Blerim Latifi: Pelegrinazhi te varri i shkrimtarit të madh izraelit, Amos Oz
Nëse ekziston një libër që, për nga forca e argumentit dhe e shpjegimit, mund të krahasohet me “Traktatin e Tolerancës” të Volterit, ai është libri “Si të kurosh një fanatik” i Amos Oz, një shkrimtar që, si rrallëkush, arriti ta gjejë dhe ta jetojë harmoninë midis dashurisë për vendin e tij dhe thirrjes etike universale për ta respektuar dinjitetin e tjetrit.
Nga Blerim Latifi
Qysh ditën e parë që arritëm në Izrael, shoqëruesit tim ia bëra me dije se nuk do të largohesha prej andej pa e vizituar varrin e Amos Oz-it, shkrimtarit të madh hebre, i cili vdiq dhjetorin e vitit të shkuar. Doja t’i bëja një pelegrinazh vendit të prehjes së fundit të këtij njeriu të madh, në librat e të cilit, krahas kënaqësisë së madhe estetike, gjithmonë e kam gjetur edhe angazhimin konstant të një intelektuali të madh humanist, që të kujton hiç më pak se Volterin. Nëse ekziston një libër që, për nga forca e argumentit dhe e shpjegimit, mund të krahasohet me “Traktatin e Tolerancës” të Volterit, ai është libri “Si të kurosh një fanatik” i Amos Oz-it.
Shoqëruesi im më premtoi se do të gjenim kohë për ta bërë këtë pelegrinazh dhe në ditën e fundit të vizitës, pasi lamë Tel Avivin, morëm rrugën drejt Kibucit Hulda, aty ku gjendet shtëpia e Amos Oz-it dhe varri i tij.
Oz-i erdhi të jetojë në Hulda qysh në rininë e tij të hershme, nuk u shkëput asnjëherë prej saj dhe dëshirën e fundit e kishte që të varrosej aty.
Pasi lamë prapa autostradën që lidh qytetet e mëdha të Izraelit, u futëm në disa rrugë dytësore, të cilat kalonin përmes një fushe të madhe, në të cilën të binte në sy gjelbërimi i gjithanshëm. Në fillimet e Shtetit të Izraelit, kjo fushë e madhe kishte qenë gjysmë shkretëtirë dhe tani të krijonte përshtypjen se je duke kaluar nëpër ndonjë fushë mesdhetare italiane.
Pas 45 minutash rrugë, bëmë një kthesë tjetër dhe ja tek na u shfaq përpara Hulda. Njeriu që nuk do ta dinte se bëhej fjalë për një kibuc, do të mendonte se është fjala për ndonjë fshat turistik. Gjithçka aty ta shkaktonte këtë ndjesi. Hulda përbëhet nga një numër shtëpish të madhësive të ndryshme, prej atyre në formën e shtëpizave të vogla që duken si shtëpi njerëzish të varfër, e deri tek ato që në shikim të parë duken si vila fshati të njerëzve të pasur. Të parat janë pronë e kibucit. Të dytat janë shtëpi private të anëtarëve të tij. Shtëpitë janë të rrethuara me kopshte të bukura, të cilat i japin vendit ndjesinë e një oaze qetësie. Oborret e tyre janë të hapura, pa kufij të vendosur qartë mes tyre. Kjo sigurisht është bërë për të mos lejuar që privatësia të vërë në hije karakterin komunitar të kibucit.
Ruty dhe David ndihen shumë të lumtur kur marrin vesh arsyen e vizitës. Hyjmë në shtëpinë e tyre dhe pasi freskohemi me ujë të ftohtë, që na sjell Ruty, fillojmë bisdën. Davidi na rrëfen se si u njoh me bashkëshorten e tij pikërisht këtu në Hulda, për jetën e vështirë në vitet e para si prindër në një shtëpi të vogël, e cila ndodhet pak më tutje dhe ndjenjën e vetmisë që kanë tani për shkak se dy fëmijët e tyre janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasi çlodhemi nga vapa e rrugës, Davidi na fton të dalim që të shkojmë për ta parë shtëpinë e Amos Oz-it. Ajo është një shtëpi e vogël dy katëshe, që të lë përshtypjen e një shtëpie të cilin e kanë ndërtuar pa vrarë fort mendjen për shijet arkitekturore dhe estetike.
Duket e pabesueshme që një shkrimtar si Amos Oz, i cili kishte arritur majat më të larta të shprehjes estetike letrare, të ketë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij në atë shtëpi. E pabesueshme, por krejtësisht e vërtetë; dhe janë dy arsye që e shpjegojnë këtë fakt. E para, shtëpia është pronë e kibucit, në filozofinë jetësore të të cilit e gjejmë frymën e jetës modeste, deri diku e ngjashme me jetën në komunitetet fetare të françeskanëve. E dyta, përputhet me të parën: vetë Amos Oz-i nuk e donte jetën në luks. Ai besonte te modestia dhe kjo është një nga arsyet themelore të dashurisë së tij për jetën në kibuc. Ruty na tregon se nuk mund të hyjmë brenda në shtëpi, ngase ajo tani banohet nga një familje tjetër. Para shtëpisë qëndron një karrige prej hekuri, krejtësisht e ndryshkur. Ruty më tregon se Amos Oz-i ulej shpesh në të. Ulem edhe unë, duke provuar gjestin e pelegrinit që do të prekë gjurmët e të shenjtit të tij.
