Bernd Borchardt: Si i shpëtuan shqiptarët hebrenjtë
Ish-ambasadori i OSBE-së: Hebrenjtë në Shqipëri nuk u mbrojtën vetëm nga populli por dhe qeveria shqiptare
6 milionë hebrenj janë vrarë dhe shfarosur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por Shqipëria ishte vendi i vetëm që kishte më shumë hebrenj në vend pas Luftës se para saj.
Ish-ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borshard (Borchardt) në një intervistë për DW tha se hebrenjtë në Shqipëri nuk u mbrojtën vetëm nga populli por dhe qeveria shqiptare duke i pajisur ato me pasaporta shqiptare dhe mos lejuar dorëzimit të emrave të tyre tek nazistët gjermanë që kishin pushtuar vendin.
Borshard u shpreh se shqiptarët ishin ndër të vetmit popuj që strehuan hebrenjtë kur këta të fundit përndiqeshin nga nazistët.
27 janari shënon Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, datë që në vitin 1945, Ushtria e Kuqe çliroi Aushvicin, ku gjeti rreth 7000 të mbijetuar nga kampi nazist, përfshirë 700 fëmijë. Ishte fundi i një prej tmerreve më të rënda në historinë njerëzore.
Intervista e Bernd Borchardt për Deutsche Welle:
Deutsche Welle: Zoti Ambasador, Shqipëria konsiderohet i vetmi vend europian që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se para Luftës së Dytë Botërore. Nga erdhën këta hebrenj?
Bernd Borshard: Sipas të dhënave nga Shqipëria, në vitin 1937 kishte 191 hebrenj, ndërsa pas Luftës, ishin rreth 2280. Ekziston një listë nga Ministria e Jashtme gjermane me emrat e 85 familjeve hebreje nga Gjermania e atëhershme, ku përfshihej edhe Austria. Një numër i madh vinte edhe nga ish-Jugosllavia, Serbia dhe nga ajo që sot quhet Maqedonia e Veriut, por dhe shumë nga Kosova.
Deutsche Welle: Si ndodhi, që hebrenjtë zbuluan Shqipërinë si vend shpëtimi?
Bernd Borshard: Sipas informacioneve të të birit, Mbreti Ahmet Zog i kishte porositur konsullatat dhe ambasadat qysh në vitin 1938, pas pogromit kundër hebrenjve në të ashtuquajturën Nata e Kristaltë, që të gjithë hebrenjve që kërkonin viza në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në Europë t’u jepeshin viza. Në këtë mënyrë mendohet të kenë mbërritur rreth 400 hebrenj në Shqipëri. Por shumica e tyre vijuan udhëtimin e tyre në Palestinë, në SHBA, e deri në Amerikën e Jugut.
Deutsche Welle: Megjithatë hebrenjtë nuk u denoncuan as pas ikjes së Zogut, e as pas ardhjes së Gjermanëve. Si e shpjegoni ju këtë?
Bernd Borshard: E veçanta e Shqipërisë është se nuk ishin vetëm njerëzit që ndihmuan e strehuan hebrenjtë, por edhe qeveria shqiptare, e cila refuzoi t’i dorëzonte nazistëve listat e hebrenjve. Edhe kur italianët kapitulluan, në vjeshtën e vitit 1943, kishte një udhëzim të firmosur nga Ministri i Brendshëm, që kur të vijnë hebrenj nga jashtë, atyre t’u jepen pasaporta shqiptare me emrat që dëshirojnë ata.
Deutsche Welle: Gjermanët e dinin se në Shqipëri kishte hebrenj, përse nuk ushtruan presion ndaj qeverisë kolaboracioniste të asaj kohe?
Bernd Borshard: Unë kam gjetur një shënim në Arkivat e Ministrisë së Jashtme gjermane, ku thuhet se, në shtatorin e vitit 1943, gjatë një takimi mes përfaqësuesve të lartë të Gestapos dhe Ministrisë së Jashtme Gjermane ishte marrë vendimi që Shqipërisë të mos i bëhej presion për deportimin e hebrenjve, sepse shpresonin që Shqipëria të mbetej vend besnik. Por kjo politikë u ndryshua në pranverën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Gjermania do të tërhiqej nga Ballkani. Aty gjermanët filluan t’i kërkonin vetë hebrenjtë në Shqipëri.
Deutsche Welle: Dhe dy familie u deportuan?
Bernd Borshard: Po, dy familje u deportuan, prej të cilave mbijetoi vetëm njëra. Sipas hulumtimeve tona, njëra prej këtyre familjeve u tradhtua nga një shqiptar. Familja tjetër ndihej aq e sigurt në Shqipëri, sa nuk kujdesej fare, dilte hapur në rrugë dhe kështu ra në sy të gjermanëve.
Deutsche Welle: Në Kosovë historia ishte pak më ndryshe, apo jo?
Bernd Borshard: Po, në Kosovë historia është krejtësisht ndryshe. Edhe aty ka pasur shumë kosovarë që kanë shpëtuar hebrenj. Kanë qenë serbë, shqiptarë, romë. Një grua rome pati fshehur një fëmijë hebre nga Kosova. Në Manastirin e Letnicës janë strehuar disa fëmijë. Por nga shënimet e ushtarëve të Vermahtit ka dëshmi për dëbimin e më shumë se 1000 hebrenjve nga Kosova. Shumica u deportuan në Bergen-Belsen. Një numër i madh u dërgua në Vjenë. Kishte një kamp në qendër të qytetit të Vjenës që quhej “Kampi i shqiptarëve”. Ato ishin viktima të divizionit Skënderbeu. Ka patur afro 600 deportime nga Kosova. Fati i hebrenjve në Kosovë është hulumtuar pak. Ka disa botime përgjithësuese që janë edhe paksa disi romantizuese kombëtare dhe që supozojnë se hebrenjtë në Kosovë mbroheshin njësoj si në Shqipëri, por kjo nuk është e saj. Por ajo që kemi kuptuar ne, është se numri i shqiptarëve që kanë ndihmuar hebrenjtë është shumë i më i lartë se 78 emrat që ndodhen në Yad Vashem. /DW/