Akad. Skënder Gjinushi: Akademia jonë e Shkencave, si simotrat në Europë për Holokaustin

Fjala e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave në Konferencës Shkencore Ndërkombëtare kushtuar Shqiptarëve dhe Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore


Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e Lëvizjes Kundër Antisemitizmit (Combat AntiSemitism Movement) dhe pjesëtare e International Holocaust Remembrance Alliance (IHRA), në konferencën shkencore ndërkombëtare: “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”

***

Fjala e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e Lëvizjes Kundër Antisemitizmit (Combat AntiSemitism Movement) dhe pjesëtare e International Holocaust Remembrance Alliance (IHRA), në konferencën shkencore ndërkombëtare: “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”

I nderuar ministër Esavi (Issawi) Frej;

I nderuar z. Hilik (Yehiel) Bar, zëvendëskryetar i Knesset-it të Izraelit;

I nderuar z. Eitan Drori, President i Lidershipit Botëror të Izraelit
(Global Israeli Leadership);

I nderuar z. Mikael Gejps, anëtar i Parlamentit Britanik;

I nderuar z. Itzhik Shmuli, anëtar i Knesset-it të Izraelit;

I nderuar z. Itzhik Moshe, Zëvendëspresident i Aleancës Europiane për Izraelin dhe President i Shtëpisë së Israelit të Azerbajxhan;

Të nderuar profesorë Shaul Janaj e Ido Liebovitz;

I nderuar z. Indrit Kolleshi, kryetar i Shtëpisë së Izraelit në Shqipëri;

Të nderuar përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve kërkimore-shkencore të kujtesës, posaçërisht të
dokumentimit dhe certifikimit të pasojave të katastrofës më të madhe të shekullit të 20-të, Holokaustit;

Të nderuar akademikë e profesorë të pranishëm në këtë konferencë;

Shkëlqesi, përfaqësues të trupit diplomatik,

Të dashur miq e bashkatdhetarë hebrenj, të nderuar përfaqësues të
familjeve strehuese të hebrenjve gjatë Holokaustit,

Mirëseerdhët në këtë konferencë, të cilën Akademia e Shkencave e ka organizuar bashkërisht me Shtëpinë e Izraelit në Shqipëri (Israeli House of Albania), në nderim e reflektim për Ditën e Kujtesës, ditën e homazhit për mbi 6 milionë jetë njerëzore të humbura për shkak të urrejtjes racore të shprehur në formulën naziste çrrënjosje përfundimtare.

Ne e çmojmë shumë që ju keni ardhur të bashkoheni me ne në këtë ditë të shenjuar dhe dua t’ju pohoj me modesti e kënaqësi se jeni pikërisht në mjediset e një institucioni ku u hartua, u propozua e u mbrojt në Kuvend 20 vjet më parë Ligji për Ditën e Kujtesës; ku u shkrua dhe u adresua kërkesa e aderimit institucional me Lëvizjen kundër Antisemitizmit (Combat anti-Semitism) dhe kërkesa tjetër për pranimin e përkufizimit të sotëm të anti-semitizmit sipas konceptit të propozuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (International Holocaust Remembrance Alliance – IHRA).

Akademia jonë e Shkencave, ashtu si simotrat e saj në Europë e në
Botë, ka për mission themelor kultivimin e zhvillimin e të vërtetave
shkencore, përfshirë ato historike. Ajo, me prioritet dhe me shumë
përgjegjësi, nëpërmjet botimeve dhe konferencave të organizuara prej saj, ka vënë në pah disa nga vlerat morale e politike kombëtare të shoqërisë dhe të popullit shqiptar, siç janë antifashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore e më këndej, karakteri europian dhe unik i identitetit shqiptar, njësia e gjuhës letrare shqipe, konvergjenca e bashkëjetesa fetare, që përbëjnë kauza koherente dhe konstante tonat. E po këtij rendi është për ne edhe përurimi i vlerave njerëzore që kanë të bëjnë me rezistencën e përbashkët dhe bashkëjetesën e shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Shoah, si dy popuj që rezistuan bashkë në vendin tonë ndaj dhunës nazifashiste dhe nuk e shitën njëri-tjetrin.

Ne nuk e konsiderojmë Holokaustin çështje të arkivuar a si çështje
thjesht të historisë. Dhuna, agresioni e deri pushtimet në formë klasike, janë shfaqur sot në zemër të Europës. Situata e sotme në Ukrainë është dëshmia më e qartë se urrejtja për shkak të dallimit, etnik, gjuhësor, fetar apo thjesht të orientimit gjeopolitik është bërë e vazhdon të bëhet shkak për forma të reja dhune kolektive, në formën e gjenocidit, etnocidit, urrejtjes fetare e krahinore, që ne shqiptarët i kemi provuar jo më larg se deri para 15 vjetësh. Urrejtësit janë gjallë dhe afër nesh.

Prandaj nuk na lejohet ta shohim gjithë çfarë ndodhi gjatë Shoah me luksin e pozicionit ex cathedra. Thelbi i Ditës së Kujtesës është reflektimi, profilaksia ndaj infektimit prej fjalës dhe veprimit të urrejtjes. Prandaj kemi zgjedhur si slogan të veprimtarisë së sotme me titullin e një poezie të Edgar Allain Poe-s Never more, Never again, Kurrë më.

Ditët e përkujtimit kanë shërbyer shpesh për të shtruar pyetje
thelbësore, si në Forumin Ndërkombëtar të Holokaustit që u mbajt në Stockholm në vitin 2000, ku u rekomandua që në vend të termit
Holokaust të përdorej Shoah, sepse holokausti rrezikonte t’i jepte qëllim fisnik ideologjisë së zhdukjes me zjarr, nisur prej burimit. Para historianëve, antropologëve e dijetarëve në përgjithësi mbeten ende pyetje të tjera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore humbën jetën 6 milionë.

Një individ a grup mund të quhet viktimë, por një popull i programuar për t’u zhdukur në zbatim të një idelogjie raciste nuk mund të quhet thjesht viktimë.

Akademia jonë e Shkencave është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e vendit për pasaportat e shenjave të kujtesës
kushtuar 3750 hebrenjve që hynë dhe mbijetuan në Shqipëri gjatë
Luftës së Dytë Botërore; për nderimin e disa qindra familjeve
shqiptare strehuese të tyre në atë periudhë të rrezikshme; në mënyrë të veçantë për një memorial dedikuar 17 hebrenjve dëshmorë të luftës antifashiste që luftuan përkrah shqiptarëve për lirinë e popullit tonë.

Të gjitha këto të dhëna mund dhe duhet të depozitohen në Muzeun Kombëtar e Kulturës Hebraike që po ndërtohet në Vlorë, në një amzë të posaçme. Për të gjitha këto ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet e kujtesës në Izrael, me Institutin e Muzeun Yad Vashem, me Akademinë e Shkencave të Izraelit dhe me universitetet e atjeshme. Në Shqipëri gjendet një bankë e vërtetë të dhënash për praninë këtu të hebrenjve ndër shekuj, që prej inkuizicionit deri sot.

Mbi 20 mijë fletë dokumente presin thellimin e studiuesve për
nxjerrjen e të vërtetave. Akademia e Shkencave do të mbështesë me përparësi programet dhe nismat shkencore në këtë fushë.

Faleminderit për vëmendjen dhe punime të mbara konferencës.

www.akad.gov.al

Lexo më shumë

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023