses se mos do kishin pasoja prej kësaj, u thanë: “Dënimin e ka kryer.”

Të gjithë i përfshiu shpresa për të vajtur në Izrael ato kohë. Bënë gati valixhet. Fillimisht, shpresonin të dilnin nga Jugosllavia dhe u hap fjala se do vinte vapor t’i merrte, por Enver Hoxha u prish me Titon. Historiani shqiptar Edmond Malaj shkruan se si i pajisi me viza daljeje ambasadori i Izraelit në Bashkimin Sovjetik. I çuan dhe peticion qeverisë për t’i lënë të iknin. Por Enver Hoxha deklaronte se s’kishin pasur kërkesa, më thotë Zino Matathia, kirurgu i vjetër. “E, kush guxonte!”

Nëpër dhëmbë, ca thoshin se i kishte zënë mallkimi i rabinit të Janinës. Ia vinin fajin Sarika Matathisë, të cilën kur e çoi i ati të punonte në rrobaqepësinë e një italiani në qytet para lufte, e zuri qymyri me një rrobaqepës johebre. Komuniteti vloi, se ai s’ishte as vlonjat, ishte nga fshatrat e Përmetit. Tani që filluan të përziheshin, do quheshin shqiptarë. Ja, Sarika e para.

Megjithëse martesa e saj ra si bombë ndër hebrenj, Sarika s’ishte e para. Dhjetë vjet para saj, një mjek tridhjetenëntë vjeçar ishte kthyer nga Aleksandria e Egjiptit pasi i pat vdekur i ati për t’u kujdesur për nënën dhe motrat. Në spitalin e Korfuzit, Jani Meloja i pati vënë syrin Viktori Jomtovit 25-vjeçare nga Delvina që kujdesej për të motrën në pavionin e lindjes. Aty për aty, i çoi një trëndafil të kuq. Kjo e hodhi nga penxherja e spitalit. Si fillim. Pas tre muajsh, kur i ati e nisi Viktorinë në Athinë për t’i gjetur burrë hebre, Meloja vajti dhe e rrëmbeu. U fshehën në Korfuz të dy derisa u qetësuan gjakrat.

Me lidhjen e këtyre vajzave me të krishterë, për ca kohë, Matathitë e Jomtovët, u vunë perde të zeza dritareve. “Kështu ishin familjet atëhere, ca më të hapura e ca më të mbyllura,” thotë Josif Kureta, djali i Ndreko Kuretës dhe Sarikës, një inxhinier ndërtimi shtatëdhjetegjashtë vjeçar të cilin e takova këtë shtator në Tiranë.

Jo vetëm hebrenjtë e vuanin. E ëma e Melos u lutej ikonave me të cilat kishte mbushur shtëpinë që djali t’i ndërronte mendje.

“Pastaj, bam ia bëri babai im,” thotë Rashela Matathia-Sollaku, një inxhiniere kimiste që sot banon në Lushnje, vajza e Xhonit, mbesa e Mateos që kishte shtëpitë e mëdha në Vlorë. Ky i rrëmbeu vajzën një tregëtari ortodoks nga Berati (donte vetë ajo!). Matathiajt tani ja kishin marrë dorën, por nga vitet gjashtëdhjetë e tutje, martesat e përziera u bënë rregull. Kështu mori i biri i Rafael Jakoelit të shoqen Kolekë, Klara vajzë Priftësh dhe mbesë Vitulësh u bë nuse Shabanajsh, motra e saj hyri nuse në familjen katolike Sopi, shumë hebrenj të tjerë që martoheshin me vajza dhe djem johebrenj, “edhe sepse në Janinë nuk veje dot dhe i binte të martoheshe me kushërirën e parë.”

Për arësye të ndryshme, në të njejtën kohë komuniteti janjiot, qoftë në Shqipëri, qoftë në Greqi e qoftë në Amerikë, filloi të martohej shpesh jashtë grupi. “Në Amerikë ndodhi si ndër të tjerë, mbas 68-ës,” thotë Isaak Dostis, janjioti amerikan me baba të lindur në Vlorë. E shoqja është bijë e një pastori presbiterian. Doktor Moses Elisafi, drejtuesi i Komunitetit të Janinës, e ka gruan të krishterë. Në Greqi gjysma martoheshin jashtë grupi, thotë Annette Bacolas Fromm, një studiuese e atij komuniteti.

