Qymyri i birit të Judës

Enkel Demi (Tom Kuka) ka fituar çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë me romanin e tij, “Flama”.


Nga Tom Kuka

Jakov Avrami zbathi këpucët dhe i ra xhamisë mes për mes. Ndaloi para mihrabit, ra në gjunjë dhe u shkreh në lot. Koka i varej mbi gjoks, ndërsa lotët i rridhnin në pëqi. Ishte kokëzbathur pa kippa në krye. Nuk thoshte një gjysëm fjale, teksa merrej me gjithë mend me ngashërimin e tij që nuk kishte të rreshtur. Duhej ende nja një orë e gjysëm të thirrej namazi i drekës. Në xhami gjendej veç Nazmiu që po thante ujët që kishte rënë në shesh prej abdesit të mëngjesit. Më herët ai kishte njomur lule vjollcat e sapoçelura dhe  i qe gëzuar rrezeve të diellit që derdheshin mbi gurët e bardhë borë të lyer me gëlqere. Këmbë njeriu nuk kishte tjetër. Kur vuri re këtë qyqar që po shkrehej në vaj një ligështi e madhe ia përfshiu zemrën.

Nazmiu qe plak njeri, por dhe njeri pa njeri. Qe futur të shërbente në Xhaminë e Beqarëve pa ia kërkuar kush dhe tani pas kaq e kaq moteve këmbët nuk qenë aq të shkathëta, kurse duart i dridheshin, tek përpiqej të priste ndonjë degë të hallakatur trëndafili. I vinte rrotull xhamisë, por herë  duhet të mbështesë dorën në mur, herë të gjente një kërçep të ulej që t’i jepte kohë frymës mos t’i mblidhej lëmsh në grykë. Nazmiu i dinte të tëra suret në arabisht, por një fjalë nuk e shkrepte në atë gjuhë. Sa herë thirrej namazi përdëllohej me zërin e gërvishtur të hoxhës dhe ia kishte ënda ta dëgjonte këmbëkryq pjesën, kur imami u tregonte ç’duhet bërë dhe ç’nuk duhet bërë. Nuk i kishte numëruar kurrë motet që shkuan në këtë xhami, por flokët dikur qenë mërzitur me të dhe kishin shkuar duke e lënë vetëm me kokën e shogët. Mjekra e tij e rrallë lëshonte vetëm ca fije të bardha që kur zgjateshin shumë ai i priste me gërshërën që rrallonte vetullat.

Në Berat kalonin të tërë, ashtu si kishte kaluar dhe Nazmiu i gjorë. Askush nuk e dinte kush e kishte lënë në këmbë të Urës së Goricës vocërrak, të pangrënë dhe me do zhele në trup. Sillej dhe përtypte diku një kothere, diku ullinj të zinj që herë vinin të hidhur, herë të ëmbël. Netët e dimrit fshihej në mes shtëpive të gurta që vinin cip mbi cip, në mënyrë që mos ta zinte era. Por, në verë qe më mirë, se zdërhallej buzë Osumit, ku frynte puhiza e ëmbël që e nanuriste me këngën e ujrave që rridhnin. Kurrë nuk qe ankuar, se nuk e dinte ç’ishte, por për çdo ditë të re që e gjente shëndoshë e mirë i falej të madhit Zot. Qe ai vetë që një ditëz e çoi në Xhaminë e Beqarëve dhe la atje përjetë. Imam Sabriu para se t’i bëhej shpirti dritë në xhenet i tha:

– Nazmi, ty kështu të erdhi thirrja, prandaj askush nuk ta mbylli derën.

Ai e dëgjonte, se nuk dinte si të gjegjej dhe ulte kokën mos gjente ndonjë bishtfultere, e cila i kalonte tinëz, që të mërziste njerëzinë, kur falej.

