Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj: Hebrenjtë në vilajetin e Manastirit

Ngulmimet hebraike në kohën osmane në Shqipëri gjendeshin kryesisht në qytetet-port shqiptare, sepse aty mbërrinin kryesisht të arratisur hebrenj nga Spanja, Portugalia dhe Italia. – Pjesë nga libri “Hebrenjtë në trojet shqiptare”, me një përqendrim në historinë dhe kulturën hebraike”, me autor Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj


Nga Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj

Ngulmimet hebraike në kohën osmane në Shqipëri gjendeshin kryesisht në qytetet-port shqiptare, sepse aty mbërrinin kryesisht të arratisur hebrenj nga Spanja, Portugalia dhe Italia. Sipas Kotanit, hebrenjtë nga Spanja kishin filluar të vinin që në vitet e fundit të shek. XV, dhe rreth ardhjes së tyre thuhet ndër të tjera, “se i tërhoqi vetë Sulltan Bajaziti II, me qëllim që ata të gjallëronin tregtinë me disa limane të vendit, siç kishte vepruar edhe Republika e Venedikut”

Komunitete tregtare hebrenje të konsiderueshme pati në qytetet Berat, Durrës dhe Vlorë. Në këto qytete duket se ka pasur sinagoga kastiliane, kataloniane, portugeze dhe puliane. Ndër portet që përdoreshin nga hebrenjtë për tregti mund të përmendim këtu (përveç Durrësit dhe Vlorës) edhe atë të Lezhës dhe Prevezës. Mund të thuhet këtu që në Shqipëri për një periudhë kohe gjatë shek. XVI, tregtarët hebrenj nuk e kishin jetën të sigurt, pasi vriteshin, dhe si vend tjetër ballkanik i Perandorisë Osmane i rrezikshëm për tregtarët hebrenj, po gjatë kësaj periudhe kohe ishte edhe Thesalia e Veriut.

Gjatë revoltave shqiptare kundër shtetit turk në vitin 1911 pakicat hebraike në Shqipëri u akuzuan se kishin bashkëpunuar dhe mbështetur rebelët shqiptarë. Tani le t’u hedhim një vështrim mundësisht sa më të detajuar pranisë së hebrenjve në secilin vilajet shqiptar duke u nisur nga Veriu për në Jug, dhe duke e përshkruar historinë e tyre që nga fillimi, pra shek. XV, deri në rënien e Perandorisë Osmane në fillim të shek. XX.

Hebrenjtë në vilajetin e Manastirit

Përsa i përket vilajetit të Manastirit do të trajtojmë këtu Manastirin dhe Kosturin, ngaqë këto ishin kryeqendra dhe aty shihet prezenca e hebrenjve. Në lidhje me Elbasanin që ishte pjesë e këtij vilajeti nuk ka të dhëna, nëse kanë jetuar aty hebrenj, apo jo. Giakumis i përmend hebrenjtë në Elbasan si komunitet që në vitin 1501, porse ky autor nuk sjell të dhëna plotësuese në lidhje me ta. Kurse Evlija Çelebi që gjatë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri në vitin 1670 (a. h. 1081) i ka rënë rruga edhe përmes Elbasanit dhe shkruan se atje: “Hebrenj [në origjinal: Çifutë – E.M.), Frëngj, Armenë, Serb, Bullgar s’ ka fare; të tillë vijnë vetëm për tregti, të cilët duhet të sillen me urti të plotë, se po të fillojnë me përbuzë vriten m’ atë çast; ky zakon âsht i vjetër.”

Pra, ai nuk e bën të njohur ekzistencën e ndonjë lagjeje hebraike (megjithëse në faqe të ndryshme shqiptare të internetit bëhet nganjëherë fjalë edhe për një “Lagje të Hebrenjve”). Megjithatë sipas gojëdhënave tregu i vjetër i Elbasanit quhej ndryshe edhe “Tregu i Çifutëve”, dhe këtë e dëshmojnë edhe fragmentet e mbetura të Yllit të Davidit, të gjetura atje (shih fig. 14.).

