Netanyahu: Me grusht të hekurt ndaj terroristëve palestinezë!
Komentet e Kryeministrit të Izraelit vijnë pas një sulmi me armë në një sinagogë ku humbën jetën shtatë izraelitë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha të dielën se Izraeli do të kundërpërgjigjet me një grusht të hekurt, të fuqishëm, të shpejtë dhe të saktë ndaj terrorizmit. Komentet vijnë pas një sulmi me armë në një sinagogë ku humbën jetën të paktën shtatë izraelitë, që pasoi një operacioni vdekjeprurës të forcave izraelite ku u vranë të paktën 10 palestinezë. Dhuna midis izraelitëve dhe palestinezëve shpërtheu në prag të një vizite tre-ditore të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Lindjen e Mesme. Ai mbërriti në Egjipt të dielën dhe pritet të shkojë në Jeruzalem të hënën.
Kryeministri Netanjahu tha se Izraeli nuk kërkon përshkallëzim, por njoftoi se qeveria e tij miratoi një sërë masash për luftën kundër terrorizmit.
Megjithatë, ende nuk janë vërejtur shenja se Izraeli po përgatitet për një përgjigje ushtarake në shkallë të gjerë ndaj sulmit të fundit.
Situata e krijuar paraqet një sfidë të madhe për kryeministrin izraelit, i cili u rikthye në pushtet në dhjetor, në krye qeverisë më të djathtë në historinë e vendit, mes premtimesh se do të përmirësojë sigurinë për popullsinë izraelite.
Incidenti që ndodhi të premten, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, është sulmi më i rëndë i kryer nga një palestinez kundër izraelitëve në zonën e Jeruzalemit që nga viti 2008.
“Baba ti je heroi im, sakrifikove jetën tënde për të tjerët. Do të të nderojë përgjithmonë”, tha djali i një nga shtatë viktimave izraelite gjatë një ceremonie varrimi të dielën.
Vrasjet pasuan një operacion vdekjeprurës bastisjeje të forcave izraelite në qytetin e Bregut të pushtuar Perëndimor, Jenin, të enjten.
Ndërkohë, ministria palestineze e shëndetësisë njoftoi se dy palestinezë u vdiqën të dielën nga plagët e marra pasi u qëlluan nga forcat izraelite të sigurisë në dy incidente të ndryshme. Njoftimi për vdekjet u dha ndërsa policia izraelite bllokoi shtëpinë e palestinezit që kreu sulmin në sinagogë të premten.
Para vizitës së kësaj jave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në rajon, Shtetet e Bashkuara kishin bërë thirrje për uljen e tensioneve.
Sekretari Blinken mbërriti të dielën në Egjipt dhe pritet të shkojë në Jeruzalem të hënën.
Në takimin e tij me administratën e re të Izraelit, pjesë e së cilës janë edhe parti ultra-nacionaliste që duan zgjerimin e vendmanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, zoti Blinken pritet të përsërisë thirrjen e Shteteve të Bashkuara për qetësi dhe pritet të theksojë mbështetjen e Uashingtonin për një zgjidhje me dy shtete, megjithëse zyrtarët amerikanë e pranojnë se shanset që bisedimet afagjata të paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve të ndodhin në të ardhmen e afërt, janë të pakta.
Shumica e fuqive botërore i konsiderojnë si të paligjshme vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.
Sekretari Blinken do të udhëtojë edhe në Ramallah për t’u takuar me presidentit e autoritetet palestinez Mahmud Abbas, i cili ende nuk ka komentuar mbi sulmin e së premtes por ka fajësuar Izraelin për përshkallëzimin e dhunës
Papa Françesku u lut të dielën për përfundimin e dhunës në Tokën e Shenjtë.
“U bëj thirrje dy qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar që menjëherë të gjejnë rrugën e dialogut dhe përpjekjeve të sinqerta për paqe”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u bëri thirrje të dyja palëve për përmbajtje maksimale. /VOA