Hebrenjtë në historinë e Kosovës

Në Prishtinë, sinagoga ishte ndërtuar në fund të shekullit XIX, ndërsa pazari hebre ishte më i famshmi në këtë pjesë të rajonit të Ballkanit. Që të dyja këto objekte u shkatërruan si pjesë e politikës komuniste për fshirjen e kujtesës historike për këtë komunitet në Kosovë dhe më gjerë.


Nga Ndriçim Iseni

Hebrenjtë dhe shqiptarët e Kosovës kanë një lidhje historike mes tyre dhe bashkëjetesë që nga periudha antike. Kjo bashkëjetesë paqësore vazhdoi me shekuj dhe la gjurmë në relacionet e mëvonshme ndërmjet dy popujve. Përderisa dihet shumë pak për ta në periudhën antike të Kosovës, kur ata kishin ardhur në kuadër të sistemit politik, ekonomik dhe social romak, gjatë Mesjetës vërehet një prezencë më e madhe e komunitetit të hebrenjve. Në këtë kohë, prania e komunitetit hebraik në Kosovë lidhet veçanërisht me ngritjen e një miniere më të rëndësishme në Novorbërdë, e cila u bë e njohur në rajon për nxjerrjen e metaleve të çmuara.
Po ashtu, hebrenjtë që jetonin në Kosovë punonin edhe si tregtarë, mjek e zanatçinj, dhe ushtronin profesione të ndryshme duke qenë pjesë e shoqërisë së asaj kohe. Ata jetonin edhe në qendra të tjera të Kosovës dhe kishin sinagogat e tyre, të cilat edhe gjatë periudhës otomane mbijetuan, por u rrënuan nga regjimi komunist. Mirëpo, gjurmët e kësaj trashëgime ende mbijetojnë në rrënojat e vjetra. Kështu në Prishtinë, sinagoga ishte ndërtuar në fund të shekullit XIX, ndërsa pazari hebre ishte më i famshmi në këtë pjesë të rajonit të Ballkanit. Që të dyja këto objekte u shkatërruan si pjesë e politikës komuniste për fshirjen e kujtesës historike për këtë komunitet në Kosovë dhe më gjerë.
Sikurse edhe hebrenjtë e tjerë të përhapur në Europën Juglindore, veçanërisht ata në Greqi, Shqipëri dhe Jugosllavi, hebrenjtë e Kosovës i takonin komunitetit sefardik. Ata kishin braktisur Spanjën në shekullin XV dhe ishin vendosur në këtë gadishull të Europës. Historia e këtij komuniteti në Kosovë, sikurse e popujve të tjerë, ishte bërë dhe ribërë disa herë. Sido që të jetë, ata kishin qëndruar në Kosovë. Përveç gjuhëve amtare të vendeve nga kishin ardhur, hebrenjtë e Kosovës mësuan edhe shqip, turqisht dhe serbisht.
Shpëtimi dhe mbrojtja
Sipas mendimit tim, janë dy rrethana historike që i japin kuptim dhe dimension të veçantë marrëdhënieve në mes shqiptarëve të Kosovës dhe hebrenjve. Së pari, është ndihma e shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore; së dyti, është roli i diasporës së hebrenjve në Europë dhe në SHBA për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga vrasjet dhe dëbimet masive në fund të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.
