Mevi Rafuna: “Love in time of Holocaust”, një histori dashurie mes shqiptarëve dhe hebrenjve
Një rrëfim dashurie mes një djali shqiptar me emrin Astrit dhe vajzës hebreje Ana, gjatë Luftës II Botërore.
Nga Mevi Rafuna
Në Ditën Botërore ku shënohet përkujtimi i viktimave të Holokaustit, dje në Prishtinë në Biblotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u promovua libri “Love in time of Holocaust” nga autori Ruzhdi Gashi.
Një rrëfim dashurie mes një djali shqiptar me emrin Astrit dhe vajzës hebreje Ana, gjatë Luftës II Botërore.
Në panelin ku u prezentua libri, moderator ishte gazetari dhe artisti i njohur Mentor Mripa, Demir Reshiti i cili ishte redakor i këtij libri, Hysen Hyseni, kryetar i shoqatës “Bet Izrael Kosova”, Agim Rexhepi kryetar i shoqatës Miqtë e Amerikës si dhe Hamdi Gashi poet dhe moderator i cili lexoi pjesë të shkëputura nga libri para publikut.
Veç librit i cili u vlerësua lartë nga panelistët poashtu u përmend një raport vllazëror mes dy kombeve tona, atij hebre dhe shqiptarë i cili u frocua edhe më shumë gjatë kohëve të errëta për njerëzimin.
Dhe mikëpritja e shqiptarëve u mor si shembull qytetërimi edhe atëherë kur kombet e mëdha europiane, kishin dështuar në këtë aspekt.
Poashtu, në luftën e fundit të Kosovës, përcaktues kryesor të fatit të kombit tonë ishte ndihma e senatorëve dhe kongresistëve amerikanë, me prejardhje hebreje si dhe shumë figura tjera të cilat i shpëtuan Holokaustit sikur Elie Wiesel i cili doli në mbrojtje të Kosovës.
Nobelisti i Paqes Wiesel bashkë me Presidentin Bill Clinton, vizitoi kampet e refugjatëve shqiptarë nga Kosova në Maqedoni, ku nga aty e krahasoi tragjedinë e shqiptarëve të Kosovës, me atë të Holokaustit.
Dashuria kur është e madhe, mbijeton fuqishëm edhe në kohërat e luftës,holokaustit por edhe ato moderne.Eshtë një dashuri që lind, jeton dhe kurorëzohet me fryt në një kohë që lufta bënë kërdinë dhe dy të dashuruarit dhe familjet e tyre ishin rrezikuar dhe nuk ishin të sigurtë nëse mëngjesi i ditës së ardhshme do t’i nxirrte të gjallë.
Romani “Dashuri në kohë Holokausti” tregon historinë e familjes hebraike katër antarëshe Gerson, një çift në të pesëdhjetat, Solomoni [mjek,kardiolog] dhe gruaja e tij Rashel [arkeologe me famë botërore], me një vajzë rreth të njëzetave Juliana [Ana] dhe djalit të tyre dymbëdhjetë vjeçar Davidi, të cilët të ikur nga Austria për të shpëtuar nga kthetrat naziste dhe kanë arritur në Tiranë, ku janë marrë në mbrojtje nga familja shqiptare Kabashi, gjithashtu familje katër anëtarëshe që ua hapi zemrat.
Familja Kabashi është një familje fisnike shqiptare. Kryefamiljari Elez Kabashi i diplomuar për drejtësi në Gjermani punonte si sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Shqipërisë, gruaja e tij Feridja zonja e shtëpisë kishte mbaruar Normalen e Elbasanit.
Astriti, djali i diplomuar për letërsi në Itali, por i dhënë shumë pas muzikës, dhe vajza Shpresa, mësuese e muzikës e një pianiste e talentuar.Kjo familje kishte në pronësi disa dyqane tregtare në Tiranë, dy dyqane në Itali dhe disa prona tjera në fshat.
Astriti është një djal i zgjuar i pashëm i cili dashurohet në shikim të parë me Anën. Vajzën e bukur të familjes hebraike.Kjo dashuri e “ndaluar” mes këtyre dy të rinjëve, jo vetëm vazhdon duke u rritur, por është strumbullari kryesor që mbanë gjallë rrëfimin deri në fund.
“Dashuri në kohë Holokausti” është një libër në të cilin ndihet dashuria për jetën, me të gjithë bukurinë dhe dhimbjen që e shoqëron.
Ishte kjo një përmbledhje e librit nga redaktori Demir Reshiti, ky libër u botua së pari në gjuhën shqipe, në vitin 2019 në Prishtinë, ndërsa dje me 27 Janar 2023, u botua i përkthyer në gjuhën angleze, përkthyer nga Ymrane Miftari.
Autorit Ruzhdi Gashi i urojmë suksese sepse përmes këtij libri ka rrëfyer një të vërtetë historike, e cila mbanë gjallë shpresën se Dashuria do të triumfojë në botë dhe se marrëzia, urrejtja dhe e keqja nuk mund ta mposhtin Dritën dhe ëndrrën njerëzore për një jetë të dinjitetshme, për të gjithë njerëzit kudo në botë.