Ky objekt guri, sipas Sarnerit, tregon më tepër për hebrenj që jetonin aty, se sa për hebrenj që janë kalimtarë. Sipas Ferit Dukës, në Elbasan gjatë shek. XVIII duket se erdhën hebrenj, që kishin ikur nga Berati për shkak të përkeqësimit të gjendjes ekonomike dhe të abuzimeve të administratës qeveritare atje. “Zakonin e vjetër të vrasjes së të pafeve”, tek të cilët bëjnë pjesë edhe hebrenjtë, “kur ata nuk silleshin me urti të plotë”, si na e përshkruan Evlija Çelebiu, duket sikur e mbështet në mënyrë indirekte edhe protokolli gjyqësor i 25 janarit të vitit 1694, në të cilin bëhet fjalë për Shemuel Benjaminin dhe David Mihaeilin, dy argjendarët hebrenj, të përmendur edhe më sipër. Ata ishin nga Janina dhe kishin qenë në panairin e qytetit të Lezhës, nga atje ishin nisur për Berat, dhe pastaj ishin vrarë rrugës, duke dalë nga Elbasani për të shkuar në panair në Strugë, në zanin e parë.

Edhe Herman Bernshtajn, i cili hulumtoi në arkivat e Elbasanit, të vetmin informacion që gjen mbi hebrenjtë aty, është vetëm një shënim në lidhje me dënimin e dy tregtarëve hebrenj për shkelje të ligjeve turke, shkruar me dorë nga një gjykatës turk.

Në lidhje me Manastirin hebrenjtë erdhën aty në një numër të konsiderueshëm, pasi u dëbuan nga Hungaria në shek. XIV. Një valë të dytë pati aty nga fundi i shek. XV dhe një valë të tretë ardhjesh në gjysmën e parë të shek. XVI.këta të ardhur ishin hebrenj nga Spanja, që hynë në Manastir përmes Selanikut. Sipas Bajraktarit, Manastiri aty nga mesi i shek. XVI duhet të ketë pasur një komunitet hebraik që ndoshta numëronte rreth 200 familje.

Fig. 17. Pamje nga Manastiri në shek. XIX

***

Sipas një përshkrimi të Josef Mylerit, në vitin 1844, mbi Vilajetin “Rimili-Walessi”, hebrenjtë gjenden kryesisht në Manastir, jo më tepër se 1400, sepse aty tolerohen. Megjithatë kanë një ngjyrë të zbehtë, si rezultat i një përbuzjeje 2000 vjeçare, edhe ashtu të përbuzur nga myslimanët e të krishterët, të tallur nga djemtë osmanë dhe të pështyrë nga imamët e dervishët sa herë që këta i takonin. Për të vërtetuar atë që u tha më sipër, po sjellim një dokument nga shek. XVII, në të cilin vihet re sërish tendenca e individëve të ndryshëm për t’i mashtruar hebrenjtë, por njëkohësisht shihet edhe mbrojtja që u bën atyre shteti osman: “Jo-myslimani Dimo, i biri i Petkos, nga fshati Berashan i kazasë së qytetit Manastir, pati një ankesë ndaj poseduesit të dokumentit, hebreut Yako, të birit të Musës, dhe deklaroi në prani të trupit gjykues të rëndësishëm të Sheriatit (që për ta nderuar është një detyrë) se: “Njëzet e tetë vjet para datës së dokumentit unë i mora borxh Yakos së lartpërmendur 28 groshë esedi që i përdora për shpenzime, dhe si garanci për kthimin e kësaj shume i dhashë hebreut të lartpërmendur dy dynym vresht, që ndodhet në fshatin e lartpërmendur, kufijtë e së cilës janë të njohur qoftë nga banorët lokalë, qoftë nga komshinjtë. Kur unë u mundova të ktheja shumën e lartpërmendur hebreut të lartpërmendur me qëllim që të merrja përsëri vreshtin tim që e përmenda më sipër, ai refuzoi të pranonte nga unë shumën në fjalë. Unë kërkoj që Yako i lartpërmendur të merret në pyetje, dhe pasi të marrë shumën e parave të më kthejë vreshtin e lartpërmendur.”

Pasi u pyet, Yako i lartpërmendur tha: “28 vite më parë jo-myslimani i lartpërmendur ma ka shitur vreshtin me ato kufi që ka për 40 groshë. Pra unë ia bleva atij atë pikërisht siç u tha më sipër. Vreshta brenda atyre kufijve që u përmendën më sipër është tani pronë e imja, e blerë.” Dimo e mohoi sërish këtë gjë, dhe hebreut të lartpërmendur Yako iu kërkua që të siguronte prova për atë që thoshte. Atëherë Hasan Efendi b. Mehmeti dhe Hasan b. Abdylkakiu, që të dy myslimanë të devotshëm, banues në qytetin e lartpërmendur, hynë në këtë proces gjyqësor të Sheriatit për të dëshmuar.