Mjerisht, nuk është afirmuar sa duhet historia e shpëtimit të hebrenjve nga popullata shqiptare e Kosovës. Sa i takon kësaj teme, mendoj se historianët duhet të hedhin më shumë dritë. Sido që të jetë, është një fakt historik i pamohueshëm se Kosova, edhe pse ishte një vend i vogël, nuk dorëzoi hebrenj te nacional-socialistët. Përkundrazi, në kohë lufte shqiptarët e Kosovës me sukses fshehën pjesëtarët e këtij komuniteti, duke u mbështetur në kodin e lashtë të nderit: “besën”. Sipas kësaj, kur dikush dikujt i ofron ndihmë dhe e merr në shtëpinë e vet, ai duhet edhe ta mbajë premtimin për mbrojtje. Gjithashtu, sipas Kanunit, kodit zakonor “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve duke i renditur kosovarët përkrah mbështetësve dhe mbrojtësve të shumë familjeve që gjetën strehë duke i shpëtuar vdekjes së sigurt. Siç është dëshmuar nga të mbijetuarit, por edhe nga historianët, familje të caktuara vunë në rrezik edhe jetën e tyre për këtë mision fisnik. Në këtë drejtim, historiani i njohur Bernd Fisher thotë se “nuk ka asnjë rast të njohur kur besimi të jetë thyer, nuk ka asnjë rast të njohur që hebreu të jetë dorëzuar dhe asnjë rast të njohur që nikoqiri të ketë kërkuar para për shërbimin”.
Edhe sipas studimeve të tjera, është një e vërtetë historike se shqiptarët e Kosovës nuk kanë bashkëpunuar në deportimin e hebrenjve, as gjatë pushtimit nga italianët më 1939-n dhe as pas fillimit të pushtimit gjerman në vitin 1943. Kosova ishte ndër vendet e rralla në Europë që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte popullsi më të madhe të hebrenjve sesa kishte pasur para luftës.
Të persekutuar e të përndjekur anekënd Europës kontinentale, ata gjetën strehë të sigurt në Kosovë. Shumë prej tyre pastaj kaluan në Shqipëri, ku u sistemuan dhe ndihmuan me ushqime, duke sfiduar rrezikun e fashistëve përkatësisht të nazistëve. Shumica e hebrenjve në Kosovë qenë shpëtuar nga solidarizimi i popullit shqiptar dhe i prefektit të asaj kohe të Prishtinës, të cilët nuk lejuan që hebrenjtë t‘i dorëzoheshin regjimit fashist, duke organizuar kësodore transfertë të sigurt për në Shqipëri. Ata që nuk mund të transferoheshin, vendoseshin në spitalin e Prishtinës me pretekst se ishin në karantinë dhe në këtë mënyrë i shmangeshin rrezikut të deportimit.
Kjo bëri të mundur që qindra hebrenj të udhëtonin edhe nga vende të tjera të rajonit, Dalmacia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe nga Greqia e vende europiane për t’u futur në tokën e sigurt të Kosovës. Ata prej andej kalonin në brendësi të Shqipërisë pasi pajiseshin me pasaporta me emra shqiptarë, në mënyrë që të fshihnin identitetin e vërtetë nga regjimi fashist. Sipas rabinit të Prishtinës, Josef Levi, autoritetet e Prishtinës e kishin udhëzuar atë që për 52 hebrenj të ardhur të nxirreshin shkresat nga bashkësia hebraike e qytetit se gjoja ata ishin të lindur në Prishtinë. Në këtë mënyrë ata pajiseshin me dokumente të rregullta të prefekturës dhe u mundësohej lëvizja në drejtim të Shqipërisë.

