I nderuar me “Çmimin e Jeruzalemit”, Ismail Kadare: Në Izrael vlerësohet letërsia!

Shkrimtari Ismail Kadare ishte fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi për vitin 2015.


Shkrimtari Ismail Kadare ishte fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi për vitin 2015. Rudina Xhunga e intervistoi Kadarenë menjëherë pas marrjes së çmimit.
Çmimi i Jeruzalemit, që në qarqet letrare botërore, konsiderohet si pararendës i Nobelit për letërsi, iu dha shkrimtarit shqiptar që më shumë se gjysmën e veprës së tij e kishte shkruar në robëri.

Kadare nuk u rrëfye vetëm për letërsinë, për çmimin dhe për librat e tij shumëgjuhësh me gazetaren Rudina Xhunga. Kadare foli si autoritet intelektual për eksodin e  shqiptarëve çerek shekulli më parë, për eksodin e shqiptarëve të Kosovës tani në vitin 2015, për debatin e vjetër dhe të ri të hapjes së dosjeve në Shqipëri, për përplasjet globale dhe identitetin e Ballkanit në këto zhvillime dhe për fuqinë e ndriçimit të brendshëm të një populli që po përpiqet të kapërcejë tranzicionin.

Shkrimtari Ismail Kadare,  fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi për vitin 2015 dhe gazetarja Rudina Xhunga

Motivacioni i Çmimit të Madh të Jeruzalemit

Ismail Kadare, autor shqiptar me talent të rrallë, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX dhe XXI. Shumë prej librave të tij janë ndërtuar rreth të shkuarës historike dhe kujtesës kolektive të popullit shqiptar, si dhe denoncojnë shtypjen e regjimeve totalitare që vazhdonin në Shqipëri.

Historitë pasionante që rrëfen Ismail Kadareja janë  servirur me një shkrim thumbues, të rrethuara nga një bukuri e madhe poetike dhe stil mbresëlënës. Karakterizohen nga personazhe të pasura, me shumë zëra, me përshkrime të bollshme peizazhezh, me një mendjehollësi të fuqishme, rrëfim që endet shpesh midis ndërgjegjes së brendshmes dhe të jashtme të personazheve. Ismail Kadareja përdor perspektiva të ndryshme, ikje dhe kthime të ndryshme në kohë dhe hapësirë, dhe zbulon pa ndërprerje kufijtë e depërtueshëm të realitetit dhe imagjinatës, të komikes e të tragjikes.

Ismail Kadareja shkruan mbi fajin kolektiv e në veçanti mbi  kërkimin e të vërtetës. Ai kërkon të zbulojë, duke e mbuluar qasjen e tij nëpërmjet miteve e metaforave, pyetje të mbetura pa përgjigje e krime të pafalshme. Edhe pse subjektet dhe heronjtë e preferuar të Kadaresë janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre janë pa dyshim universale.

Struktura mahnitëse e veprave të tij karakterizohet nga  larmia e zërave, një bashkim kontradiktash e paradoksesh që ndikojnë fatin e kolektivit dhe shprehin mjerimin e individit. Duke qenë të ndërgjegjshëm për karakterin unik të angazhimit e tij humanitar, vendosëm t’i japim këtij autori Çmimin e Jerusalemit, për të vlerësuar lirinë e njeriut, e cila është nën kërcënim të vazhdueshëm në shoqërinë bashkëkohore.

Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin dhe Ismail Kadare


PJESË NGA INTERVISTA

Rudina Xhunga: Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme ceremonia e çmimit, në YMCA,  Jeruzalem. Çfarë lloj çmimi është ky në kategorinë e çmimeve tjera që ju keni marrë?

Ismail Kadare: Është e vërtetë që dimensionet e kremtimit të tij janë shumë të ndjeshme, shumë të fuqishme. Ishte presidenti i vendit, i cili foli relativisht gjatë, gjë e rrallë, dhe foli si profesionist, duke analizuar veprën në mënyrë konkrete. Presidenti paraardhës,  ishte gjithashtu njohës dhe mik i letërsisë, unë e kam takuar disa herë, madje një herë ka bërë diçka të çuditshme. Me rastin e daljes së librit tim “Piramida” u bë një promovim për botimin në gjuhën hebraishte. U habita kur më thanë do ta kryesoj vet Shimon Perez. E kryesoi takimin si profesionist, me librin përpara, me nënvizime, duke theksuar anë të ndryshme. Dmth në këtë vend ka një traditë shumë të bukur që çmohet letërsia në nivelin më të lartë. Ky vend ka një status për t’u pasur zili në botë.

Rudina Xhunga: Presidenti në fakt më bëri përshtypje kur fliste për librin tuaj “Aksidenti”. Menjëherë shkova më pas ta gjeja librin në hebraisht. Kishte shumë libra të tjerë tuaj, të botuar. Këtu, ju keni shumë lexues .

Ismail Kadare: Libri “Aksidenti”, është një libër i imi, i zakonshëm, nuk është as ndër të shquarit, as ndër ata më të paktët, si të thuash. Për çudi këtu ka pasur përhapje dhe sukses të ndjeshëm. Ky është fakt. Edhe unë u çudita kur përmendi disa herë këtë roman, siduket i ka pëlqyer mjaft.

