Prof.Dr. Petrit Zorba: Shqipëria, simbol në botë për shpëtimin e hebrenjve!
Fjala e Prof.Dr. Petrit ZORBA, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri Izrael në aktivitetin e përbashkët me Gjimnazin “Sami Frashëri”, në kuadër të ditës ndërkombëtare të kujtesës 27 janar, dita e përkujtimit të Holokaustit.
Nga Prof.Dr. Petrit ZORBA
Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael
E nderuar Znj. Majlinda ZIU,
Të nderuar përfaqësues të familjeve të nderuara,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar nxënës,
Ju falenderoj për këtë bashkëpunim dhe natyrisht gadishmërinë e treguar nga ana e shkollës tuaj që mbështetën këtë propozim të SHMSHI, për të organizuar së bashku, këtë takim në kuadër të ditës ndërkombëtare të kujtesës 27 janar, dita e përkujtimit të Holokaustit.
Si shkak i këtij propozimi nga ana jonë ishin dy gjëra:
– E para: para disa kohësh pata një informacion mbi përkthimin më të fundit nga gjuha hebreje, nga miku i shoqatës dhe pedagogu i gjuhës hebreje në universitet, Z. Alban Rreli, që kish përcjellë nga origjinali në gjuhën shqipe, një libër me titull “Fotoja që na shpëtoi jetën”, dedikuar një familje shqiptare që kish dhënë një kontribut të veçantë gjatë LDB. Ky libër për më tepër ishte shpallur dhe si “the best book” për vitin 2022 në Izrael për fëmijet, dedikuar moshave deri në 17 vjeç; ndërkohë që sa jemi në dijeni po punohet për ta përfshirë në kurrikulat e shkollave shqiptare në USA.
Kësisoj së bashku me një libër të Zonjës Anna Kohen, një pasardhëse e një familje hebreje e mbijetuar në Shqipëri dhe që sot jeton në USA, e cila ishte në muajin nëntor 2022 për të promovuar në gjuhën shqipe librin me titull “Lulja e Vlorës”, mendova dhe ja kam sugjeruar javë më parë nivelit më të lartë në Ministrinë e Arsimit se, këto dy publikime do ishte mirë të përfshiheshin në kurrikulat edhe të shkollave në Shqipëri e pse jo dhe në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut.
Por jo vetëm kaq, ideja shkon më tej, që këto dy botime do të ishte shumë e sugjerueshme të përkthehen dhe në gjuhë të tjera.
– Së dyti: Duke ju referuar një koncepti të njohur në SHBA, ku çdo individi që shkon për studime apo si emigrant, i kërkohet të bëjë diçka dhe për vendin e tij nga ka ardhur, mendova në respekt të shkollës sime, pse mos bëj diçka më shumë për shkollën “Sami Frasheri”, ku fiks 50 vite më parë (1972-1973) unë kam qenë në bankat e kësaj shkolle.
Ndërkohë, pse jo të ftonim, dhe një pjesëtar të familjes së Refik Veselit, trashigimtarët e së cilës banojnë këtu afër shkollës, dhe të ndanin disa mbresa dhe mendime në lidhje me këtë tematikë, pasi dhe ky libër “Fotoja që na shpëtoi jetën” i dedikohet kësaj familje.
Në se shkolla juaj mban emrin e një rilindasi, atë të Sami Frashërit, më duhet tju kujtoj se sot një shkollë në Berlin, nuk mban emrin e ndonjë figure të njohur të historisë apo kulturës gjermane, por mban emrin e shqiptarit Refik Veseli.
Sigurisht ky takim sot në shkollën tuaj ka dhe një synim tjetër; për ti përcjellë brezave të rinj një informacion më të plotë duke ju prezantur me një histori dhe rast konkret, ndër qindra raste që janë të njohura dhe janë pjesë e historisë dhe si një pazëll i plotë paraqesin atë çka ka
bërë populli ynë dikur, pa dallim krahinash, pasurie, feje apo orientimi politik, duke treguar të njëjtin qëndrim dhe sjellje në mbrojtje të jetëve njerëzore në rrezik në vitet e LDB.
Një gjë e tillë konsiderohet sot mjaft e vlerësueshme në botë dhe ne të gjithë së bashku ndjehemi krenar për atë çka kanë bërë prindërit apo gjyshërit tanë, më se 80 vjet më parë.
SHMSHI që në fillimet e saj ka synuar ndër të tjera pikërisht dhe evidentimin dhe nderimin e atyre familjeve që kanë dhënë kontribut në mbrojten e hebrenjëve gjatë LDB.
Personi i parë i nderuar me Titullin «I Drejtë Ndër Kombe» nga institucioni i « Yad Vashemit » në Izrael është pikërisht familja e Z. Refik Veseli.
Ndërkohë, po ashtu më pas në kohë, me propozimin e SHMSHI, kjo familje, si shumë të tjera është nderuar me titullin « Nderi i Kombit » nga Presidenti i Republikës, si dhe së fundmi « Simboli i Qytetit » nga Kryetari i Bashkisë Tiranë.
Ndërkohë, duke qenë se shkolla juaj është bërë e re, pas pasojave të tërmetit, ne si shoqatë menduam të ofrojmë, sapo libri të dalë nga botimi në gjuhën shqipe, jo vetëm një promovim të parë pranë shkollës suaj, por natyrisht ti ofrohen si dhuratë dhe disa libra, për bibliotekën
tuaj.
Po ashtu më duhet tju them se SHMSHI në të shkuarën ka mundësuar për dy nxënës të shkëlqyer të shkollës «Sami Frashëri» që të vijonin studimet universitare me bursa, në një prej universiteteve më të njohura në botë, atij të Techion-it në Izrael, i cili është themeluar nga Anshtajni në vitin 1925 dhe renditet ndër 30 universitetet e para në botë, ku një pjesë e stafit pedagogjik janë personalitete, që mbajnë çmimin Nobel.
Duke uruar që ky takim të jetë vijimi i një bashkëpunimi të mëtejshëm, më lejoni t’ju falenderoj për praninë tuaj sot, dhe të kemi një ecuri të suksesëshme të aktivitetit.
***
Fjala e Prof.Dr. Petrit ZORBA, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri Izrael në aktivitetin e përbashkët me Gjimnazin “Sami Frashëri”, në kuadër të ditës ndërkombëtare të kujtesës 27 janar, dita e përkujtimit të Holokaustit.
27.01.2023, Tiranë