Autori Enkel Demi, me emrin e artit, Tom Kuka

 

E pra, motet shkonin, ushtri kishin kaluar, luftra qenë bërë, gjak qe derdhur, zija e bukës kishte rënë, nëna me kërthi në gji kishte parë që merrnin për nga lumi, por kurrë nuk i kishin zënë sytë një burrë që të ngashërehej kështu para mihranit, sak aty ku kibla të tregonte se ku ndodhej Meka. Ju afrua duke bërë pak mund të ngutej, sepse këmbët nuk i bindeshin. E preku burrin në supe, por ai nuk dëgjonte nga ai vesh. Ja vuri dorën në supe dhe e tundi disi. Më në fund Jakov Avrami ktheu kryet. Nazmiu, zhelani që i kishte ardhur thirrja buzë lumit dhe qe ndryrë në Xhaminë e Beqarëve nuk po u zinte besë syve. I fërkoi me shpinën e duarve dhe i la të lirë. Priti sa t’i davariteshin njollat vjollcë për të kundruar më mirë, por ai qe dora vetë, Jakovi që shitoren e floririt e kishte sa merrje udhën për në kala. Qe i njëjti që jetonte në Mëhallën e Çifutëve mbi Xhaminë e Telelkave. Ai qe i tëri dhe i bëri që po i ngashërrehej mihranit pa feste në kokë.

– Çdo këtu o njeri?,- pyeti Nazmiu i gjorë me një fije zë.

Tjetri ktheu kokën për ta lëshuar mbi gji dhe vazhdonte në të tijën. Nazmiu mbeti një copë herë si hu gardhi. Nuk dinte ç’të bënte. Ta linte? Po a duhej lënë në xhami një çifut? Mos ta linte? Po a kishte fuqi ta nxirrte jashtë gjithë atë bina? Jakovi qe shpatullgjerë, i lartë dy kokë më shumë se Nazmiu. Flokët e zinj pis të përdredhur i vareshin mbi supe. Ai nuk i lidhte gërshet dhe nuk e shkonte kohën me Toran nëpër duar. Më shumë i pëlqente libri i madh i llogarive që mbante në shitore. Me ç’dukej fletët e tij kurrë nuk do të sosnin, përderisa i jati e kishte prej gjyshit, gjyshi prej stërgjyshit dhe kështu me radhë dhe prapë gjysma qe e zbrazur, e bardhë, e pashkruar. Atje shënonte ç’hynte dhe ç’dilte nga dyqani. Pasi i vinte punët në vijë dilte në gurin e qoshes dhe këndellej në diell, tek qëmtonte njerëzinë që herë ngjitej, herë zbriste. Gjerbte kafe që ia sillte Miço shegerti dhe këmbente fjalë me fqinjët:

– Hë mo Sali si ka shkuar sot? Ka blerë njeri ndonjë palë këpucë?

– Joooo, është ende herët, se dasmat duan dhe ca të vijnë, por opingat mirë, i dhashë nja tre palë.

– Mua nuk më ka hyrë njeri brenda gjithë ditën,- bënte si i mërzitur Jakovi.

– Po hyri tek ty e mbush qesen plot,- ia priste Faiku i gjymave.

– Mos u qaj, se ata të Tomoricës, kur u vjen koha i duan të mëdha, të vogla, të kallaisura si duhet, se do pjekin raki…

– Po, po, mirë nuk qahem, por e mira s’ka fund.

Pastaj vinte ndonjë burrë që nuk i qeshte buza dhe zgjidhte ndonjë varëse për foshnjen e porsalerë a për gocën që do të ndërronte nishanet.