Disa kokrra hebrenjsh u lejuan të linin Shqipërinë viteve gjashtëdhjetë. Isak Koheni, sionisti nga Selaniku që Levi-Jakoelët e morën në punë në Durrës para lufte, arriti të nxirrte lejen për Greqi. U la të ikte dhe Aneta Negrini, e cila pati jetuar ndër Solomonaj në Vlorë, ku pati martuar vajzat. Të dy vazhduan më tej për Izrael tek djemtë të cilët lufta i pat zënë jashtë Shqipërie. Doli dhe David Koheni, kunati i Shemo Kohen delvinjiotit. I shkathët, ai arriti të nxirrte leje shëndetësore për vete, gruan dhe fëmijët dhe pas pak vitesh, lëvizi nga Janina në Brooklyn të Nju Jorkut dhe iu bashkua komunitetit të madh janjiot që jetonte atje prej fillimit të shekullit.

Pjesa tjetër u futën në rrugën e të bërit shqiptarë.

Rrugica e çifutërve

Janjiotët, të cilët në Shqipëri nuk ishin bërë asnjë herë një lagje, tani i vunë në një rrugicë në Vlorë. Dikur nga vitet pesëdhjetë, Ndreko Kuretën dhe vjehrrin e tij Marko Matathinë i patën nxjerrë nga shtëpia dhe i dhanë dy hyrje të sajuara në një hangar mbrapa Sahatit në qytet të vjetër, në Muradije. Më pas aty u vendosën dy familjet hebreje të Delvinës, Kohenët dhe Jomtovët, dhe Saretat, të cilët ishin nga shumë familjet hebreje të varfëra të qytetit.

“Baraka,” kujton Josif Kureta. “Tavanet mbanin ende tërshërë dhe bënin kërr-kërr nga minjtë.” Dikur, për t’i rregulluar pak, komunalja u vuri suva dhe u shtroi kanalizimet dhe rrugët. Në një kanal, natën, ngeli Reveka, e ëma e Dola Saretës, fizarmonicistit. Reveka kishte namin se rrinte me sapun në xhep, kujton Jakov Solomoni. Sa i jepje dorën, shkonte dhe e lante të sajën në lavaman. I prekje një çentro kur i veje për vizitë, e hidhte në kazan të rrobave. Kjo e bëri të jetonte gjatë e të mos sëmurej kurrë. Por një natë seç i hipi të shkonte të vizitonte të bijat, dhe kur u kthye ra në gropën që kish hapur komunalja dhe dha shpirt pak ditë më vonë.

Përballë në atë rrugicë ku me zor kalon makina kishin një trekatëshe që kish shërbyer si rrobaqepësi. “Aty vunë ca evgjitër që ishin dhe ata pa shtëpi,” thotë Nesim Koheni, “dhe pastaj, ashtu na quanin neve, rruga Izrael-Palestinë.”

Pastaj, kalamajtë rrugeçër u gjuanin me gur dritareve, jo vetëm në rrugicë por dhe në shtëpi të tjera hebrenjsh në Vlorën e vjetër, sidomos në periudhë krishtlindjesh. “Dilnim jashtë, nuk shihnim njeri,” thotë Solomoni. U thërrisnin çifut.

Në do t’u ngresh kacabunjtë hebrenjve shqiptarë, siç e provoi padashje Sali Berisha në fillim të viteve nëntëdhjetë në Tel Aviv (gafë që e kam bërë dhe unë vetë), thërriti çifutë. “Gjithë jetën na kanë quajtur çifutë, nga ti nuk e prisnim, dhe këtu në Izrael,” i patën thënë Berishës. Nesim Kohenit, kur shkuan me karrocë nga fabrika e të atit në kampin në det, i tha karrocieri të zbriste një vajzë që kishte frikë. Karrocieri i tha ta tërhiqte, por ajo bërtiti. “Ku kujton se je ti këtu, çifut i mutit,” kujton t’i ketë thënë sekretari i partisë së ndërmarrjes, që kaloi aty dhe e pa. “Ku kujton se je këtu ti, çifut i mutit? Në Izrael?”

“Ne dhe çemërit nuk na donin në Vlorë ato kohë,” më thotë Josif Kureta, djali i Sarika Matathisë.

