Zamenhof, hebreu që shpiku gjuhën Esperanto
Mjeku Ludwik Lejzer Zamenhof mendonte se me ndihmën e një gjuhe ndërkombëtare nuk do të kishte luftra
Mjeku Ludwik Lejzer Zamenhof (1859-1917) ishte i tërhequr nga ideja e një bote pa luftëra.
Polaku i famshëm me origjinë nga hebrenjtë e Lituanisë besonte se, kjo mund të ndodhte me ndihmën e një gjuhe ndërkombëtare.
Sipas tij, gjuha mund të ishte një mjet për të mbledhur njerëzit së bashku, përmes një komunikimi neutral, të drejtë dhe të barabartë.
Ai e pagëzoi atë: Esperanto.
Zamenhof ishte i talentuar për gjuhët e huaja. Përveçse ai fliste dy gjuhët amtare Yidish dhe Rusisht, falë babait të tij, mësues i gjermanishtes dhe frëngjishtes, ai mësoi gjermanisht, frëngjisht dhe hebraisht. Ai gjithashtu fliste polonisht, bjellorusisht. Në shkollë ai mësoi gjuhët klasike: latinisht, greqisht, hebraisht dhe aramaisht, ndërsa më vonë ai mësoi anglisht dhe pati interesim për lituanishten dhe italishten ku pati njohuri bazike.
Zamenhof nisi zhvillimin e gjuhës “Esperanto” qysh kur ai ishte në shkollë: në vitin 1873, vetëm 14 vjeç. Në vitin 1878, projekti i tij për krijimin e një “Gjuhe universale” përfundoi. Edhe pse ai ishte në një moshë shumë të re, 19 vjeç, ai e publikoi veprën e tij.
Edhe pse ai studioi për mjekësi, fillimisht në Moskë dhe më pas në Varshavë, gjatë punës së tij, si ophthalmologist, në Vjenë, ai vazhdoi me projektin e tij të gjuhës ndërkombëtare.
Në vitin 1887, libri i tij “Gjuha ndërkombëtare: hyrje dhe teksti i plotë”, u botua në rusisht me pseudonimin Doktor Esperanto. Zamenhof e quajti gjuhën e krijuar prej tij “Lingvo internacia”, por ata që e mësuan atë gjuhë e thërrisnin atë sipas pseudonimit të autorit, “Esperanto”, dhe kjo u bë më pas edhe emri zyrtar i gjuhës.
Për Zamenhofin, kjo gjuhë, përveç të qenit thjesht një mjet komunikimi, ishte një mënyrë për të promovuar bashkekzistencën paqësore midis njerëzve dhe kulturave të ndryshme.
Zamenhof dhe gruaja e tij, Klara, patën tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Që të tre fëmijët u masakruan gjatë Holokaustit.
Në vitin 1905, Zamenhof u nderua me dekoratën e “Legjion i Nderit” për krijimin e Esperantos, dhe gjithashtu ka marrë dekoratën e “Komandantit të Urdhrit të Izabelës” nga Mbreti i Spanjës.
Zamenhof vdiq nga një atak kardiak në vitin 1917 në moshën 58-vjeçare. Varri i tij ndodhet në Varrezat Hebraike në Varshavë.
Në dritën e arritjeve të tij, dhe mbështetjen e tij për dialogun ndërkulturor, UNESCO e zgjodhi Zamenhof si një nga personalitetet e saj të shquara të vitit 2017, në 100-vjetorin e vdekjes së tij.Ai është nominuar 12 herë për të marrë Çmimin Nobel të Paqes.
Janë me dhjetëra rrugë, parqe dhe ura në gjithë botën që mbajnë emrin “Zamenhof”: Poloni, Lituani, Britani, Francë, Kroaci, Çeki, Spanjë, Izrael, Itali, Belgjikë dhe Brazil.