Fyejti Holokaustin, Izraeli shpall “non grata” presidentin e Brazilit
Kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi fjalët e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva si “të turpshme”.
Izraeli e ka shpallur presidentin brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva ”persona non grata”, pasi ai e krahasoi operacionin ushtarak të vendit në Rripin e Gazës me vrasjen masive të hebrenjve evropianë të urdhëruar nga diktatori nazist Adolf Hitler.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israeli Katz tha se kishte thirrur ambasadorin brazilian në memorialin ”Yad Vashem”.
Memoriali i Holokaustit pranë Jerusalemit ishte “vendi që dëshmon më shumë se çdo gjë, për atë që nazistët dhe Hitleri u bënë hebrenjve, përfshirë edhe familjen time,” shkroi Katz në X.
Lula e krahasoi fushatën e vazhdueshme ushtarake izraelite në Gaza, të shkaktuar nga sulmet terroriste të 7 tetorit nga organizata ekstremiste palestineze Hamas dhe militantë të tjerë në Izraelin jugor, me Holokaustin.
”Veprimet e Izraelit ishin gjenocid kundër civilëve palestinezë në Rripin e Gazës”, tha Lula në një samit të Bashkimit Afrikan në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba.
“Ajo që po ndodh me popullin palestinez në Gaza nuk ka ndodhur kurrë në asnjë moment tjetër në histori. Ose më mirë, ka ndodhur tashmë, atëherë Kur Hitleri vendosi të vriste hebrenjtë”, tha Lula gjatë një konference për shtyp.
Brazili ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm midis Izraelit dhe Hamasit për disa kohë dhe Lula është bërë gjithnjë e më kritik ndaj Izraelit javët e fundit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi fjalët e presidentit brazilian si “të turpshme”.
”Lula do të mbetet ‘persona non grata’ në Izrael derisa të kërkojë falje dhe të tërheqë vërejtjet e tij”, shkroi Katz.
“Krahasimi […] midis luftës së drejtë të Izraelit kundër Hamasit dhe veprimeve të Hitlerit dhe nazistëve që vranë gjashtë milionë hebrenj është një sulm jashtëzakonisht serioz antisemitik që përdhos kujtimin e atyre që humbën jetën në Holokaust”, shtoi ai