***

Ishte e premte dhe sa ishte falur namazi. Njerëzia sillej nëpër rrugët e kalasë. Dielli zbardhte rrasat e gurëve. Nuk bënte nxehtë, se maji sapo kishte hyrë. Shitoret u mbushën me kureshtarë që shkonin sa në një kënd në tjetrin. Ata që shisnin sheqerka dhe ëmbëlsira i mbushën ding duart e fëmijëve dhe çupave të reja. Jakov Avrami qëndronte në gurin e qoshes dhe nuk ia ndante sytë gjindjes. Qe e xhuma. Në këtë ditë blihej një shenjë për vashën, gruan, njeriun që të vlon në zemër. Në këtë ditë dikush kërkonte tespihe fildishi që t’ia jepte babës apo vendoste në gisht ndonjë unazë të zezë me gërma të verdha arabie që askush nuk ia dinte kuptimin. Prandaj, Jakov Avrami rrinte si në gjemba që të hidhej përpjetë sa ta shihte në sy dikënd që çoç do qëmtonte në bankat e tij, të cilat mbanin përsipër mbulesën e qelqtë për t’i bërë argjenduritë të afërta, por jo të cekshme. Ndërsa dielli i binte mbi sy kishte vënë dorën si strehë që mos ta verbonte drita. Fëmijët rendnin dhe etërit i linin të lirë të dhënë pas bisedave të tyre me xhaketat e varura, teksa mëngët koloviteshin si këmbë pehlivani. Po bëhej zallamahi, por askush nuk po avitej drejt tij. U çua të çmpihej dhe gjatovinë si ishte ktheu kryet në të mëngjër të shihte kreun e sokakut. Ndoshta i bënin sytë, por një vashë po merrte përpjetë, kurse njerëzia ndali frymën dhe po e kundronte gjithë përdëllim. Mbante një robë me lule plot që i vinte gjer në bel, këmishë të bardhë dhe një jelek të vogël pis të zi qëndisur me fije ari që dukeshin si gjarpërinj që hidhnin valle. Erdhi shpejt afër tij, aq sa vuri re se shamia që mbante mbi krye, e palidhur në grykë qe mbushur me karakafte të verdha dhe blu. Coha e hollë nuk ia fshihte flokët si gështenjë mali që derdheshin mbi supe. Mjekra e vogël me një brimëz në mes mbante gazplot dy buzë të kuqe si qershi, mbi të cilat qe vendosur një hundë sa gishti i vogël i foshnjes. Sytë e saj të gjelbër si gur safiri rrinin nën ballin e lëmuar si alabastër.

Jakov Avrami ndjeu që këmbët iu dobësuan, nisën t’i dridheshin si purteka, por nuk zinte dot vend në gurin e qoshes, pasi nuk donte ta humbte atë vajzë që shpërndante nga cipa e bardhë borë aromën e mimozës.

Ajo ndali para tij. Nga pas i vinte një grua e ngjallur që e zuri prej dore.

– Më lër të hyj të shoh?,- u lut goca me një grimë zë.

– Jo!,- thë prerë gruaja me një zë që e qiti jashtë pa çelur gojë.

– Vetëm një çast…,- u lut e reja.

– Nuk hyn kush pa një burrë me vete!

Vajza u fik në sy. Jakov Avrami fshiu ballin me një shami të bardhë nga djerësët që i patën mbirë.

– Lëre çupën të shohë zonjë,- i doli atij një zë i mekur.

Gruaja e pa me mëri.

– Lëre të hyjë, se unë rri këtu. Le të shohë sa të dojë. Mos ia prish qejfin.

Gruaja e pa me dyshim, kurse e bija për pak sa nuk po hidhej pupthi. Ajo ia bëri me shenjë dhe vasha u sul brenda.

– Si e kam Safet efendinë,- pyeti Faiku i gjymave që kundronte pak mëq tutje.

Zonja vetëm sa buzëqeshi. Me kaq u mor vesh se Safet efendia qe mirë.

Kalimtarët vazhduan të shkonin tutje-tëhu, kurse Jakov Avrami po pickonte llërët që bëhej esëll, në mënyrë që mos të lëshohej dhe ai brenda. Të paktën të kthente kryet ta shihte një copë herë, tek qëmtonte varëset e arit, por gruaja e kishte mbërthyer me vështrimin e saj që ishte më keq se hekurat e burgut. Ai nuk diti sa shkoi, por dikur vajza doli. I kaloi puqur dhe fëshfërima e flokëve të saj e dehu. Të dyja ikën, u tretën mes asaj turme laramane.

– Të fala Safet efendisë!,- përshëndeti Saliu i opingave.

