Investime në tregun shqiptar, ambasadori Canaj takim me drejtuesit e OrCam MyEye
Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, pati një takim tejet produktiv me drejtuesit e lartë të kompanisë izraelite OrCam MyEye në Jeruzalem. Pajisja MyEye 2 e OrCam njihet si teknologjia më e avancuar e vizionimit artificial në botë për njerëzit që janë të verbër, me shikim të pjesshëm, që kanë vështirësi në lexim ose përjetojnë lodhje.
Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, pati një takim tejet produktiv me drejtuesit e lartë të kompanisë izraelite OrCam MyEye në Jeruzalem, ku u bisedua për investimet e tyre në tregun shqiptar në ndihmë të Komunitetit të të Verbërve.
“Teknologjia e tyre ofron për të verbrit një pajisje artificiale ku është e instaluar kamera smart që lexon tekste nga sipërfaqe të ndryshme dhe njeh profile njerëzish, produktesh etj. në kohë reale”, shkruan ambasada shqiptare në një njoftim të sajin në rrjetet sociale.
Kompania prestigjioze OrCam MyEye (www.orcam.com) suksesshëm është prezente në tregun amerikan, kanadez, gjerman, italian, austriak, në Çeki, Bullgari e Rumani, si dhe në Serbi e Mal të Zi.
“Së bashku u dakordësua që përfaqësues të lartë të kompanisë OrCam MyEye të vizitojnë në fund të muajit shtator Shqipërinë dhe të prezantojnë paketën e produkteve të tyre”, thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare në Izrael.
Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Izrael, votuesit e verbër dhe me vështirësi shikimi në Izrael ishin në gjendje të hidhnin votat e tyre në Zgjedhjet e përgjithshme të 9 prillit, pa asnjë ndihmë, për shkak pajisjes vizuale artificiale të zhvilluar nga kompania OrCam, shkruan gazeta e madhe izraelite, “Jerusalem Post”. Rreth 24,000 izraelitë janë regjistruar sot si të verbër, prej të cilëve 22,000 kishin të drejtën e votës, ndërkohe që rreth 100,000 votues ishin me dëmtime shikimi.
Hera e parë në botë, teknologjia izraelite ndihmon të verbrit të votojnë pa asistencë
Pajisja MyEye 2 e OrCam njihet si teknologjia më e avancuar e vizionimit artificial në botë për njerëzit që janë të verbër, me shikim të pjesshëm, që kanë vështirësi në lexim ose përjetojnë lodhje gjatë leximit.
Shpikin pajisjen që lexon, kompania izraelite OrCam vlen 1 miliard dollarë
Pajisja, e montuar në një skelet syzesh, lexon menjëherë me zë të lartë tekstet e printuara dhe ato dixhitale qe shfaqen në ekran, duke përfshirë edhe fletë votimet, ajo mund të aktivizohet shumë thjesht, duke bërë një shtypje, ose duke ndjekur lëvizjen e shikimit të të verbrit.