Ismail Kadare dhe kryetari i Bashkisë Jerusalem, Nir Barkat

 


Rudina Xhunga: Më ka bërë përshtypje, kur kam intervistuar dy shkrimtarë izraelitë Amos Oz  dhe David Grossman dhe të dy  flisnin për ju. Madje nuk harroj fjalën e Amos Oz: “Ka hapur një dritare për mua për të njohur Shqipërinë, e kam njohur nëpërmjet tij”.
Çfarë bisede bën një shkrimtar me një shkrimtar tjetër?

Ismail Kadare: Është shumë e lehtë kur niveli i shkrimtarëve është pak a shumë i njëjtë, psikologjia e tyre është pak a shumë e ngjashme. Tjetër gjë është kur një shkrimtar është tepër i njohur, tjetri më pak i njohur e që dëshiron të njihet dhe bëjë karrierë por ska arritur ende.

Rudina Xhunga: Jeni ju i pavëmendshëm ndaj çmimeve? I keni marrë të gjithë çmimet që keni dashur?

Ismail Kadare: Në botë ka shumë çmime, por njeriu nuk mund të dalldiset pas çdo çmimi që merr.  Çmimet kryesore dihen kush janë, unë kam marr disa ndoshta shumicën e çmimeve kryesore, që është Man Booker Prize, i cili jepet nga Britania e Madhe. Është çmimi që jep Spanja , çmimi Princi Asturias, ka disa ditë që është bërë Princesha Asturias ngaqë Princi u bë Mbret. Çmimi tretë më i rëndësishëm është ky i Jerusalemit megjithëse nuk mund të thuash se është aq i njohur sa këta në planin e përditshëm, por është  shumë i fuqishëm, i theksueshëm nga ana morale, edhe temën e ka të bukur, jepet për lirinë në letërsi. Një çmim që e çmojnë shumë sidomos shkrimtarë që vijnë nga një botë problematike, nga një botë ende e pasqaruar mirë, siç është bota ish komuniste, ende me arkiva të mbyllura. Unë e thashë dje edhe në fjalim, që Shqipëria është shteti i fundit në hapjen e dosjeve sekrete. Liria është gjëja më sublime që ka krijuar njerëzimi, madje qëndron mbi njerëzimin vet. Nëse mund të mburret njerëzimi me diçka është se ka krijuar paradigmën e lirisë, por që ai ende nuk e arrin dot. Njerëzimi është nën nivelin e lirisë.

 

Rudina Xhunga: Dua t’i rikthehem dhe një herë tek çmimi, çmimi që ju morët në Izrael, fakti që përmendet në gazetat e rëndësishme të Izraelit, se është hera e parë që një musliman merr çmimin e madh të Jerusalemit.

Ismail Kadare: Ju e dini se unë nuk besoj se do ta merrja çmimin për këtë arsye, nuk besoj se  luan ndonjë rol, të paktën për mua jo, për shqiptarët jo. Unë jam një shqiptar dhe kur vjen fjala për besimin fetar,  kam një nga katër besimet që ekzistojnë në Shqipëri, por kaq. Mesa duket për një kategori këtu ka një lloj kuptimi simbolik, kuptimi është pozitiv, është një dëshirë për afrim, dëshirë për mirëkuptim, komunikim.

Rudina Xhunga: Ndërkohë nuk ishte çelësi fjalimit tuaj fakti se jeni musliman, çelësi i fjalimit tuaj ishte  një keqkuptim i madh ballkanik se kush mbrojti më shumë hebrenjtë.

Ismail Kadare: Do të përdorja një paradoks të vogël, keqkuptim i bukur do ta quaja, që meriton një urim. Në vend se të bënim sherr se kush denoncoi  më shumë hebrenj, një sherr i mbrapshtë, i keq, i turpshëm, po bëjmë një sherr të kundërt, kush i mbrojti më tepër. Nëqoftëse ky është një stil i ri vizionimi në Ballkan, do të ishte një gjë e mrekullueshme. Nuk jam kaq optimist sa ta pranoj, por një prirje e mirë është, prandaj unë e përmenda si një prirje pozitive në gadishullin e shquar për prirje negative.

Rudina Xhunga: Shqipëria në fakt është zyrtarisht e pranuar si një vend që i ka mbrojtur hebrenjtë, nuk ka më dyshime.

Ismail Kadare: Shqipëria, Danimarka, Bullgaria janë 3 shtetet e pranuara zyrtarisht në mbrojtjen e hebrenjve, Shqipëria është në vendin e tre të parëve. Ka shumë shtete që kanë dashur ta marrin këtë status, nuk e kanë marrë. Hebrenjtë janë shumë të kujdesshëm dhe bëjnë mirë që nuk duan të besojnë se nuk ka pasur mbrojtje atje ku nuk ka pasur.

Marrë me shkurtime nga: Dritare.net

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Konflikti Izrael-Palestinë, Rama: Nuk ka zgjidhje të qëndrueshme me Hamasin pjesë të tablosë

Shqipëria beson në mënyrë të palëkundur në zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë me dy shtete

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023