Ai u ul në gurin e qoshes. Kishte një trup dhe këtë e shihte, por nuk e ndjente, se ai nuk i peshonte asnjë gram. Donte të vinte një peshë mbi pëqi, se me gjasë do e merrte era. Shihte që njerëzit nuk lodheshin së shkuari sa lart-poshtë, por nuk i dëgjonte. Për fat Miço shegerti i solli kafenë e zezë të drekës. Qe e nxehtë, por gjuha nuk u qa, kur u dogj. E gjerbi me gllënjka të mëdha. Ndjeu që lëngu i zi ju përhap në trup si llavë vullkani dhe e përshkroi një zjarrmi e madhe. Me hall u ngrit. I mbylli dritaret me fletët e dërrasës që i kyçi me ca drynj të mëdhenj. Vuri kyçet në derë dhe iku. Kurrë nuk kishte ngjarë që ta mbyllte shitoren në të premte, por as që e çau kokën për këtë. Qe buzë greminës. Ose do të shuhej, do vdiste, ose ajo vashë… Faiku i preu udhën.

– Ç’pate o derëbardhë?,- e pyeti fqinji i shqetësuar.

– Dua ta marr për nuse.

– Ç’thua more? Ti nuk je as kaur!

***

Jakov Avrami u tret si qiriu. Nuk hante, nuk pinte. Shkonte në shitore dhe ulej në gurin e qoshes dhe priste të kalonte ajo rreze dielli, por bënte mot i ngrysur si zemra e tij. Nuk jepte dhe nuk merrte. Nuk i joshte më kalimtarët të blenin ndonjë sumbull të artë që ka qepnin në jelek. Kur dikush i hynte brenda i cingëriste kryet… jo po “sa e ke gramin?”, jo po “a peshon mirë terezia?”, jo po “e ke shtrenjtë…”, jo po “do më bësh ulje?”. Ua jepte sa i donin, vetëm t’i hiqeshin qafe.

Mjekrrën nuk e priste prej ditësh, kurse drita e zbehtë që vinte prej kupës së qiellit e kishte bërë meit. Saliu i këpucëve erdhi e u ul në buzë të shkallës puqur me gurin e qoshes. Miço shegerti solli dy kupëza raki me kafe të hidhur. I morën pa u ndjerë dhe tretën shikimin diku andej nga merrte e përpjeta për t’u kapur lart në kala.

– Pse e ke lëshuar veten?,- pyeti Saliu.

Jakovit nuk ia kishte ënda të fliste, por dikur duhet ta zbraste helmin që i kishte zënë frymën.

– Më ra në kokë…

– Me gjithë mend e ke? Ajo është vajza e Safet efendisë…

– E di, por gjumi nuk më merr, bukës i kam thënë: “tutje!”. Mbyll sytë e shoh atë. Hap sytë dhe shoh prapë atë.

– Pikë e zezë!,- mërmëriti Saliu dhe i bëri shenjë Faikut të avitet. Të tre burrat qëndruan gojëkyçur një copë herë.

– Dëgjo bir – ia nisi Saliu – babën tënd, megjithëse qe çifut si ti e doja shumë. Ty edhe më shumë, por kjo gjë që nuk bëhet…

– Pse? Pse jam jude?

– Po, ashtu. I këtillë je!

– Po pse o Sali?,- pyeti Faiku – Ai nuk e ha mishin e derrit. Ja si ne!

– Është më e thellë kjo punë,- ia priti tjetri.

– Edhe synet është bërë që sa ka lerë,- ngulmonte në tijën njeriui i gjymave.

– Është ndryshe kjo gjë Faik! Është shumë ndryshe! Ku ta gjenim të qe kaur!

Jakov Avrami shihte si i shushatur dhe e rrëkëlleu me fund gotëzën e rakisë. Ju ngroh gjiri, por ju ftoh zemra. Mjekrra nisi t’i dridhej, thua se do merrte të qarën. U çua në këmbë. Ia la kyçet e dyqanit në dorë Saliut dhe bëri të shkonte.

– Ku po ikën?

– Në xhami. E dua atë vashë!

– E ç’do gjesh në xhami?

– Hoxhën. Do bëhem muhamedan si ju.