Jo më shumë se 100 metra më tutje ndodhej një shtëpizë tjetër e vjetër, po ashtu pronë e kibucit. Dikush që nuk ka informacion për natyrën e jetës në kibuc dhe njeriun që ka jetuar në atë shtëpi, sigurisht që do të mendonte se ajo shtëpi është ndërtuar prej ndonjë familjeje të varfër, sa për të pasur një kulm mbi kokë. Shtëpia është e ndarë në dy pjesë, njërën prej të cilave, me lejën e administratës së Kibucit Hulda, Amos Oz-i e kishte adaptuar si dhomë pune, gjatë kohës që shkruante. Aty ai kishte shkruar disa nga veprat më të rëndësishme letrare dhe eseistike të tij. Përballë saj ndodhet shtëpiza në të cilën Davidi dhe Ruty kishin filluar jetën e tyre bashkëshortore, si anëtarë të kibucit. Duke treguar oborrin e përbashkët të dy shtëpive, Davidi na rrëfen: “Këtu takoheshim përditë me Amos-in, pinim kafe së bashku dhe bisedonim për çështje të mëdha e të vogla, pasta ai kthehej në dhomën e tij dhe vazhdonte me orë të tëra të shkruante. Tani që nuk është më, saherë kaloj këndej, ndihem disi i mërzitur. Dera e dhomës ku shkruante Amos është e mbyllur dhe krejt çfarë ka mbetur janë kujtimet”.
Dua ta ndjej mërzitjen, të cilën e përmban tregimi i Davidit për fqinjin që nuk e ka më, dhe i afrohem derës së dhomës së Amos-it. E tërheq dorezën, por ajo nuk hapet. Trokas njëherë, dy herë, por askush nga brenda nuk më përgjigjet. Ndërkohë, përgjigjen e marrë nga Davidi, që është disa hapa prapa meje: “Amosi nuk është aty”! Fjalët e Davidit na shkaktojnë të qeshurat e situatës që krejt spontanisht e aktruam të dy, por ato të qeshura nuk na e largojnë ndjesinë e trishtë për mungesën e përjetshme të banorit që jetonte brenda asaj dhome. Davidi shton: “Duhej të vije më herët, vdekja ishte më e shpejtë se ti”.
E ndez një cigare dhe për pak minuta qëndroj ulur në një gur të madh, i cili qëndron nën hijen e pemëve, midis shtëpisë së shkrimtarit dhe asaj të Davidit. Në rrjedhën e shumë viteve, të ulur mbi atë gur, të dy miqtë kishin shijuar së bashku kafet e mëngjesit dhe të mbrëmjes gjatë diskutimeve të tyre të shumta e të gjata. Kjo pjesë e rrëfimit të Davidit më solli në mendje një pjesë nga përshkrimi që Amos Oz-i i bën jetës sociale që zhvillohej në Kibucin Hulda, në vitet kur ai erdhi aty: “Në Hulda e kuptova se edhe punëtori më bujk i bujqve, lexonte libra natën dhe i diskutonte ato gjithë ditën. Teksa vilnin ullinj, debatonin me zjarr për Tolstoin, Plehanovin e Bakuninin, për revolucionin e përhershëm kundrejt revolucionit në një vend, për Demokracinë Sociale të Gustav Landauerit dhe tensionin e përjetshëm mes vlerave të barazisë dhe lirisë dhe, mes këtyre të dyjave, edhe kërkimit për vëllazërimin e njerëzimit. Ndërsa rregullonin vezët në kotec, diskutonin si të gjallëronin festat e vjetra hebraike për kremtim në një ambient fshati. Ndërsa krasitnin rreshtat me hardhi, përplaseshin për artin modern”. Kjo frymë ende vazhdon në Hulda dhe si shembull mund të marrim djalin e Davidit. Ai është rritur duke punuar në fushat e kibucit dhe tani ka shkuar në SHBA për të mbaruar një studim disertacioni në fizikën nukleare.
Jo vetëm Hulda, por edhe kibucet e tjera anekënd Izraelit, ishin themeluar nga hebrenj që vinin nga elitat kulturore europiane. Ata e bashkuan ëndrrën për atdheun e lashtë të të parëve, me botëkuptimin e tyre perëndimor dhe nga ky bashkim mori jetë demokracia izraelite, e cila, në fakt, sot është e vetmja demokraci reale në Lindjen e Mesme.
