Britania: Iranianët provuan të kapin një anije tregtare britanike

Anijet iraniane u tërhoqën pas “paralajmërimit” nga një anije e marinës britanike që shoqëronte anijen tregtare, thuhet në një deklaratë të qeverisë britanike


Britania tha të enjten se tri anije iraniane provuan pa sukses të pengonin kalimin e një anijeje tregtare britanike nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit, në një zhvillim që mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve rreth marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore.

Anijet iraniane u tërhoqën pas “paralajmërimit” nga një anije e marinës britanike që shoqëronte anijen tregtare, thuhet në një deklaratë të qeverisë britanike. “Jemi të shqetësuar nga ky veprim dhe vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që të ulin tensionet në rajon”, thuhet në deklaratë. Rojat Revolucionare iraniane mohuan pretendimet, duke thënë se po të kishin marrë një urdhër për të kapur cilëndo anije, këtë do ta kishin bërë menjëherë.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, transmetoi një deklaratë të Rojave sipas të cilave “nuk ka pasur asnjë përplasje me ndonjë anije te huaj, posaçërisht britanike”. Incidenti u raportua një ditë pasi që presidenti iranian, Hassan Rouhani, paralajmëroi Britaninë se do të përballet me pasoja për shkak të konfiskimit në Gjibraltar të një anijeje iraniane që dyshohet se po transportonte naftë të papërpunuar në Siri, duke shkelur sanksionet e Bashkimit Evropian.

Presidenti Rouhani u citua nga mediet shtetërore iraniane ta ketë cilësuar konfiskimin “të gabuar dhe qëllimkeq”. Irani kishte thirrur në një takim ambasadorin britanik në Teheran për t’i shprehur “kundërshtimin e tij të fortë ndaj konfiskimit të paligjshëm dhe të papranueshëm” të anijes. Që kur presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, rivendosja e sanksioneve të rënda ndaj Iranit, duke përfshirë industrinë e naftës, ka përkeqësuar krizën ekonomike në Iran.

Deri tani, palët pjesëmarrëse në marrëveshje, Rusia, Kina, Gjermania, Franca, Britania dhe Bashkimi Evropian, nuk kanë qenë në gjendje të përmbushin kërkesat e Teheranit për ndihmë të mjaftueshme ekonomike, për të kompensuar dëmet nga sanksionet amerikane. Së fundmi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrjen e veprimtarive bërthamore, konfirmoi se Irani ka tejkaluar kufijtë e lejuar të pasurimit të uraniumit në kuadrin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015, duke nxitur reagime në botë. /Voa/

Lexo më shumë

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023