Dita e Holokaustit, Atifete Jahjaga: Besa shpëtoi hebrenjtë në Kosovë dhe Shqipëri

Sot, me datë 27 Janar, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Bashkësia Hebreje “Bet Israel Kosova” organizoi shënimin e ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit. Deklaraten kryesore ish-Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga.


Sot, me datë 27 Janar, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Bashkësia Hebreje “Bet Israel Kosova” organizoi shënimin e ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit.

Fjalën hyrëse e mbajti Kryetari i Bashkësisë Hebreje-Bet Israel Kosova z. Ruzhdi Shkodra, Deklaraten kryesore ish-Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z.Philip Kosnett dhe z.Labinot Maliqi- Drejtor ekzekutiv i organizates joqeveritare “Qendra Kosovare për Paqe.” Të pranishëm ishin përfaqësues të stafit diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës,përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,prijës fetar,përfaqësues të FSK-së,ushtarë amerikan, historianë, profesorë.

 *** 

Fjala e ish-presidentes së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga

 

I nderuar zoti Shkodra,

I nderuar Ambasador Kosnet,

I respektuar zoti Kaplan,

Zonja dhe zotërinj

Faleminderit për ftesën dhe mundësinë që t’ju drejtohem me një fjalë rasti në ngjarjen e sotme, kur jo vetëm ne që jemi mbledhur këtu, por e gjithë bota përkujton viktimat e Holokaustit- krimit më të tmerrshëm që njeh historia e njerëzimit.

Në përvjetorin e 75-të të përfundimit të Holokaustit kujtojmë miliona viktimat që u bënë cak i një krimi të tmerrshëm të orkestruar e zbatuar nga një regjim në krye të të cilit ishte një i çmendur.

Sot, kujtojmë dhembjen, vuajtjet, dhe humbjen e jetëve të miliona njerëzve të cilët u ballafaquan me dhunën në format e saja më të tmerrshme vetëm pse ishin ndryshe.

Hebrenjtë ishin caku kryesor i vrasjeve të kryera nga Partia Naziste e Gjermanisë, por në mesin e viktimave ishin miliona të tjerë- homoseksualët, romët, civilët e të burgosurit sovjetikë, njerëzit me të meta mendore dhe priftërinjtë. Madje edhe fëmijet binjakë torturoheshin nga mjekët përmes eksperimenteve gjenetike të cilave u nënshtroheshin në kampet e përqëndrimit në Auschwitz, Treblinka, Belzec, Sobibor e të tjera.

Sot, ato kampe kujtojnë tmerrin e një tragjedie të rëndë njerëzore.

Auschwitzi të krijon një boshllëk të pashpjegueshëm shpirtëror dhe bën ta ndjesh një dhembje të tmerrshme- të paktën kështu u ndiva kur vizitova kampin para dy viteve.

Holokausti ndryshoi botën dhe konditat njerëzore përgjithmonë, por Holokausti nuk ndodhi brenda natës.

Ai erdhi si pasoje e akumulimit të urrejtjes ndaj hebrejëve dhe ndaj të gjithë atyre që nuk i takonin racës “ariane gjermane”- një shpikje sa e çmendur aq edhe neveritëse e ideologjisë naziste.

Holokausti ndodhi sepse një individ dhe një shoqëri- me ndjenjen e superioritetit ndaj të gjithë të tjerëve- u forcuan aq shumë sa që arritën të zbatonin ideologjinë e tyre përmes torturimeve dhe krimeve gjenocidale mbi njerëz të tjerë që ishin ndryshe nga ata.

Holokausti nuk u zbatua vetem nga liderët dhe ushtarët nazistë, por edhe nga qytetarë të rëndomtë në të gjithë Evropën, të cilët ishin të mbushur me urrejtje ndaj hebrejëve. Shumë prej tyre ndihmuan ushtrinë naziste duke i treguar vendndodhjet e fshehjes së hebrejve, romëve, homosekualëve e grupeve të tjera, ndërsa të tjerët mbyllën sytë dhe heshtën përballë krimit që po ndodhte e, me këtë, u bënë pjesë e tij.

Por, fatmirësisht kishte edhe të tillë që nuk iu nënshtruan kërkesave të nazistëve, kundërshtuan ata dhe refuzuan t’u ndihmonin në përpjekjet për shfarosjen e hebrejëve.

Shumë shqiptarë ishin pjesë e këtij kundërshtimi!

Në kohën kur ushtria naziste po depërtonte në Shqipëri dhe në vendet e ish-Jugosllavisë, shumë familje shqiptare në Kosovë e Shqipëri u ofruan strehë hebrenjëve- duke i fshehur ata në shtëpitë e tyre, duke u ndërruar emrat për të fshehur identitetin e tyre real duke i paraqitur pastaj edhe si anëtarë të familjeve të tyre.

