Instituti Amerikan: Në Shqipëri nuk ka antisemitizëm, raporte të shkëlqyera me hebrenjtë
Ndjenja e miqësisë hebraiko-shqiptare ka rezultuar edhe në marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Izraelin.
Në Ballkanin Perëndimor, megjithëse nuk ka shprehje të hapur të anti-semitizmit dhe retorika e urrejtjes është e kufizuar, anti-semitizmi dhe format e tjera të fjalorit të urrejtjes dhe ksenofobisë kanë potencialin të rriten. Në këtë përfundim arrin Projekti Beacon (Fanari) i Institutit Ndërkombëtar Republikan.
Projekti ka analizuar retorikën, fjalimet, dhe forma të tjera të shprehjes së anti-semitizmit në Shqipëri, Kosovë, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi dhe i ka trajtuar këto të dhëna në kontekstin e zhvillimeve rajonale politike, sociale e historike për të nxjerrë në pah nevojën për forcimin apo hartimin e politikave të reja për trajtimin e këtij rreziku të mundshëm.
Instituti Ndërkombëtar Republikan thotë se raporti i Projektit Beavon është pasqyrë e situatës aktuale që mund të shërbejë si bazë studimore për analiza e krahasime në të ardhmen. Raporti i publikuar më 15 prill 2021 u është ofruar vendim-marrësve në nivel lokal e shtetëror dhe pjesëtarëve të komunitetit hebraik në Ballkanin Perëndimor.
Kapitulli mbi Shqipërinë
Në kapitullin për Shqipërinë, raporti arrin në përfundimin se anti-semitizmi është vetëm zbehtazi i pranishëm në median vendase. Rasti më i spikatur janë teoritë konspirative për rolin e George Sorosit në proceset politike të Shqipërisë. Raporti veçon Partinë Demokratike si një ndër zërat kryesorë që theksojnë dhe përhapin teorinë se George Soros, biznesmeni i fuqishëm që ka mbështetur organizata të shumta joqeveritare në mbarë botën, kontrollon sistemin gjyqësor dhe financon e mbështet parti, organizata e lëvizje majtiste.
Analiza e projektit thekson se kjo retorikë nuk përbën në vetvete një shembull të mirëfilltë të gjuhës së urrejtjes, por të përhapjes së dezinformimit. Deri tani, thotë studimi, nuk ka të dhëna se këto raste kanë thelluar tensionet etnike e nacionalizmin që mund të ndikojë negativish të popullata hebraike.
Raporti vë në dukje se mbetet mbizotëruese ndjenja e miqësisë hebraiko-shqiptare e trashëguar që nga Lufta II Botërore e që ka rezultuar edhe në marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Izraelin.
Raporti vazhdon më tej se megjithëse anti-semitizmi nuk ka hedhur rrënjë në Shqipëri, me hapjen e vendit dhe ekspozimin ndaj “patologjive fetare” siç thuhet në konkluzionet e studimit, vërehet përhapje e ndjenjave anti-semitike ndër grupet ekstremiste islamike gjë që tregon se megjithtëse anti-semitizmi nuk ka rrënjë kulturore në Shqipëri, vendi nuk është imun ndaj ideologjive të tilla.
Raporti vëren se aspiratat e Shqipërisë për antarësim në BE e bëjnë edhe më të rëndësishme dhe qendrore vëmendjen ndaj gjuhës së urrejtjes, përfshirë anti-semitizmin.
Raporti rekomandon metoda gjithëpërfshirëse e të koordinuara për të luftuar anti-semitizmin. Teoritë që e portretizojnë George Sorosin si një figurë që kontrollon proceset politike në Shqipëri, apo si ideator i një lëvizjeje globaliste majtiste që do të kërcënonte rendin në ekzistues kanë hyrë në diskutimin e përgjithshëm politik, vëren raporti. Ky mbetet rasti më i spikatur. Megjithëse ka shprehje anti-semitike në median sociale, nuk duket se janë të drejtuara ndaj hebrenjve apo Izraelit në përgjithësi.
Shqipëria, këshillojnë autorët e raportit, duhet të hetojë, ndjekë penalisht dhe ndëshkojë autorët e krimeve të urrejtjes. Nuk duhet të lërë pas dore as akte në dukje të vogla, pasi këto ofrojnë mundësinë më të mirë për të ndërhyrë sa nuk është vonë.
Po sipas studimit, Shqipëria duhet të përmirësojë grumbullimin e të dhënave mbi krimet dhe të përgatisë kuadrin gjyqësor për të trajtuar raste të gjuhës së urrejtjes. Ky duhet të jetë një proces i vazhdueshëm me të gjithë personelin e ri që futet në sistemin e drejtësisë dhe rendit.
Autorët këshillojnë informimin e brezit të ri mbi analizimin e informacionit që gjejnë në median sociale, mbi teoritë konspirative për hebrenjtë dhe mbi rrezikun e gjuhës së urrejtjes. Po ashtu, vazhdon raporti, Shqipëria duhet të mbështesë më shumë shoqërinë civile, sidomos organizatat që përdorin median sociale për të rritur ndërgjegjësimin në popullatë për problemet e teorive konspirative, apo shoqata të cilat luftojnë mitet dhe ofrojnë shpjegime të besueshme kundërthënëse ndaj këtyre teorive.
Studiuesit theksojnë se me rëndësi thelbësore janë burimet e besueshme të informimit, të cilat shërbejnë për t’iu kundërvënë teorive konspirative dhe dezinformimit. Gazetarët duhet të raportojnë me përgjegjshmëri, të përdorin burime të verifikuara dhe të sigurohen se nuk po u bëjnë jehonë teorive kospirative dhe interpretimeve anti-semitike. Ka rëndësi, përfundojnë autorët e raportit, që gazetarët të përgatiten dhe trajnohen për të raportuar mbi këto probleme./VOA