Zv.presidenti i Sheba Medical Center, dr. Yoel Har-EvenHar-Even: Ofrojmë ekspertizën më të mirë!

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, marrëveshje partneriteti me një nga spitalet më të avancuara në Izrael


Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti me Sheba Medical Center, një nga spitalet më të mëdha dhe më të avancuara në Izrael, për të përmirësuar shërbimin onkologjik në Shqipëri.

Në takimin e organizuar sot në Tiranë, për fillimin e këtij partneriteti të rëndësishëm ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, zëvendëspresidenti i Sheba Medical Center, dr. Yoel Har-Even, tha se “bashkëpunimi me qendrën shëndetësore Sheba, nuk është vetëm një projekt, por një premtim për të qëndruar pranë jush, ndërsa ju ecni përpara për të forcuar shërbimet onkologjike për të lehtësuar barrën e familjeve për të sëmurët me kancer dhe për të sjellë shpresë për këta pacientë”.

“Jemi të angazhuar për të ndarë ekspertizën tonë me profesionistët tuaj dhe për të mësuar nga njëri-tjetri së bashku, po ndërtojmë një urë bashkëpunimi që do të rrisë jo vetëm kujdesin shëndetësor, por do të forcojmë lidhjen mes popujve tanë”, tha ai.

Dr. Yoel Har-Even, gjatë fjalës së tij solli në vëmendje mbështetjen që ka dhënë populli shqiptar duke shpëtuar mijëra hebrenj nga nazistët.

“Për tri ditë do të shënjojmë Ditën e Holokaustit. Në 1945 kampi shfarosës i Aushvicit u çlirua nga nazistët. Ka një parim të rëndësishëm të shtresëzuar në ADN-në e hebrenjve që është dhe një prej arsyeve të mbijetesës sonë të vërtetë dhe ringjalljes së kaq shumë brezave, për të kujtuar dhe për të mos harruar. Për të kujtuar të shkuarën dhe për t’u siguruar që e tashmja dhe e ardhmja jonë do të jenë shumë më të mira”, tha ai.

“Sot, ashtu si atëherë, shqiptarët qëndruan krah hebrenjve në mënyrë heroike dhe shpesh edhe me vepra që kërcënonin dhe jetën e tyre, duke ruajtur hebrenjtë në mbarë Ballkanin dhe duke shpëtuar mijëra prej tyre nga vdekja e sigurt nga nazistët. Me këtë kujtesë të freskët në mendjen time qëndroj këtu përpara jush sot. Gjatë këtyre javëve Qendra Shëndetësore Sheba ka punuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin e QSUT-së për të hartuar një plan strategjik për të forcuar përgjigjen mjekësore shqiptare ndaj pacientëve me kancer”, u shpreh dr. Yoel Har-Even.

Har-Even tha se “sot nuk shënojmë vetëm një hap përpara për të çuar më tej Onkologjinë, por edhe për të ndarë vlera të bashkëpunimit dhe angazhimit të pandalur për shëndetin e të gjithë njerëzve”.

“Vizioni i kryeministrit Rama”, vijoi ai, “ka qenë thelbësor për ta ndërtuar dhe bërë realitet këtë partneritet”.

Har-Even vlerësoi se, gjithashtu “kujdesi për të forcuar shërbimin shëndetësor në të gjithë vendin ka hedhur themelet e kësaj pune për të ecur përpara, që ne e kremtojmë sot”.

“Angazhimi i qeverisë tregon një qasje për të krijuar një sistem edhe më të fortë shëndetësor që siguron qasje në trajtime të përparuara dhe frymëzojnë brezin tjetër të profesionistëve mjekësorë. Ndaj ne do t’ju mbështesim”, u shpreh dr. Yoel Har-Even.

Në këtë takim u trasmetua dhe një videomesazh nga CEO i Qendrës Mjekësore Sheba, Yitshak Kreiss.

“Është nder dhe privilegj të jem këtu sot, në këtë rast të rëndësishëm duke festuar fillimin e një partneriteti kuptimplotë mes Qendrës Mjekësore Sheba dhe Shqipërisë”, tha ai.

“Sot, ne shënojmë jo vetëm një hap përpara në avancimin e kujdesit onkologjik në Shqipëri, por edhe një dëshmi të vlerave të përbashkëta të bashkëpunimit, dhembshurisë dhe përkushtimit të palëkundur ndaj shëndetit dhe mirëqenies së të gjithëve. Në qendrën Sheba, gjithmonë kemi besuar se mjekësia nuk njeh kufij, kërkimi i përsosmërisë në kujdesin shëndetësor kapërcen gjeografinë, politikën dhe kulturat. Ajo është e rrënjosur në besimin themel, se çdo jetë ka rëndësi”, u shpreh Kreiss.

Kreiss tha se, bashkëpunimi me qeverinë shqiptare ilustron atë që mund të arrihet kur kombet bashkohen të udhëhequra nga një mision i përbashkët për të ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për qytetarët.

Burimi ATSH

Lexo më shumë

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Zv.presidenti i Sheba Medical Center, dr. Yoel Har-EvenHar-Even: Ofrojmë ekspertizën më të mirë!

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, marrëveshje partneriteti me një nga spitalet më të avancuara në Izrael

Shqipëri

Rama: Konsultim dhe ndërveprim në kohë reale me mjekët izraelitë

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, falë bashkëpunimit me spitalin izraelit Sheba Medical Center, një nga ekselencat botërore të mjekësisë, do…

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023