Albin Kurti: Kombi shqiptar dhe ai hebre kanë të histori të përbashkët
Kryeministri: Kosova gëzon një diversitet të pasur kulturor që pasurohet më tej nga gjurmët e kulturës hebraike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kombi shqiptar dhe ai hebre kanë të histori të përbashkët, të shtypjeve dhe persekutimit që pësuan në periudha dhe vende të ndryshme, por një histori që triumfoi me lirinë dhe çlirimin për të dy kombet. Këtë deklaratë Kurti e bëri në pritjen e organizuar nga Ambasada e Izraelit në Kosovë, në shënim të festës Hanukkah.
Hanukkah, siç tha Kurti, është një festë e historisë së fuqishme të çlirimit, në të cilën Makabinjtë çliruan popullin hebre nga dominimi dhe rishenjtëruan Tempullin e Dytë në Jerusalem.
Populli shqiptar i Kosovës, siç tha Kurti, ka qëndruar pranë popullit hebre, në kohët më të vështira gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku dhjetëra familje shqiptare strehuan hebrenjtë dhe i ndihmuan ata të shpëtonin nga më e keqja.
“Shumë vite më vonë, një histori e ngjashme u përsërit, por këtë herë populli shqiptar i Kosovës ishte në nevojë. Familjet hebreje në Izrael ishin ato që hapën dyert e strehimit për shumë prej refugjatëve tanë. Dhe, kjo histori solidariteti mes popujve tanë, po hedh tashmë themelet e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona”, tha Kurti.
Bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve , sipas kryeministrit, po zhvillohet në shumë fusha: arsim dhe kulturë; arkiva dhe kinematografi; bashkëpunim ekonomik; bujqësi dhe sektor të ujit; shkencë, teknologji dhe inovacion; shëndetësi dhe mjekësi, si dhe shumë fusha të tjera me interes të përbashkët.
“Kosova gëzon një diversitet të pasur kulturor, ku kultura të ndryshme gjatë shekujve kanë lënë gjurmë të prekshme dhe të paprekshme. Dhe ky diversitet kulturor pasurohet më tej nga gjurmët e kulturës hebraike dhe të komunitetit hebre, të cilat shtrihen në shekuj në historinë tonë:”, ka deklaruar Kurti.
Për të forcuar më tej këtë lidhje kulturore dhe shpirtërore ndërmjet dy vendeve, Kurti përmendi themelimin e Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren. “Kjo qendër do të vendoset në objektin e trashëgimisë kulturore në kuadër të Qendrës Historike, ndërsa pas restaurimit dhe përshtatjes do të vendoset një sallë lutjesh – një sinagogë dhe muze që tregon historinë e miqësisë mes kombeve tona”, deklaroi ai.
“Ne synojmë ta kthejmë këtë qendër në një pikë lidhëse për bashkëpunim kulturor ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe me shtetet e tjera me popullsi të konsiderueshme hebreje. Për t’iu kthyer festës së sotme, më lejoni të përfundoj fjalën time duke ritheksuar se Hanukkah është një festë e shpresës, lirisë dhe fitores. Është një mundësi për ne që të kremtojmë vlerat tona të përbashkëta dhe të jemi mirënjohës për lidhjet e forta të prosperitetit që kemi krijuar si vende demokratike e multikulturore”, deklaroi Kurti.
E në fund, siç tha kryeministri i Kosovës, emri ‘’Hanukkah’’ vjen nga fjala hebraike për ‘’përkushtim’’.
“Prandaj dëshiroj t’iu ftoj të gjithëve t’ia përkushtojmë këtë rast përpjekjeve tona të përbashkëta për një botë më paqësore. Le të ripërkushtohemi për të bërë gjithçka që mundemi për të ndriçuar urrejtjen, në mënyrë që t’i japim fund urrejtjes. Le të kujtojmë se në fund, drita gjithmonë do të triumfojë mbi errësirën dhe liria do të lulëzojë kundër shtypjes. Ndërsa qirinjtë janë ndezur këtë stinë, ju uroj të gjithëve një Festival të Dritave të lumtur dhe të begatë”, tha në fund shefi i qeverisë së Kosovës.