Solidariteti edhe në mesin e shqiptarëve të Kosovës për të shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë sigurisht që ishte ndikuar edhe nga qëndrimi miqësor që mbretëronte brenda shtetit shqiptar për hebrenjtë. Sipas studimeve, Zogu i ftonte hebrenjtë që të vinin në Shqipëri qysh në vitet 1930, në mënyrë që ata të ndihmonin zhvillimin e shtetit me përvojën e tyre. Shumica syresh morën viza shqiptare dhe disa madje u pajisën me pasaporta shqiptare. Duket se më 1935, nga mikpritja shqiptare përfitoi edhe Albert Einstein, duke udhëtuar nga Europa në Amerikë. Disa mendojnë se ai qëndroi tri ditë në Vilën Mbretërore në Durrës, mori pasaportë shqiptare, dhe udhëtoi drejt botës së lirë.

Ka disa arsye të cilat mund të shpjegojnë shpëtimin dhe mbrojtjen e hebrenjve në Kosovë. Ndër to janë: bashkëndjenja e popullit të Kosovës ndaj refugjatëve hebrenj; institucioni i besës, me detyrimet që ajo sjell kundrejt mikut dhe të pambrojturit; qëndrimi miqësor i autoriteteve shqiptare të kohës së Zogut; përvoja e ngjashme e hidhur nëpër të cilën kishin kaluar edhe vetë shqiptarët gjatë regjimeve serbe; si dhe tradita shumëshekullore e tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare që karakterizon shoqërinë e Kosovës. Të gjitha këto arsye mund të jenë dëshmi që hedhin dritë mbi realitetin e shpëtimit dhe mbrojtjes së hebrenjve në Kosovë. Por një moment që duhet marrë gjithnjë në konsideratë, është fakti që në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur antisemitizëm të mishëruar në politikë, shoqëri dhe kulturë, gjë që nuk ka qenë rasti me shumë vende të tjera të rajonit. Prandaj, kosovarët kanë arsye të krenohen, kur është fjala për relacionet e tyre me hebrenjtë, për bëmat fisnike, për heroizmin dhe humanizmin e tyre.

Diaspora hebrenje dhe e Izraelit gjatë luftës në Kosovë

Rrethana e dytë që do t’i japë peshë të veçantë marrëdhënieve mes popullit të Kosovës dhe diasporës së hebrenjve në Europë e SHBA, si dhe shtetit të Izraelit, do të paraqitet gjatë luftës në Kosovë më 1998-‘99. Kishin kaluar 60 vjet që nga fundi i Holokaustit, dhe trenat e deportimit të qytetarëve nga Prishtina më 1999 shumëkujt në botën perëndimore i rikthenin kujtesën e tmerrshme të persekutimit të hebrenjve. Politikanët, diplomatët dhe intelektualët me prejardhje hebrenje, ishin ndër të parët që u bënë avokatë të ndalimit të spastrimit etnik në Kosovë.
Një rol meritor për Kosovën në këtë kohë i takon diasporës hebrenje në SHBA dhe Europë, e cila me angazhimin e saj të shumanshëm bëri që Perëndimi të intervenonte ushtarakisht me motive humanitare dhe për ta parandaluar përpjekjen për gjenocid të regjimit të Millosheviçit. Duket se vetëdija historike hebrenje e përjetonte thellë kërcënimin për zhbërje fizike dhe dëbim masiv të popullit të Kosovës. Asokohe shkrimtari i njohur izraelit Amos Oz do të solidarizohej me këtë ndërhyrje ushtarake të Perëndimit, ku thoshte se: “I vetmi aspekt pozitiv i tragjedisë së Kosovës është që gjenocidi nuk konsiderohet më si një problem i brendshëm i vendit ku ndodh. Ky është një progres në krahasim me 50 vjet më parë, kur pjesa më e madhe e kombeve e konsideron gjenocidin si një problem të brendshëm: maksimumi proteston, por nuk ndërhyn”.

Jo vetëm diaspora hebrenje, dhe emra eminentë të saj, por edhe shteti i Izraelit ndihmoi dhe mbështeti popullin e Kosovës. Gjatë kohës së Ariel Sharon, ministrja e Punëve të Jashtme e Izraelit transmetoi kumtesën më 11 prill 1999 se: Izraeli do të mbështesë refugjatët nga Kosova me asistencë humanitare, mbështetje të plotë përpjekjeve të NATO-s dhe SHBA-së për përfundimin e tragjedisë. Për më shumë, qeveria e Izraelit theksoi se janë të papranueshme për ta aktet e spastrimit etnik, të cilat duhet të ndalen menjëherë.
Hebrenjtë në Kosovë në vitin 2013
Këto dy rrethana historike të paraqitura në vija të trasha na sjellin deri te një rrethanë e tretë politike e kohës sonë, dhe kjo ka të bëjë me çështjen: çfarë duhet të bëjë Kosova për një komunitet historik dhe me peshë të veçantë sa i përket të kaluarës dhe të ardhmes së saj. Në një shkrim editorial padyshim nuk mund të japim përgjigje të plotë për një temë të karakterit historik apo edhe atë se si duhet trajtuar komuniteti hebraik në rrafshin institucional. Por, një gjë qëndron se komuniteti hebrenj në Kosovë, i cili është i vogël për nga numri, është i rëndësishëm për nga historia dhe me një kontribut të çmuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe është pjesë e shoqërisë sonë. Sikurse që ata janë pjesë e historisë sonë, edhe sot ata duhet të jenë pjesë e sistemit dhe e shoqërisë së Kosovës.