Vazhdon Nesim Koheni: “Kur u rrita, s’guxonte të ma thoshte njeri se hante grushtin. Isha hebre, isha dhe vlonjat. Por atëherë më vrau fort.”

Shiheshin ndryshe. Zhaneta Jakoeli, e cila pati jetuar në rrugën Justin Godard, dyqind metra larg rrugicës, thotë: “Edhe për flirte kalamajsh në gjimnaz, të luanim që t’i bënim përshtypje një djali, na shihnin shtrembër.” Kam dëgjuar dhe shakara të egra kalamajsh ndaj kalamajve hebrenj. Me gjermanë.

Maqi Jakoel, familja e së cilit u arratis nga Janina në 1944-ën, kujton me mall Shqipërinë, qoftë kjo Vlora apo Bulqiza | Foto nga : Altin Raxhimi

Nuk ndodhte gjithmonë, e as në përgjithësi kështu. T’i thuash David Kantozit se mund të kishte pasur antisemitizëm në Shqipëri, gati sa s’të përvishet dhe shyqyr që e ke një Skype larg. As vetë nuk e ka hasur si fëmijë në Shkodër, as si i ri në Tiranë, e as familja e rrethi i tij. Të gjithë kishin miq e shokë ndër shqiptarë të tjerë, shumica ishin martuar me shqiptarë të tjerë. Me dorë në zemër, Solomon Jakoeli është i pari njeri që njoh që kujton me mall Bulqizën, ku kishte punuar ca vite si inxhinier. Kam folur me bukëpjekësin Agim Skënderaj në Muradije të Vlorës i cili është shok i ngushtë me Fito Negrinin dhe me të ndau gjithë hallet e jetës si në qytet, ashtu dhe në emigracion tani vonë. Dhe shumë të tjerë.

Viktor Batino, i cili u lind dhe u rrit në Tiranë, thotë se trajtimi dallonte nga njeriu—kalamajtë e pashkollë qëllonte dhe ta shanin, por shokët e shoqet në gjimnaz dhe sidomos në universitet, e shihnin me admirim si ‘racë e zgjuar.’

Shqiptarë si të tjerët

Pas luftës së dytë, Tirana u bë vendi ku mblidheshin janjiotët, ashtu si hebrenjtë e tjerë, nga Vlora apo nga Gjirokastra. Një pjesë e mirë zunë punë administrate. Shumë ishin llogaritarë. Inxhinierë. Zino Matathia u bë nga kirurgët më të mirë në vend, por kushëriri i tij, Zakinua, ishte varrmihës në Vlorë. Pepe Kantozi, i cili pati qenë partizan, u bë ushtarak i lartë, dhe shpëtoi nga spastrimet e viteve 70 sepse u lirua para kohe nga ushtria. I vëllai ishte funksionar i lartë në Albturizëm. Mjaft prej tyre jetonin në qytete të tjera. Shkodër, Bulqizë, Kavajë. Haim Batinoja nuk punonte në shtet kur doli nga burgu, por hidhte në makinën e tij të shkrimit Olivetti dorëshkrimet e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori.” Batinoja mbante dhe kuvende lutjeje në shtëpinë e tij në Rrugën Fortuzi, e më pas, tek apartamenti që mori tek “21 Dhjetori.”

Por vetëm të vjetrit si Haimi, sidomos pas sulmit ndaj fesë në 1967-ën, i ruanin ende zakonet. Në shtëpi flisnin greqisht. Fëmijë i vogël, Morris Batino habitej si i gjente gjyshi faqet e librave me shkronja të çuditshme të cilët i shkartiste për ta ngatërruar. Markoja, vëllai i Haimit që kish mbetur në Janinë, u çonte letra të koduara nga Janina për t’u dhënë datat e festave, të cilat s’lidheshin me kalendarin tone julian. “Më datë 22 prill djali do jetë në Athinë për vizitë,” i niste letër ai që nga janari, dhe në Tiranë e merrnin vesh se atë ditë binte pashka hebreje. Ndër Ganinj, për shabat, gjyshja i thoshte nipit të ndizte e fikte dritat, gjë që feja ua ndalonte. Ndër Sareta s’kishte më hazanë, por fizarmonicistë dhe kitaristë.

Janina, qyteti provincial i qetësuar e i begatuar kur trazirat në Greqi mbaruan nga fundi i viteve shtatëdhjetë, u kthye në vend mitik letrash të rralla nga ndonjë kushëri. Paralufta u bë locus amenusi begatisë, siç u bë Amerika ëndrra nga televizori.

