Izraeli: Irani do të marrë përgjigjen e merituar!
Izraeli po përgatitet për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani në 24-48 orët e ardhshme, sipas burimeve.
Izraeli po përgatitet për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani në 24-48 orët e ardhshme, sipas burimeve.
Shefi i Pentagonit, Lloyd Austin zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, të cilin e siguroi se Izraeli do të ketë mbështetjen e plotë amerikane në mbrojtjen e vendit kundër sulmeve iraniane.
“Një sulm i drejtpërdrejtë nga Irani do të rezultojë në një përgjigje të menjëhershme nga Izraeli”, tha Gallant, në bisedën telefonike – e dyta brenda pak ditësh – me homologun e tij.
Të dy liderët diskutuan rreth “përgatitjes” për një sulm të mundshëm iranian kundër shtetit të Izraelit, i cili mund të çojë në një përshkallëzim te konfliktit në rajon.
Dy palestinezë u vranë gjatë përleshjeve me ushtrinë izraelite në kampin e refugjatëve al-Fara në Tubas, afër Nablusit në Bregun Perëndimor”, sipas njoftimit të Gjysmëhënës së Kuqe.
Agjencia Palestineze e Lajmeve “Wafa” identifikoi një nga dy të vrarët si Muhammad Issam Shahmawi, ndërsa emri i të dytit nuk është ende i disponueshëm. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një deklaratë rreth kësaj ngjarjeje.
“Një mbrojtje legjitime, me qëllim ndëshkimin e agresorit, pas sulmit në ndërtesën e ambasadës së Teheranit në Damask, që Irani ia atribuon Izraelit, është një domosdoshmëri”, tha ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian gjatë një bisede telefonike me homologen e tij gjermane, Annalena Baerbock.
“Kur regjimi izraelit shkel plotësisht imunitetin e individëve dhe zyrave diplomatike duke kundërshtuar ligjin ndërkombëtar dhe Konventën e Vjenës, vetëmbrojtja është një domosdoshmëri”, theksoi ai, duke folur për bastisjen në kryeqytetin sirian ku vdiqën shtatë anëtarë të rëndësishëm të Gardës Revolucionare iraniane.
“Nëse një sulm i ngjashëm raketor do të kishte ndodhur në një mision diplomatik në zonën e luftës të Ukrainës, a do të ishte i njëjtë reagimi i SHBA-së dhe Evropës?”, pyeti Amirabdollahian, duke deklaruar se Irani pret që Gjermania të dënojë sulmin dhe se politika e jashtme e Republikës Islamike të Iranit bazohet gjithmonë në shmangien e tensioneve.