– Çfarë?!,- lëshuan pasthirrmën njëherazi gjymat dhe këpucët.

– Po more, synetli jam, derr nuk ha, grua dua… kjo është e vetmja udhë!

***

Imam Kadriu pati lindur Natën e Kadrit në shtëpinë e Mulla Fuatit të Mangalemit. Nëna që e solli në jetë e la këtë botë sapo ia dëgjoi të qarën të birit. Thonë se iku buzagaz. Mulla Fuati u martua me Nurijen e derës së Hysenit të lagjes së Murat Çelepiasit. Hyseni mbante emrin e gjyshit, nipit të Kara Mahmut Pashës. Nurija solli katandi në shtëpi, por mbi të gjitha dritën e nënës që i mëkoi Kadriut të vogël. Qe ajo që e lidhi me Librin më shumë se Mulla Fuati, i cili e shkonte ditën, der’ sa ngrysej në Medrese. Shpejt erdhën dhe të tjerë fëmijë që e mbushën odën. Katër motra dhe dy vëllezër, por Kadriu qe më i veçantë, se lindi në ditë të shenjuar. U dha kaq shumë pas leximit sa në Medrese thonin që do bëhej njeri i ditur si të parët e fesë. Hidhte shtat ai burrë, por harrohej pas leximit. I lutej Nurija të shihte rrotull, por ai veç librat donte. Prandaj, kur nisi të merrej me Xhaminë e Beqarëve të gjithë e kuptuan pse.

– Dikur do më dalë fati dhe mua o nëne,- bënte shaka Imam Kadriu.

– Po të keqen nënia do të dalë, por po shkunde këmbët nëpër rrugë a livadhe. Te rrafti i librave nuk ka gra o bir…

Ai qeshte dhe nisej për në Xhaminë e Beqarëve të falte namazin. Por, e kishte me dëshirë të mbërrinte shumë më parë se të tjerët, meqë ishte ai mikpritësi. Nazmiu po e priste dhe atë ditë në derë, por kësaj here qe si i ndërkryer. Nuk i dilte fjala e duhur nga buzët, ndërsa i tregonte me shenjë derën hyrëse në xhami. Ai i vuri dorën në sup dhe hyri brenda. Pa një burrë të përkulur, gati të shtrirë përmbys që ngashërrehej si fëmijë. Ju avit dhe e preku në sup. Në fillim i gjori njeri nuk u tund nga e tija, por tek shkundja e tretë i ktheu kryet. Sa e pa Imamin u çua, fshiu lotët me shpinën e dorës dhe nisi të fliste tërë ngut:

– Dua të bëhem muhamedan… e di se të çudit që një jude si unë…, por dua të bëhem muhamedan… e kam ndarë mendjen…

Në fillim Imam Kadriu u habit nga ky rrebesh i papritur fjalësh, por pak ju deësh të mblidhte mendjen. I vuri dorën në shpatulla të panjohurit dhe e ftoi të dilnin në oborrin e xhamisë. E ftoi të uleshin në dy kërçepë poshtë një fiku të lashtë që fëshfërinte, ndaqë këndellej me lojën e erës. Pasi e vuri re që tjetri u qetua disi e pyeti:

– Përse do të bëhesh…

– Se dua! E kam ndarë mendjen.

Heshti një hop.

– Të ka ardhur thirrja?

– Jo, më ka zënë qymyri…

– Çfarë?

– Më ka shtangur një grua.

– Aaaaa,- bëri i habitur hoxha – shko e kërkoje dhe ja ku u bë kjo punë.

– Jam jude…

– E drejtë, për pak më doli nga mendja.

Zogjtë fluturonin poshtë nga pesha e qiellit të rënduar që dukej se qe me barrë me rrezen e diellit, ndaj priste dekikën të lindte.

– Nuk të bëj dot…

– Si nuk më bën? Por, unë dua! Të lehtë e ke.

– Jo, nuk e kam aspak të lehtë.

– Po, pse more burrë? Synetli jam, derrin nuk e ha. Jakov më thonë, Jakup më quaj…

– Nuk ke thirrje o njeri! Xhamia nuk është dyqan.