Paralufta ishte koha kur Shemo Koheni pati ngritur punën në Delvinë nga tezga në një magazinë të madhe. “Shtëpinë ia zunë gjermanët gjatë luftës,” më thotë Nesimi, i nipi. “Ata nuk e dinin që ai kishte fshehur florinj në mure. Kur i vunë dinamitin gjermanët për të djegur dokumentat tani që largoheshin, nga muret fluturonin florinj.

“Ca i morën komshinjtë, ca ia kthyen.”

Eksodi ose Dalja

Dikur nga vitet tetëdhjetë filluan t’i linin të dilnin, tek-tuk, për vizita në Janinë ose Tiranë. Djali i Marko Batinos nga Janina, i cili u pat përzënë nga Shqipëria në 1946-ën bashkë me fizarmonikë, gjeti një sebeb dhe hyri në Shqipëri. Takoi pesëdhjetë e një xhaxhallarë e kushërinj. Pastaj i erdhi një xhaxha nga Tirana në Janinë. I veshur demode, mbesës së tij Zanet Batinut i dukej i çuditshëm dhe me greqishte gati antike që e kishte sjellë me vete nga Shqipëria.

Kjo ishte periudha kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë po ndreqeshin, koha kur nga Greqia socalisti Andrea Papandreu, po bënte përçapje të afronte vendin e tij me Shqipërinë e Enver Hoxhës; diktatori shqiptar, i cili po kalonte të shtatëdhjetat, e pati lejuar një gjë të tillë me pikatore.

Kur Zino Matathia pati qenë në një konferencë mjekësh në Janinë ato kohë, Pepo Batinoja iu afrua e i foli shqip, por ky i ndenji ftohtë. Thotë Matathia: “I rrija si larg. Kujtoja se mos ishte i Asfalisë,” shërbimit të fshehtë grek, i cili zinte majat në demonologjinë e Shqipërisë së Enver Hoxhës. “Kështu kujtonim ne atëherë, sikur Asfalia gjithë kohën merrej me ne.”

Dikur nga 1989-a, Solomon Jakoeli, i cili pati hyrë në Shqipëri me të atin për t’u shpëtuar gjermanëve në Janinë në 1944-ën, arriti të gjente vizë për spital në atë qytet. Zoi Solomoni, e lindur Kabelí, arriti gjithashtu të shkonte e të shihte ç’kishte ndodhur. Gjithë fisi ishte shfarosur, shtëpia e të atit ishte zënë me kohë. Vetëm një kushëri që ditën kur i mblodhën gjermanët hebrenjtë kishte qëlluar në Athinë, dhe ajo, martuar në Vlorë, kishin mbetur gjallë nga Kabelitë e Janinës.

Atë vit, komunistët e Shqipërisë po e kuptonin se shoqëria po u shkiste dhe tregonin shenja zbutjeje. Një kongresmen amerikan me origjinë hebre hungarez e pati folur vetë me Ramiz Alinë largimin e komunitetit nga vendi.

Anna Kohen, e bija e Davidit që punonte dentiste në Nju Jork, pati rënë në një klient që punonte në OKB dhe kishte qenë në Shqipëri. Kërko të vizitosh atë vend që të dhurosh ndonjë gjë, pati thënë ai. Anna Koheni vizitoi vendin verën tjetër. Solli pajisje për shkollën e stomatologjisë në Tiranë, ku pati bërë dy vjet, pastaj takoi kushërinjtë në Vlorë, të gjithë me mendje ngritur për të ikur. Fillimisht, menduan se po largoheshin të gjithë si komunitet janjiotësh me të për në Amerikë, por kjo ishte e pamundur.

Tre burra të moshuar luajnë shah në një nga hyrjet e braktisura nga hebrejtë në Vlorë | Foto nga : Altin Raxhimi

Vetëm tridhjetë e shtatë vetëve iu dha leja nga mesi i 1990-ës. Kohenët e Shqipërisë, me nipër e mbesa e kushërinj, “me kuç e me maç,” i hipën avionit, fillimisht në Romë, e pa gjashtë muajsh refugjatë politikë në Nju Jork. Anna me të atin dhe sinagoga e vjetër janjiote e Nju Jorkut u mblodhën t’i takonin. “Pashë aty pleq që e mbanin mend babain,” më thotë Elio Jakoeli, djali i Isakut që erdhi në Shqipëri nga Aushvici, e që kishte vdekur viteve gjashtëdhjetë.

