Shqipëria në kohë të rënda ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë!
Fjala e plotë në seancën plenare të posaçme “Përkujtimi i viktimave te Holokaustit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit”
Nga Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Kolege e kolegë deputetë,
Këtë sesion përkujtimor e organizojmë në përkujtim të njerës prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë moderne: Holokaustit.
Gjatë Holokaustit ndodhi e katërta valë e ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, pas valëve të shekullit të parë, për t’i shpëtuar skllavërisë në Romë; të shekullit të 15, për t’i shpëtuar inkuizicionit; të shekullit të 17, për t’i shpëtuar përndjekjes prej perandorisë osmane.
Pra, marrëdhëniet mes paraardhësve të shqiptarëve dhe hebrenjve datojnë para më shumë se dymijë vjetësh. Bashkë kemi qenë jo me vite e dekada, por në shekuj e mijëvjeçarë. I jemi gjendur njeri-tjetrit, sidomos në ditë të vështira.
Nëse shpëton një jetë, ke shpëtuar një botë, shkruhet në librat e shenjtë.
Shqipëria në kohë të rënda ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë, shtëpitë tona si shtëpi rezervë të tyre, besa dhe humanizmi i shqiptarëve si një institucion mbrojtës i tyre prej mizorive.
Ky fakt nuk është njohur vetëm nga ne, as vetëm nga hebrenjtë. Lidhja e Kombeve në vitin 1926 i njohu shtetit shqiptar autoritetin e ligjshëm, si vend i qëndrimit të përkohshëm të hebrenjve.
Në vitin 1935 delegacioni i Kongresit Botëror të Hebrenjve, pasi përfundoi vizitën në Shqipëri, i shkruajti Kongresit se ky vend mund të konsiderohet atdheu ynë rezervë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan. Në vitet e luftës, ndërsa numri i hebrenjve në vende të tjera vinte duke u pakësuar, në Shqipëri erdhi duke u rritur.
Në Shqipëri nuk dolën kurrë ligje antihebreje, përkundrazi, qytetarët dhe institucionet shqiptare i mbrojtën hebrenjtë, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një kohezion kombëtar si rrallë herë në histori.
Sot Shqipëria është lidershipi rajonal i luftës kundër antisemtizmit. Në tetor 2020 miratuam Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit” dhe organizuam, në bashkëpunim me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, Forumin e parë ballkanik kundër antisemitizmit.
Lufta kundër antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi.
Kuvendi ka një bashkëpunim të shkëlqyer e në rritje me Knesset-in, e cila u konkretizua edhe gjatë vizitës sime në Izrael, në tetor të vitit të kaluar”