Ambasadorja Peleg: Mbështetja e Shqipërisë për Izraelin, unike!
Ambasadorja e Izraelit në Tiranë deklaroi se mbështetja e marrë nga Shqipëria vlerësohet shumë në Izrael.
Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg vlerësoi sot se mbështetja e marrë nga Shqipëria është unike dhe vlerësohet shumë në Izrael.
Në një intervistë televizive në 1-vjetorin e sulmeve të Hamasit në Izrael, Peleg foli për luftën në Lindjen e Mesme, 101 pengjet izraelite që mbahen ende nga Hamasi, si dhe për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
“Është ditë e vështirë sot për njerëzit e Izraelit. Nuk është diçka që ka përfunduar, por po vazhdon. Kemi ende 101 pengje në Gaza, nuk e dimë situatën e tyre. Shpresojmë shumë që t’i shohim së shpejti në Izrael. Izraeli po lufton në 7 fronte, filloi me Gazën, por nuk qëndroi vetëm aty. Në 7 tetor të vitit të kaluar pati sulme nga Hezbollahu, si rezultat 1000 persona u desh të evakuohen. Kemi qenë objektiv edhe nga Jemeni. Pas kësaj është një organizatë në Terehan. Nëse me pyesni për luftën në Lindjen e Mesme, nuk besoj se po ndodh për vetëm atje, po ndodh edhe këtu. Do jetë problem për Evropën, botën perëndimorë”, theksoi ambasadorja.
Ajo vlerësoi se SHBA-të kanë qenë aleati më i ngushtë i Izraelit, ndërsa shprehu besimin se do vazhdojnë ta bëjnë.
Ambasadorja Peleg e përcaktoi Shqipërinë si rreze drite në kohë të errëta të historisë.
“Njerëzit shqiptarë qëndrojnë me Izraelin. Ky bashkëpunim vazhdon në kohë të vështira dhe të mira, por nëse flasim që nga 7 tetori, i thashë kryeministrit Rama, ministrit Hasani dhe Presidentit Begaj që me zemër dua të jem në Izrael. Nëse nuk mund të jem fizikisht, vendi më i mirë që mund të jem është Shqipëria. Mbështetja që kemi marrë nga qeveria, publiku në të gjitha nivelet vlerësohet shumë dhe është unike. Fakti që Shqipëria është vend i vogël dhe ka presione nga aktorë të ndryshëm në arenën ndërkombëtare, ende qëndron në krah të Izraelit duke luftuar terrorin, antisemitizimin. Fjalimi i Ramës në OKB dhe fakti që u shfaq me një fjongo të tillë na bën të kujtojmë se ka ende pengje në Gaza është e mrekullueshme, vlerësohet së tepërmi”, u shpreh Peleg.