Babai i Nesim Kohenit, ai që dikur bëri burgun se donte të arratisej për Izrael e pastaj kish shtyrë jetën nëpër punëra çfarëdo, sa zbriti nga avioni në aeroport, zuri të ulërinte, “Jam i lirë! Jam i lirë! Jam i lirë! Jam i lirë!” Pastaj u çlirua, më thotë Nesimi. Pastaj u qetësua, zuri të japë intervista. Shqipërisë i kishte vënë gur, pati thënë. Vdiq në Amerikë pa i shkuar ndonjë herë në mendje për t’u kthyer.

Disa familje, të cilët kishin ruajtur shtetësinë greke gjatë gjithë kësaj periudhe, ose kishin të afërm në Athinë, provuan Greqinë kur kufiri u hap. Por pjesa më e madhe po bëheshin gati të niseshin për Izrael, për të bërë alija-n, emigrimin që patën shpresuar prindërit e tyre pas Luftës së Dytë Botërore.

Atë mars 1991, Jakov Solomoni me gjithë fis në Vlorë bënë strategjinë për të marrë vizat greke, njëri nga grupet që bëheshin gati t’ia mbathnin, pak para se të bëheshin zgjedhjet e e para të lira në Shqipëri dhe priteshin trazira. Një zot e di si çau turmën dhe u mor me policët e ambasadës për të arritur deri në gardh. Ambasadori grek i atëhershëm i pati thënë: “Mirë që ikni, këtij vendi i ka rënë zjarri!” Mori vizat dhe u nis për Vlorë. Me lekët e apartamentit që shiti në lagjen Çole bleu biletat, dhe plaçkat e shtëpisë vajti dhe i la në Elbasan tek njerëzit e nuses. Bashkë me babanë, mori avionin për Athinë. E ëma kërkoi ta bënte rrugën me autobuz. “Dua të shoh dhe një herë Janinën,” u kish thënë. Do kërkonte dhe një herë shtëpinë ku ishte rritur në rrugën Kundurioti, mu jashtë kalasë. U mblodhën të gjithë në Athinë e pastaj në Tel Aviv me avion.

Kështu ngeli Shqipëria pa Levinjtë e Kohenët e vet, pa qindra kushërinj të tyre, e pa gjysëm milioni shqiptarë të tjerë, të uritur, të keqveshur, të dalë nga kafazi i anijeve, maleve, me ç’mënyrë tjetër që gjenin. Atë verë, Shqipëria mbeti vetëm me katër familje me prejardhje prej hebrenjve të Janinës. Një në Gjirokastër, një në Lushnjë, një në Krujë dhe një në Tiranë.

“Një pjesë e madhe s’do kishin ikur po të ishte mirë në Shqipëri,” më thotë Geri Kureta, i cili u largua bashkë me mbi 300 të tjerë—gra, burra, fëmijë e prindër—për në Izrael. “Imagjino, ikën nga sytë këmbët. Pas gjashtë muajsh, shtëpitë u privatizuan për hiç gjë, por ata i humbën. Mund të kishin ikur dhe më pas, por jo ashtu!”

Solomon Jakoeli s’shkonte dot në Amerikë, mund t’i kishte vajtur mendja të shkonte në Izrael, por me familje ngelën në Janinë, afër fëmijërisë së tij, dhe siç thotë e shoqja, Zhaneta Solomoni-Jakoel, qytetit të saj të lindjes, Vlorës. Në Janinë ai pati punuar përkthyes gjyqi ndërsa mjekët i kujdeseshin për zemrën, e cila i donte vëmendje. Ishin si ne janjiotët e Shqipërisë, por tani janë ndryshe, më thotë hebrenjtë e Janinës. Dallimin e kishin bërë pesëdhjetë vite komunizëm, thonë ata.

“Kështu më thërrasin kur mblidhet komuniteti hebre këtu në Janinë,” më thotë Zhaneta Jakoel. “Ja, erdhi kjo shqiptarja!”

***

Vladimir Karaj ndihmoi për kërkimet mbi këtë shkrim.