Jakov Avrami u pre i tëri. Qe gati të këputej e të përmbysej përtokë, por Imam Kadriu e ftilloi disi.

– Më trego pak për këtë punën tënde. Si të zuri qymyri? Kush është kjo vashë?

Kaq deshi tjetri dhe ia rrëfeu fije për pe. Nuk harroi asgjë; shitoren e tij, Saliun e këpucëve, Faikun e gjymave, Miço shegertin, vajzën e Safet efendisë, gruan e Safet efendisë, shëndetin që ju lig, mjekrra që ju rrit, bukën që nuk i bie në bark. Të tëra ia tregoi, kurse Imam Kadriu e qëmtonte me buzën në gaz si e nëna para se të linte këtë botë. Një rreze dielli ra mbi fik, i cili lëshoi hije duke mbuluar me freski rrëfimin që mbaroi me një frymë.

– Ik, tani o njeri. Ik, se më erdhi ora e namazit të drekës. Do shkoj unë të piqem me Safet efendinë. Zemrën e ke të qëruar, edhe se je jude.

Burrat u ndanë. Njeri hyri në xhami, tjetri u ul në gurin e qoshes së dyqanit dhe priti.

***

Në gjithë Beratin fjala mori dhenë. Çifuti u martua me muhamedanen. Imam Kadriu nuk ia mbushi dot mendjen Safet efendisë, por para se ai ta përzente hoxhën nga shtëpia mendjen ia trazoi një pyetje që i bëri ky riosh me Libër në dorë:

– A ta pyesim vajzën? Ndoshta ajo nuk do dhe kështu flemë të tërë të qetë.

Safet efendia me tokë shumë që i fillonin në Berat e i sosnin në Lushnje, pati bërë një tabor me fëmijë. Oda i mbushej plot dhe krenohej që kishte gjindje nën çati sa lagjia e Kalasë. Ja dhe çupa e fundit na qenkërsh rritur dhe zbukuruar. Vështroi djalin e Mulla Fuatit që iu duk se po shpotiste me këtë farë pyetje. Po si do i pëlqente së bijës një çifut që shiste flori? Për të Madhin Zot kjo nuk bëhej, por ja që dhe pyetja ia nguci kërshërinë. Sa do donte ta dinte. E ka zënë qymyri vetëm birin e Judës? Po kjo e tija?

Dërgoi dikë ta thërriste. Nuk mënoi dhe vajza u paraqit pa parë kënd në sy dhe kokëulur si e zënë në faj. Ai nuk kishte zemër ta pyeste, ndaj Imam Kadriu çeli gojën:

– Jakovi, hebreu i dyqanit të floririt të kërkon për grua…

Vajza u drodh.

– Po ti a e do për burrë?

Vajza u shemb në tokë. Rendën shërbyeset që mbanin vesh pas dere. Ja lagën faqet me ujë dhe e qëlluan lehtë me pëllëmbë. Vajza u përmend. Hapi sytë si ullinj të gjelbër dhe lëshoi një fije zë si puhiza e fikut në Xhaminë e beqarëve.

– Po!

Pas Beratit fjala mori dhenë në Myzeqe, fluturoi deri në malësi, atje ku Tomori nuk e shkrinte borën, por e mbante si plis në majë të kokës. Bota u çmerit, por nuk e shkepi grykën si ia kishte ënda, se Safet efendia kishte prona kudo, argatë e shegertë sa qimet e kokës, kurse Jakov Avrami e lau të shoqen në ar.

Imam Kadriu e vuri në besë.

– Të parin fëmijë do e bësh muhamedan, të dytin jo dhe kështu shko deri në fund.

– Jakup do e quaj…

– Ku e di ti, se do jetë djalë?

– E di…

… dhe Jakup e quajti. Sa e mori vesh Imam Kadriu u gëzua dhe ju kthye Librit.

– Si është, kur të zë qymyri?,- pyeti Nazmiun.

Plaku i rrëgjuar ngriti supet.

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023