Qendra e Ekselencës së Teknologjisë, eksperti izraelit Roi Shaposhnik: Kontribuojmë në sigurinë e Shqipërisë
Universiteti “Western Balkans” në bashkëpunim me Gold N’ Links themelojnë Qendrën e Ekselencës së Teknologjisë.
Universiteti “Western Balkans” në bashkëpunim me kompaninë izraelite Gold N’ Links themelojnë Qendrën e Ekselencës së Teknologjisë.
Presidenti i Universitetit Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe përfaqësuesi i kompanisë izraelite, Noam Frank nënshkruan marrëveshjen e themelimit.
Qendra e Ekselencës së Teknologjisë synon të sjellë në Shqipëri eksperiencën më të avancuar izraelite në fushën e teknologjisë.
Ajo do të ofrojë një sërë shërbimesh si për sektorin privat dhe për atë publik, duke filluar nga teknologjia e informacionit, siguria kibernetike, shërbime financiare dhe administrative, ekspertizë ekzekutive dhe teknike në industrinë përkatëse.
Eksperti izraelit i teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, Roi Matis Shaposhnik në një intervistë për televizionin ABC tregon: “Kombinimi i njohurive tona me njerëzit e mrekullueshëm, të rinjtë, është një mundësi e rrallë për të ndërtuar një ekosistem të tillë në Shqipëri dhe në rajon. WBU është një pikë shumë e rëndësishme që na shtyn të përcjellim idetë dhe moton tonë, të mendosh shumë për të çuar Shqipërinë drejt së ardhmes. Ne jemi vendi më i madh në botë kur bëhet fjalë për teknologjinë dhe inovacionin. Do të kontribuojmë në sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe do të aftësohemi për të krijuar një të ardhme pa frikë për të gjithë“.
Kompania izraelite Gold N’ Links ofron zgjidhje teknologjike dhe produkte të personalizuara për mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike si për koorporatat ashtu dhe për institucionet qeveritare në mbarë botën.