Shqiptarët shpëtuan mijëra hebrejë mbi fjalën e dhënë apo kodin e Besës –një kod nderi, i cili edhe sot shërben si kodi më i lartë etik tek shqiptarët. Besa e dhënë, tek shqiptarët, nuk shkilet asnjëherë!

Zonja dhe zotërinj,

Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të saj pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, gjinore, fetare, e kulturore. Komuniteti hebraik në Kosovë, ndonëse komunitet i vogël, pasuron diversitetin tonë shoqëror e kulturor. Ai është vlerë e shtuar për Kosovën; është pjesë e shtëpisë dhe e familjes sonë.

Ndërtimi i multi-kulturalizmit në Kosovë është dashur të ndërtohet nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë dhe duhet të ruhet poashtu nga të gjithë. Në këtë drejtim, falënderoj nga zemra Bashkësinë Hebreje “Bet Israel Kosova” për punën e palodhshme që bën.

Kosova ka vend për xhamia, kisha, dhe sinagoga sepse është vend që kultivon tolerancën ndër-fetare. Ne krenohemi me besimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë në mes të gjtiha bashkësive tona fetare.

Është e vërtetë se kemi pasur probleme me radikalizmin fetar dhe ikjen e dhjetëra qytearëve tanë të cilët iu bashkuan luftës së Shtetit Islamik në Siri. Por, ne kemi tejkaluar dhe zgjidhur këto probleme duke ruajtur tolerancën si vlerë fundamentale të shoqërisë sonë.

Shqiptarët nuk kanë heshtur në kohën kur u është kërkuar të heshtin, dhe nuk do të heshtim as në të ardhmën ndaj diskriminimit dhe shtypjes së kujtdo që është pjesë e shoqërisë sonë!

Të nderuar të pranishëm,

Të gjithë kemi menduar se Holokausti dhe tmerri që shkaktoi ai do të jetë mësim për gjeneratat e ardhshme. Por, me kalimin e kohës po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ruhet kujtimi mbi të. Shumë të mbijetuarë kanë vdekur; shumë prej tyre janë plakur dhe nuk janë më në gjendje të rrëfejnë mbi tmerrin që kanë përjetuar. 75 vite pas, memoria kolektive mbi këtë kapitull të errët të historisë së njerëzmit, po rrezikon të zbehet.

Në ndërkohë, janë ringjallur frymat dhe ideologjitë ekstremiste. Demokracia liberale po ballafaqohet me sfida në rritje të nxitura nga urrejtja ndaj të tjerëve. Ne jemi dëshmitarë të ringjalljes së populizimit, etno-nacionalizimit, dhe anti-semitizmit në shumë vende të botës.

Krimet e urrejtjes të nxitura nga ideologjitë ekstremiste janë rritur në dy-tri vitet e fundit kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, i cili u themelua pas luftës së Dytë Botërore pikërisht mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut të të gjithëve- pa dallim!

Por, e kemi parë se si partitë politike dhe ideologjitë ekstremiste të së djathtës po fitojnë gjithnjë e më shumë përkrahje. Në krye të këtyre rrymave qëndrojnë indvidë apo grupe individësh që, duke instrumentalizuar normat dhe parimet fundamentale, çojnë përpara objektivat personale e partizane e, me këtë, kërcënojnë të zhbëjnë vlerat e shoqërive tona.

Nëse ne nuk e ngrisim zërin dhe nuk veprojmë kundër së keqës, ne bëhemi pjesë e së keqës.

Nuk kemi nevojë aq shumë për heronjë që luftojnë ngritjen e ideologjive esktremiste, sa kemi nevojë për njerëz racionalë e humanistë që pamundësojnë fuqizimin e mëtejmë të tyre.

Nuk guxojmë të lejojmë të bëhemi bashkë-kryes të diskriminimit, stigmatizimit dhe krimeve të urrejtjes.

Përvjetori i 75-të i çlirimit të kampit nazist të përqëndrimit në Auschwitz duhet të na shërbejë jo vetëm për të kujtuar të kaluarën dhe viktimat, por edhe për të reflektuar dhe për të menduar se si duhet vepruar në mënyrë që e kaluara të mos përsëritet kurrë më.

Të ardhmën e një shoqërie e ndërtojnë gjeneratat e së sotmes. Nëse sot harrojmë atë që ka ndodhur në Auschwitz gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrezikojmë të ndërtojmë një të ardhme jostabile me urrejtje të akumuluar në mes njerëzve, e cila pastaj mund të shpërthejë në një të keqe shume të madhe.

E kemi për obligim ta kujtojmë të kaluarën dhe, duke bërë kështu, të punojmë për ndërtimin e një të ardhme më të mire dhe më paqësore!

Holokausti nuk mund të zhbëhet, por duhet të bëjmë çdo gjë që ai të mbetet një e kaluar e hidhur!

 

Ju faleminderit!

 

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023