Në Ditën e Kujtesës, Shqipëria qëndron krenare
Sot më 27 janar, në përvjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit.
Nga Dr. Bledar Kurti
Sot më 27 janar, në përvjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, ne kujtojmë – e gjithë bota kujton – miliona jetë hebrenjsh të humbur gjatë Holokaustit. Kjo ditë nuk i kushtohet vetëm 6 milionë hebrenjve të vrarë nga regjimi çnjerëzor nazist por edhe miliona jetëve të tjera hebreje të shuara nga një regjim tjetër po aq makabër si ai komunist nën diktatin e Jozef Stalinit.
Ne jemi krenarë që Shqipëria ishte kombi i vetëm në të cilin numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se para luftës, sepse familjet shqiptare, të të gjitha feve, të krishterë dhe myslimanë, mbrojtën popullin hebre në Shqipëri gjatë atyre viteve të errëta.
Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve dhe asnjë jetë hebreje nuk humbi në Shqipëri. Sepse shqiptarët e vlerësojnë jetën dhe mbrojnë dinjitetin njerëzor pavarësisht fesë dhe prejardhjes.
Shqiptarët e të gjitha feve kanë jetuar ndër shekuj në paqe, harmoni dhe tolerancë. Prandaj të gjithë ne jemi krenarë që vendi ynë është shembull për mbarë botën, me një harmoni unike ndërfetare.
Zemra e madhe shqiptare jo vetëm që u mishërua te Nënë Tereza e cila i tregoi botës dashurinë e madhe që buron nga kombi ynë, por edhe nga akte reale vetëmohimi siç ishte mbrojtja e hebrenjve në kushtet e rrezikimit të jetës së familjeve shqiptare.
Nuk ka sakrificë më të madhe se të rrezikosh jetën për tjetrin. Kësisoj, Shqipëria jonë e vogël, e munduar, e varfër dhe periferike në vëmendjen botërore, ka arsye të qenësishme historike të krenohet e të jetë ballëlart për zemrën e madhe që ka, për guximin dhe qëndresën, e mbi të gjitha për respektin ndaj dinjitetit njerëzor, pa asnjë dallim feje e kombësie