Largohemi nga nga oborri i shkrimtarit të madh dhe të drejtuar nga Davidi shkojmë në ndërtesën që shërben si qendër administrative e Hulda-s, por edhe si muze i historisë së saj. Davidi na rrëfen gjithë atë histori: si u themelua Hulda, cilat ishin vështirësitë e fillimit, pastaj armiqësinë e fiseve arabe përreth saj, sulmin që u krye mbi të nga këto fise në vitin 1929 dhe ku, për pasojë, mbeti i vrarë komandanti që organizoi mbrojtjen e kibucit, pastaj reagimet e britanikëve që mbanin nën kontroll gjithë zonën dhe vitet e vështira pas krijimit të Shtetit të Izraelit. Ruty qëndron gjithë kohën me ne dhe herë pas here ndërhyn për ta plotësuar rrëfimin e Davidit, me ndonjë detaj të harruar prej tij. Davidi e kupton se vapa përsëri është duke na mposhtur, prandaj na sugjeron që të shkojmë në marketin aty afër për të marrë pije freskuese.
Pasi e bëjmë këtë, kthehemi në shtëpinë e Davidit, marrim makinat dhe nisemi në drejtim të varrezës së Hulda-s. Aty prehen shumë qytetarë të saj, të vdekur në kohë dhe rrethana të ndryshme, përfshirë edhe ata të vrarë në luftën për pavarësi të Izraelit. Varri më i ri aty është varri i Amos Oz-it: një pllakë e thjeshtë betoni, një tabelë e thjeshtë që tregon njeriun që prehet aty dhe disa vazo me lule, të cilat vapa i ka tharë.
Davidi thotë se varri nuk do të lihet në këtë gjëndje, edhe pse ajo përputhet krejtësisht me kërkesat e modestisë jetësore të Amos Oz-it. Shkrimtari i madh, që gjithë jetën e tij e kaloi me modesti materiale, me siguri nuk do të donte që të kishte një varr që pasqyron të kundërtën e kësaj jete. Davidi na tregon se në traditën hebraike ai që viziton varrin e dikujt, në shenjë nderimi për të, është mirë të vendosë një gur mbi varr. E respektoj këtë traditë dhe për disa minuta qëndroj në heshtje pelegrinazhi pranë varrit.
Aty prehet një njeri që, me rrëfimet dhe idetë e tij, ka ndikuar shumë në mënyrën se si e shoh botën dhe sot kam ardhur për ta falënderuar për këtë. Miqve, të cilët janë me mua, u them të mos ma prishin çastin e meditimit. Ata shpërndahen përgjatë varrezës, ndërsa Ruty shkon të hapë burimin e ujit që ndodhet aty dhe fillon ta ujisë barin mbi varret e dëshmorëve të Izraelit.
Në fund të meditimit, dal nga varreza për ta parë pamjen rreth saj. Në anën lindore shtrihet fusha e madhe e Hulda-s, e mbjellë e tëra me hardhi rrushi, ndërsa në anën perëndimore është fabrika e prodhimit të verës.
Mes për mes fushës së hardhive kalon një rrugë, në dy anët e të cilës ka palma të larta. Ruty na tregon se rruga quhet “Rruga e Washingtonit”, për arsye se aty janë xhiruar shumë skena filmash të Hollywood-it. Në mesin e aktorëve dhe producentëve të njohur, aty kishte qëndruar edhe Natalie Portman, gjatë kohës që punonte në filmin “Një rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, të bazuar mbi autobiografinë e Amos Oz-it, me të njëjtin titull.
Tutje, përtej fushës së hardhive, shtrihet Pylli i Theodor Herzl-it, themelues i Lëvizjes Sioniste dhe idesë për krijimin e shtetit të Izraelit. Njohës i shkëlqyer i zhvillimeve dramatike në Europë, Herzl e parandjenjte se hebrenjtë nuk do të mund të ekzistonin më tutje, pa e pasur shtetin e tyre kombëtar. Ai punoi me vite të tëra në idenë për rikthimin e hebrenjve në atdheun e lashtë, nga u dëbuan me dhunë prej romakëve, dy mijë vjet më parë.
Herzl vdiq në vitin 1904, pa e parë ëndrrën e tij të realizuar, por miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë mblodhën fonde për të blerë tokën ku sot ndodhet pylli, të cilit ia vunë emrin e tij. Aty ndodhet edhe shtëpia muze e Herzl-it dhe disa monumente në kujtim të njerëzve që humbën jetën në luftën për ta bërë realitet ëndrrën e tij.
Kur të tjerët talleshin me planet që bënte, Herzl u thoshte: “Ëndrrat dhe veprat nuk janë aq të ndryshme, siç mendojnë shumë njerëz. Të gjitha veprat janë ëndrra në fillim dhe bëhen ëndrra në fund”.
I tillë është sot Izraeli: një ëndërr e realizuar, që frymëzon ëndrrat e njerëzve gjithandej botës.
I tillë ishte edhe Amos Oz-i, një shkrimtar që, si rrallëkush, arriti ta gjejë dhe ta jetojë harmoninë midis dashurisë për vendin e tij dhe thirrjes etike universale për ta respektuar dinjitetin e tjetrit. Shikoj për herë të fundit varrin e tij dhe kthehem për t’i përshëndetur e falënderuar Ruty-in dhe Davidin që, me mikpritjen e tyre, i dhanë kuptim pelegrinazhit tim intelektual te varri i Amos Oz-it, i cili, padyshim, mbetet njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të mëdhenj të kohës sonë.