Ngritja e memorialit në Kosovë për viktimat hebraike të Holokaustit në maj 2013, paraqet një hap më pranë miqësisë mes kosovarëve dhe komunitetit hebre. Ky memorial dëshmon se ky është vendi ku pjesëtarët e komunitet hebrenj ishin të mirëpritur, një vend ku ata gjetën shpëtim. Po ashtu, kjo pllakë në kujtim të hebrenjve të Kosovës është dëshmi se populli ynë nuk do t’i harrojë kurrë. Vendi për ngritjen e memorialit është i përzgjedhur, shënon vendin ku qëndronte Sinagoga e fundit. Ajo u shkatërrua nga regjimi komunist në vitin 1963 për t’u zëvendësuar me arkitekturën socrealiste, siç ishin shkatërruar edhe objektet e tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përfshirë pazarin e vjetër të qytetit.

Një hap tjetër në të ardhmen mund të jetë ndërtimi i një sinagoge apo edhe një shtëpie-muze për të mirënjohur rolin e tyre në histori dhe kjo do të jetë një qendër e promovimit të identitet kulturor të tyre. Së dyti, Kosova është shumë e vendosur në rrugën e saj të sekularizmit, por në kalendarin zyrtar të festave të Kosovës është e rëndësishme që të përfshihen edhe dy ditë të shenjta të hebrenjve, si ‘dita e shlyerjeve’ (Yom Kippuri) dhe pashkët e hebrenjve (Passoveri). Së treti, në ligjin e ri për bashkësitë fetare në Kosovë, komuniteti hebrenj ka qenë pjesë e debateve mbi natyrën dhe qëllimin e këtij ligji. Por ne duhet të sigurojmë që ata të njihen si bashkësi fetare, sikur edhe të tjerët në Kosovë. Së fundi, të shqyrtohet mundësia e pjesëmarrjes së një përfaqësuesi të këtij komuniteti si pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete që vepron në kuadër të zyrës së Presidentes së Kosovës.

Këta hapa do të krijonin parakushtet që hebrenjtë e Kosovës të ndihen të barabartë në shoqërinë tonë si të gjitha komunitetet tjera, dhe të bëhen pjesë e ndërtimit të Kosovës europiane. Në këtë mënyrë ne vazhdojmë traditën e paraardhësve tanë, të cilët në një kohë historike shpëtuan dhe mbrojtën hebrenjtë, ndërsa ne sot atyre ju ofrojmë mbrojtje dhe njohje përmes ligjeve dhe institucioneve të Kosovës. Shumë emra të adhuruar, politikanë dhe diplomatë perëndimorë në Kosovë që ndërlidhen me mbrojtjen dhe shpëtimin tonë më 1999 janë të origjinës hebraike që sot jetojnë në SHBA apo në Europë. A nuk duhet të bëjmë ne diçka me shumë për diasporën e tyre në Kosovë?

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Konflikti Izrael-Palestinë, Rama: Nuk ka zgjidhje të qëndrueshme me Hamasin pjesë të tablosë

Shqipëria beson në mënyrë të palëkundur në zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë me dy shtete

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023