Shqipëri-Izrael, nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë
Peleshi u prit me një ceremoni zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit nga homologu i tij, Yoav Gallant
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Izrael.
Gjatë ditës së sotme, Peleshi u prit me një ceremoni zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit nga homologu i tij, Yoav Gallant.
Ministrat e Mbrojtjes nënshkruan Memorandumin e ri të Mirëkuptimit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, marrëveshje e nivelit të lartë që krijon një bazë solide ligjore për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes, teknologjisë ushtarake, trajnimeve dhe shkëmbimit të informacionit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zgjerimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit, që është kornizuar në çdo dispozitë të marrëveshjes së re do të reflektojë marrëdhëniet e shkëlqyera historike dhe diplomatike si dhe vlerësimin reciprok që populli hebre dhe ai shqiptar kanë për njëri-tjetrin.
“Bëhet fjalë për një draft të negociuar prej disa muajsh nga stafet respektive me qëllimin dhe dëshirën e mirë për të nisur, tashmë, një epokë të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Dy ministrat biseduan në lidhje me zhvillimet më të reja në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Lindjen e Mesme si dhe në Ukrainë.
Peleshi rikonfirmoi vullnetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të qeverisë shqiptare për intensifikimin e bashkëpunimit me Izraelin në fushën e mbrojtjes në mënyrë të veçantë në sigurinë kibernetike, industrinë e mbrojtjes dhe shkëmbimin e informacionit.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se qëndrimi i Shqipërisë për Lindjen e Mesme vijon të jetë ai për një rajon në paqe dhe në stabilitet, me një dialog të qëndrueshëm ndërmjet faktorëve, por theksoi se nuk ka asnjë tolerancë për aktet terroriste kundër shtetit të Izraelit dhe popullit të tij, pasi terrori dhe dhuna kundër një populli nuk mund të tolerohet dhe të justifikohet.
Vëmendje të veçantë gjatë diskutimeve mori situata në Ballkanin Perëndimor. Peleshi vlerësoi mbështetjen që Izraeli i jep Republikës së Kosovës, njohjen e pavarësisë së saj dhe ftoi Gallant për një lobim më të fuqishëm për shtimin e njohjeve ndërmjet vendeve që janë ende skeptike.
Vizita e Ministrit të Mbrojtjes në Izrael do të vijojë me takime të nivelit të lartë.