 

Origjina e komunitetit hebre në Shqipëri

Ashtu si Isak Jakoeli, shumica e komuniteti hebre në Shqipëri e ka origjinën nga Janina, trembëdhjetë familje dhe pasardhësit e tyre që zënë fill nga rrugicat e lagjes Kastro, të cilët në periudhën midis dy luftërave botërore, ndërtuan një komunitet të vogël zanatçinjsh dhe tregtarësh me qendër në Vlorë dhe hapën dyqane dhe tjetërkund.Ky komunitet i mbijetoi luftës dhe pushtimit nazist edhe se arsyet pse gjermanët nuk i mblodhën hebrenjtë shqiptare si gjetkë mbeten të paqarta. Pas luftës, si shumica e borgjezisë së vogël shqiptare, ata u shpronësuan nga regjimi komunist dhe me kalimin e viteve u integruan me martesa mikse me komunitete të tjera fetare.

Në vitet pesëdhjetë komuniteti i vogël i hebrenjve shqiptarë filloi të bënte përçapjet e para për tu larguar drejt Izraelit, po kjo e drejtë ju mohua nga ish diktatori Enver Hoxha. Nga fillimi i viteve 80’, me përmirësimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë një pjesë e tyre filluan të dilnin për vizita drejt Janinës.

Në mesin e vitit 1990, me ndihmën e komunitet e hebrenjve janinjotë në Amerikë dhe organizatave të tjera hebreje, shumica e tyre u larguan nga vendi, duke marrë me vete dhe historinë e tyre shqiptare të më shumë se një shekulli.


Nga fjala tek fyerja

Burimi fjalës çifut është hebraishtja Jehuda, ku e-ja lexohet ë në shqip, shkruan Victor Freedman, linguist i Universitetit të Chicagos dhe specialist i gjuhëve të Ballkanit. Jehuda ishte një nga djemtë e Jakovit dhe Leas në popullësinë antike hebreje.Është folur se kjo mund të burojë nga rrënja e fjalës JHD ‘Lavd’, por studiuesit dyshojnë në këtë interpretim.

Prej emrit të Jehudas mori emrin fisi i mbretërisë antike të jugut nën dinastinë e Davidit. Me shkatërrimin e mbretërisë së veriut, Efraimit apo Izraelit, Jehuda u bë i vetmi komb izraelit, dhe nga një emër që përdorte ai grup për veten, u bë emri me të cilin e quanin atë të tjerët.
Forma arabe është Jahudi, kurse ajo perse është Xhyhudi. Të dyja këto hynë në gjuhën turke si fjalë, por në disa dialekte turke xh-ja u bë ç dhe h-ja f, që ngjan edhe me se si i bën shqipja transformimet—nga shoh në shof. Ç-ja ndikon që y-ja të kthehet në i, dhe kjo të jep fjalën çifut, e cila është forma më e vjetër bisedore e turqishtes, të cilën turqit e sollën në Shqipëri, dhe të cilën e morën hua shqiptarët dhe të tjerët popuj të Ballkanit.

Por asosiacionet e ndyra të fjalës çifut, (koprac, kurnac, shpirtvogël, smirëzi) vijnë thjesht prej paragjykimeve ndaj hebrenjve. Njerëzit përdornin etnonimet ndaj hebrenjve kur donin të thonin kurnac. Në greqisht, forma është tsifutidhe gjen dhe grekë të arsimuar që mendojnë se kjo do të thotë thjesht kurnac dhe jo fyerje ndaj një populli.

Në anglisht, ka një folje gyp, që do të thotë ‘të mashtrosh’, dhe askush nuk e kupton se etimologjia e saj është fyerje per romët. Në Amerikën e paraluftës së dytë, folja Jew donte të thoshte të hyje në pazar me shitësin. Pas Luftës së dytë, të tilla shprehje të hapura antisemitizmi dolën nga moda, por në juglindje të vendit akoma ka njerëz që e përdorin si fjalë pa pasur as idenë që është fyerje.

Natyrisht, të përdorësh emrin me të cilin një popull e quan veten si fyerje ndaj atij është fenomen i gjerë. Në polonisht, polakut polak i thonë, por në anglisht, ajo fjalë përdoret si fyerje. Në shqip, është fjala shqiptar, por në maqedonisht dhe serbisht, shiptar u kthye në fyerje, megjithëse ky ndryshim kuptimi duhet të jetë dukuri e vonë.

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023