Ata dhanë këtë dëshmi: “28 vite para se të shkruhej dokumenti jo-myslimani i lartpërmendur ia shiti për 40 groshë në mënyrë ligjore vreshtin brenda kufijve të lartpërmendur hebreut Jako, dhe këtë e bëri në praninë tonë. Dimoja mori nga hebreu i lartpërmendur shumën prej 40 groshësh. Deri më sot (që është dita e dokumentit) vreshta ka qenë prona e blerë e hebreut të lartpërmendur. Ne pra jemi dëshmitarë që kështu ndodhi dhe kështu po e dëshmojmë edhe më tej.” Pasi të dy ata bënë dëshminë e tyre ligjore, jo-myslimanit të lartpërmendur iu ndalua të bënte padi ndaj hebreut të lartpërmendur pa pasur shkak a arsye. Kjo çështje u mbajt shënim me kërkesën e të dy palëve. E shkruar në ditën e 8-të të muajit shaban në vitin 1105. Dëshmitarët e faktit: Mehmed Beshe, kreu i muhzirëve, Ali el-muhzir dhe ketyda i tij Ahmeti; Karaksh-oglu, hebreu; Davit jude.” Po sipas Mylerit, në mendësinë turke shfaqej një farë antipatie për hebrenjtë edhe në një shprehje të tyre si p.sh.: “Na ruajtë Zoti ishalla, prej hebrenjve të Selanikut, prej turqve të Egribos, prej grekëve të Athinës dhe prej shqiptarëve∗ të Tiranës”.

Në vitin 1863 pati një rënie të numrit të anorëve hebrenj në këtë qytet pasi një zjarr i madh që ra këtë vit fshiu nga faqja e dheut mbi 1000 shtëpi dhe dyqane të tyre. Për vitin 1884 “Enciklopedia Hebraike” numrin e pjesëtarëve të komunitetit hebraik e jep në 4000, por ata përjetuan edhe një libelë gjaku në vitin 1900, gjë që tkurri numrin e tyre edhe më shumë.173 Por, dhjetë vjet më vonë, pikërisht në vitin 1919, “Enciklopedia Hebraike” tregon një rritje të popullsisë hebraike duke e çuar numrin e tyre në 7000.174 Në vitet 1890/91 në Manastir përmenden tri shkolla hebraike, dy shkolla talmudike fillore, në të cilat mësohej Talmudi dhe hebraishtja, dhe që ndodheshin afër sinagogës; kurse shkolla e tretë ishte e mesme e ulët, themeluar në vitin 1876 dhe e njohur nga autoritetet osmane në vitin 1890/91

Ajo kishte rreth 244 nxënës dhe shërbente për mësimin e bazave të shkencave të natyrës. Një qendër tjetër që duhet të merret në konsideratë, si vendbanim shqiptaresh ku jetonin edhe hebrenjtë ishte edhe Kosturi. Brenda qytetit jetonin një numër i madh shqiptarësh, që së bashku me turqit përbënin aristokracinë e qytetit dhe në afërsi kishte edhe dy fshatra me rreth 225 shtëpi shqiptarësh ortodoksë. Interesant në lidhje me jetën e hebrenjve në Kostur është një dokument që i referohet një vendimi gjyqësor të datës 19 janar 1692, në lidhje me detyrimin e marrë dhe betimin e bërë të të dy vëllezërve Ruben dhe Shimon nga Berati (pak më poshtë në dokument kanë emrat Avraam Albalag dhe Shemule) për të qëndruar në Kostur së bashku me gratë në pronat e vjehrrit të tyre të pasur, por si duket ranë pre e korrupsionit dhe humbin pasurinë dhe detyrohen të shpenzojnë edhe 2000 grosh gjë që i detyron të përgatiten për të shkuar përsëri në Berat, qytetin e tyre të lindjes. Por organet e atij qyteti dërgojnë në Berat një kopje të dokumentit që përmbante detyrimet e vëllezërve për kompensimin, duke shtuar edhe kërkesën që të mos i pranojnë atje. Përmbajtja e letrës që dërgohet në Berat është si më poshtë: “Vëllezërve tanë të komunës së shenjtë të Belgradit. Mësuam dhe dëgjuam me veshët tanë, gjithashtu pamë me sytë tanë ato, që po bëjnë vëllezërit Avraam Albalag dhe Shemuel, qëllimet dhe dëshirat e të cilëve janë të largohen nga qyteti ynë dhe të kthehen në vendlindje, d.m.th. në komunën tuaj, dhe kjo nuk është e panjohur për ju dhe ne kurrë nuk do të na shkonte në mend, që këta njerëz do të vendosen në qytetin tuaj, pasi ne nuk kishim dërguar njerse (njerëz –E. M.) posaçërisht për t’i ftuar ata që të vinin në qytetin tonë, por ata erdhën me vullnetin dhe dëshirën e tyre në qytetin tonë, për të trashëguar shtëpi vreshta argjend dhe flori nga i vjehrri i tyre, pasaniku Benvenisti Bahar Jakov, duke pranuar detyrimin të mos largohen nga shtëpitë e këtushme, dhe të vendosen në qytete të tjera, dhe këto kushte i konsideruam si të arsyeshme t’ i shkruajmë, duke tërhequr vëmendjen tuaj mbi to, i shkruajtëm germë për germë fjalë për fjalë, dhe ja përmbajtja e tyre: “E vërteta është që, vëllezërit e pasur Avram Albalag dhe Shemuel Albalag janë të larguar nga qyteti i tyre Arnaut Belograd (Berati – E. M.) dhe kanë ardhur të vendosen bashkë me gratë e tyre në qytetin tonë Kostur, në shtëpitë e trashëguara nga i vjehrri i tyre, pasaniku i vdekur Benvenisti Bahar Jakov.

