Rama: Konsultim dhe ndërveprim në kohë reale me mjekët izraelitë
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, falë bashkëpunimit me spitalin izraelit Sheba Medical Center, një nga ekselencat botërore të mjekësisë, do të të ngrejë me standarde europiane dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare nivelin e menaxhimit.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, falë bashkëpunimit me spitalin izraelit Sheba Medical Center, një nga ekselencat botërore të mjekësisë, do të të ngrejë me standarde europiane dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare nivelin e menaxhimit.
Këtë e konfirmoi sot kryeministri Edi Rama, duke u ndalur te çështjet konkrete, ku do të fokusohet partneriteti strategjik me spitalin e 9-të më të mirë në të gjithë botën.
Kryeministri theksoi se gjatë vizitës së tyre në Tiranë drejtuesi i këtij spitali dhe ekipi i tij bënë një vizitë të detajuar për të analizuar situatën në QSUT.
“Fjalët e tyre ishin: ‘QSUT ka një brumë profesionistësh me të cilët mund të bëhet një bukë absolutisht e nivelit më të lartë’. Por, ajo që qartësisht i duhet qendrës është një nivel dhe kulturë tjetër menaxhimi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo ka të bëjë me një traditë që ne na mungon, por mund të adresohet me aleanca dhe partneritete.
“Tradita nuk mund të krijohet sepse thjesht ti ke dëshirë. Sado të bësh, tradita do kohën e vetë, por ama mangësia e traditës mund të adresohet me aleanca dhe partneritete të kësaj natyre, paralelisht me asistencën e drejtpërdrejtë në terren”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se ky partneritet do të sjellë një sinergji tjetër në aspektin menaxherial dhe aspektin shëndetësor.
“Këtu nuk jemi në kushtet që miqtë nga Izraeli do të na bëjnë një strategji në letër, por jemi në kushtet kur bashkërisht përditë, hap pas hapi, do të zbatojmë një strategji të ngritjes së qendrës në një nivel tjetër”, shtoi Rama.
Rama tha se ndikimi do të ndihet në jetën e përditshme të QSUT, duke filluar nga Spitali Onkologjik.
“Do të jetë një sinergji e vazhdueshme. Sot, falë edhe teknologjisë, procesi i ndërveprimit, i bashkëpunimit, i konsultimit, në aspektin menaxherial dhe aspektin mjekësor, do të jetë në kohë reale. Ky është angazhimi më madhor i izraelitëve, sepse kërkon kohë dhe dedikim”, shtoi Rama.