Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan: Nuk ka kënaqësi më të madhe kur shpëton një jetë!
Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, ishte pjesë e ekipit të kërkim-shpëtimit të dërguar në Turqi nga Shteti i Izraelit.
Nga Dash Frashëri, botues i “Izraeli Sot”
Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, është pjesë e ekipit të kërkim-shpëtimit të dërguar në Turqi nga Shteti i Izraelit, për të ndihmuar në gjetjen e personave që janë ende nën rrënoja për shkak të tërmetit vdekjeprurës në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, dhe që ka shkaktuar deri tani mbi 35 mijë viktima, disa dhjetëra mijëra të plagosur dhe mbi një million të pastrehë.
“Izraeli ka dërguar një ekip prej 450 personash, delegacioni i dytë më i madh pas Azerbajxhanit që ka shkuar në ndihmë të popullit turk”, tha për gazetën “Izraeli Sot”, Kryerabini Kaplan në një lidhje nga Turqia.
“Janë profesionistë dhe me përvojë të madhe, pasi kanë shkuar në ndihem të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kur ata erdhën në Durrës. Së bashku me mua është edhe koleneli Golan Vach, i vlerësuar edhe me dekoratë nga Presidenti Meta në janar 2020, tha Kryerabini Kaplan.
Izraeli ka një përvojë të madhe, për kërkim-shpëtimin e personave në raste tërmetesh, pasi delegacionet e tij kanë qenë thuajse në të gjitha vendet ku ato kanë rënë.
Kryerabini, i cili në Shqipëri drejton Sinagogën “Dritat e Isakut” (Or Yitschak) me qendër në Tiranë dhe drejton gjithashtu “Chabad of Albania”, javën e kaluar ishte pjesë e një battalion të Ushtrisë Izraelite, IDF.
“Jo vetëm si një rabin, por edhe si një familjar, e ndjeva për detyrë të shkoja në ndihmë të popullit turk. Është në filozofinë edhe e të Shtetit të Izraelit për të ndihmuar këdo që ka nevojë dhe kudo që kërkohet dhe nevojitet ndihmë”.
Sipas të dhënave nga Ministria e Jashtme e Izraelit, deri tani ekipet izraelite kanë shpëtuar mbi 20 persona, përfshirë edhe fëmijë.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe kur shpëton një jetë. Ky është edhe misioni i “Chabad of Albania”. Unë jam një prind edhe e di se çfarë do të thotë për një familje kur i shpëton një anëtar të saj”, theksoi Kryerabini Yoel Kaplan.