Ja që tani para nesh, dëshmitarët e poshtëshënuar, vëllezërit e përmendur me dëshirën e tyre të plotë, pa asnjë detyrim, bënë betimin e madh dhe në emër të atyre që betohen në të vërtetën, dhe në emër të zotit dhe të xhaxhait të tyre, të mençurit Icxak Benvenisti, që të mos iu lejohet të largohen nga qyteti, dhe të shkojnë bashkë me gratë e tyre për të jetuar në një qytet tjetër, por të vendosen bashkë me gratë e tyre për të jetuar në qytetin tonë, gjithë këtë e bënë për të mirat dhe përfitimet që marrin nga xhaxhai i tyre Icxak.

Veç kësaj ata u betuan, që në qoftë se ata do të largohen nga qyteti, për të jetuar në një qytet tjetër ata do të konsiderohen si shkelës të betimit dhe do veprohet si në rastin e shkeljes së besës nga Samsoni, i biri i Menohas bashkëshorti i Dalilës, i cili shkallmoi dyert e Azës dhe filistinët i nxorën sytë. Në betimin e tyre thuhet, që tani ata janë të detyruar të japin për shkollën e Jerusalemit dhe për nxënësit, që gjenden atje, 2000 grosh dhe gjithë kjo në qoftë se ata largohen nuk janë të detyruar të paguajnë detyrimin mësipërm”. Dhe ne, të poshtëshënuarit, për siguri më të madhe, përveç betimit të sipërpërmendur dhe premtimit zyrtar të vëllezërve të sipërpërmendur morëm aprovimin e tyre, që dhe në vendin e tyre të lindjes nuk do t’iu lejohet të kthehen dhe të jetojnë atje me gratë e tyre dhe e gjithë kjo në bazë të betimit të dhënë.

Dhe kjo ndodhi këtu në Kostur të premten, dita e parë e mujit shevat të vitit 5452 (19 janar 1692)”178 Përgjigja që i jepet kësaj letre, me sa duket nga Berati, është: “Lirohen nga detyrimi i marrë dhe betimi! Në qoftë se ndonjëri do të kundërshtojë këtë vendim të gjyqit, unë jam i gatshëm t’i përgjigjem atij. Dhe ai që do të hedhë poshtë këtë vendim, apo do ta shkelë, do të jetë fajtor.” Në lidhje me pagimin e tatimeve kemi edhe një dokument tjetër afërsisht po i kësaj kohe (viti nuk jepet), dhe çështja është gjykuar nga rabini Shamuel Ichak. Këtu bëhet fjalë rreth pagesës së tatimit për një banim të përkohshëm në një vend: “Neeman Shemuel, çështja 90 faqja 112, përgjigje e faqes 115. Ruben, banor në qytetin e Bellogradit (Beratit –E. M.), ishte i martuar me një grua nga qyteti Kostur dhe ishte i detyruar të jetonte në qytetin e gruas së tij. Dhe kështu kishte bërë. Por tani na ishin ngritur banorët e qytetit dhe kishin kërkuar që Rubeni të shlyejë tatimet dhe detyrimet si të gjithë banorët e qytetit, që zotëronin shtëpi dhe vreshta. Por Rubeni kishte kundërshtuar, duke pranuar që ishte e vërtetë, që kish vendosur të jetonte me gruan e tij, dhe aktualisht jetonte në Kostur; mirëpo ai e konsideronte veten si mik, meqenëse në qytetin e tyre nuk bëhej asnjë lloj tregtie dhe absolutisht asnjë, prandaj dhe ai nuk jetonte në këtë qytet më shumë se tre-katër muaj në vit dhe tërë tregtinë e tij e bënte në Bellograd dhe atje i paguante të gjitha tatimet dhe detyrimet.

Gjithashtu Ruben kundërshtonte, që edhe nëqoftëse ai është i detyruar të paguajë tatimet, ai do t’i paguajë tatimet, atje, ku punon, sepse në qytetin Kostur ai nuk fiton asnjë pare, akoma më tepër që një pjesë e tatimeve paguhen në Kostur nga ata që kanë shtëpi dhe vreshta dhe aq më tepër ai paguan 6 grosh në vit për qeranë e banesës ku jeton dhe pronari i shtëpisë i kishte thënë: “Unë paguaj tatim për shtëpinë time” e kështu me radhë, prandaj ai i kishte marrë pare Rubenit, sepse nëqoftëse nuk do të kishte qenë kështu, ai do t’ia kishte dhënë shtëpinë më lirë. Nga kjo del që Ruben është i liruar nga çdo shlyerje e tatimit për pronën. Tani mësuesi ynë, na thoni, a ka të drejtë Rubeni të mos paguajë asnjë tatim në Kostur, meqenëse ai nuk kryen në qytet asnjë lloj tregtie absolutisht asnjë. Dhe atje ku ai bën tregti, ai paguan tatimet si të gjithë banorët e tjerë të qytetit. “Vetë Rubeni thotë: Nuk mund të paguaj në dy vende”. Aq më tepër në Kostur ai nuk siguron asnjë fitim, as paren më të vogël, por jeton në qytet si mik, dhe kjo sepse është i detyruar për shkak të gruas së tij, e cila nuk do të bashkëjetojë me burrin në qytetin e tij. Për të gjitha këto çështje duam të na thoni fjalën tuaj”. Përgjigja që i jepet kësaj ankese është: “Përsa i përket tatimeve dhe detyrimeve ekzistojnë një sërë rregullash. Kështu, ai që është me punë në Bellograd dhe vjen me paret e tij në Kostur, ku jeton, është i detyruar të paguajë këtu, ku jeton madje nga paret që ka fituar në Bellograd, dhe nuk është i detyruar të paguajë në Bellograd. Përsa i përket tatimit të pronës, ai, që nuk ka shtëpi, është i liruar nga shlyerja e tatimit. Të gjitha tatimet nuzul dhe avariz rëndojnë mbi ata që zotërojnë prona. Por, meqenëse ka një urdhër nga sulltani që t’i merren tatimet dhe qiramarrësit, dhe akoma më shumë marrin ata që vijnë me urdhër të Sulltanit dhe mbledhin nuzul dhe avariz, kjo është kundërshtim dhe vjedhje. Ai që dëshiron të ruajë shpirtin, duhet të paguajë, sepse vjedhja ekziston denbabaden dhe për të tillë vjedhje është e vështirë të zgjidhësh gjë, sepse kjo është vepër e tagrambledhësit dhe e paguara vështirë t’i kthehet zotit të pronës. Hebrenjtë janë të dëgjueshëm ndaj këshillave të mira dhe nuk duhet të ziren për këtë. Këto janë fjalët e të mençurit. Shemuel Ichak”.

Nga dokumentet e mësipërme dalin në pah abuzime dhe mënyra me anë të të cilave ndonjë nëpunës i korruptuar i shtetit osman mundohej të përfitonte sa më tepër në kurriz të hebrenjve raja. Aty nga fillimi i shek. XX. në qytetin e Kosturit, sipas Gelcerit kishte rreth 120 shtëpi hebraike,181 por sipas të dhënave të “Bulletine de l’Alliance Israelite Universelle, 1904”, atje jetonin rreth 1600 hebrenj. Në lidhje me Strugën, duket se edhe aty ka pasur një komunitet hebraik,183 porse rreth këtij komuniteti deri tani nuk kemi asnjë të dhënë.

Lexo më shumë

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023