Bushati: Shqipëria, gjithmonë në krah të lirisë dhe tjetrit


Tiranë, 27 Janar / ATSH – Prej 2 vitesh tashmë, Ministria e Jashtme në 27 janar, sjell si një traditë ceremoninë e përkujtimit të “Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit”.

Në moton “Kujto tjetrin-Kujto veten”, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar, një përfaqësi e gjërë diplomatike në vend, krerët fetar, mjaft deputetë e ministra morën pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Jashtme në bashkëpunim me zyrën e OKB-së në Tiranë dhe MHK.
Një shembull kanë qënë edhe shqiptarët e asaj kohe me kontributin që ka dhënë në atë periudhë, duke shpëtuar mijra jetë nga komunitetit hebre e çifut, dhe si për të nënvizuar këtë fakt, gjatë ceremonisë u çel edhe ekspsozita e quajtur “Besa”, e cila paraqiste me anën e 20 fotografive dhe mjaft dokumenta arkivorë, pikërisht kontributin e shqiptarëve.

“Me anën e kësaj tradite nën moton Kujto Tjetrin-Kujto veten, ceremonia e sotme është një thirrje dhe apel që kurrë më barbaria mos gjej vend tek ne” u shpreh gjatë çeljes së aktivitetit Minsitri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Jemi krenar” vijoi Bushati në fjalën e tij, “që shqiptarët  kontribuan në mbijetesën e mijra hebrejnve, dhe nuk u treguan indiferent kundrejt holokaustit”.

“U shfaros inteligjenca e një epoke” vazhdoi ministri Bushati, “me mijra jetë të pafajshme u morën gjatë asaj periudhe që mishëronte anti-semitizmin, por ne do të jemi gjithmonë në krah të lirisë dhe tjetrit, dhe ky takim e tregon edh sot me anën e pranisë tuaj” u shpreh Bushati gjatë fjalës së tij përpara gjithë të pranishëm në sallë.

Ndërkohë që përpara se të çelej ekspozita “Besa”, takimin e përshëndeti edhe Ambasadori i Izraelit në Tiranë David Cohen I cili gjithashtu në fjalën e tij, përveç të tjerash nënizoi kontributin e shqiptarëve, gjithashtu edhe një përfaqësuese e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri e cila lexoi edhe mesazhin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon.

Fjala e plotë e Bushatit në aktivitetin përkujtimor për Holokaustin

Ju falënderoj për praninë tuaj në aktivitetin e Përkujtimit të Holokaustit që organizojmë në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Tiranë dhe Muzeun Historik Kombëtar.

Ministria e Punëve të Jashtme tashmë ka krijuar një traditë dhe për të dytin vit radhazi jetësojmë thënien “duke kujtuar të tjerët, kujtojmë vetveten“.

Nëse tradita nuk është një shoqërim organik i vazhdueshëm i realiteteve të sotshme, ajo nuk mund të jetë pedagoge e së tashmes e, aq më pak, mjeshtre e së ardhmes.

Përkujtimi i çlirimit të kampeve të vdekjes nuk mund të kthehet në një ritual, ndonëse legjitim, ku mbizotëron dekori dhe retorika.

Përballë imazheve të vuajtjes së hebrenjve e, më gjerë, të të gjithë popullit të vuajtjes që u bë për shkak të urrejtjes, banor i kampeve të përqendrimit, asnjë fjalë nuk mund të rrokë, thellësinë e krimit dhe përçudnimit që u ushtrua mbi dinjitetin njerëzor.

Mbi të gjitha, ky përkujtim duhet të mbetet një thirrje, gati si një apel, për të qenë gjithmonë vigjilentë e syhapët që kurrë më, barbaria mos të gjejë të drejtë qytetarie mes nesh.

Vendin prestigjoz të vëzhgueses në Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, Shqipëria do të kishte qenë mendjelehtë, nëse do ta kishte përjetuar si një shpërblim honorifik për mbrojtjen që bijtë e saj i ofruan me besë të sinqertë, bijve të Izraelit.

Përnjëmend, jemi krenarë për përkrahjen diskrete, por të vërtetë deri në dhënien e jetës, që shqiptarë nga më të ndryshmit dhanë në ato kohëra murtaje ideologjike, sepse mbi çdo gjë tjetër, i dhimbsej njeriu pa mbrojtje, atë çka profetët biblikë e kanë quajtur aq poetikisht, “fidanin e gjunjëzuar, flakën që përshuhet në tymnajë” (Isaiah, 42:3).

Si vëzhgues kemi një rol historik që përkon me kuptimin e parë të kësaj fjale. Duhet të mos rreshtim së vrojtuari me sy të kthjellët vijimësinë e vlerave që mishëron kujtesa e atyre që u shuan dhe atyre që mbijetuan në Aushvic, Dakau, Bergen-Belsen, Treblinka, Majdanek.

Duke parë hartën e vendeve të Evropës nga ku janë deportuar hebrenjtë drejt Aushvicit, të bie në sy mungesa e Shqipërisë. Është një rast i rrallë, kur mungesa e Shqipërisë nga një hartë e Evropës, më bën të ndjehem krenar.

Por kjo krenari ka një çmim. Atë të të qenit në ballë të përpjekjeve që kurrë më, barbaria, cilado qoftë emri i saj, të mos rigjallërohet. Mjerisht, epoka e tjetërsimit pervers të vlerave dhe nocioneve themeltare të njeriut është larg së qeni drejt fundit.

Dje, paturpësisht, nën frazën rrëqethëse “Arbeit macht frei” (Puna të bën të lirë), gdhendur në kangjellat e ndryshkura të çdo kampi përqendrimi, shfarosej nën përdhunën më shtazarake një popull i tërë, inteligjenca e një epoke, lulja e rinisë së një brezi.

Sot, nën përkufizimin e një lufte të shenjtë çlirimtare, me mijëra të rinj kthehen në luftëtarë të një kauze vrastare që nuk kursen askënd dhe asgjë, shtyrë nga injoranca, mjerimi dhe ndjesia e mënjanimit nga një shoqëri e verbuar nga nginja dhe nënvleftësuese e ripërtëritjes së përbindëshit të barbarisë.

Zonja dhe zotërinj,

Në janar të këtij viti Evropa – dhe jo thjeshtë Parisi, apo populli Francez – përjetoi një sulm të pashoq terrorist. Ishte një sulm që u krye gjoja në emër të Zotit, kundër lirive, duke dashur të provokojë një përballje midis feve.

Në të vërtetë kjo është një përballje mes botëkuptimeve dhe ndeshje mes injorancave të konsoliduara ndër vite, nën shënjestrën e të cilëve herë vihen simbolet e lirisë, besimit, edukimit apo tregut të lirë.

Indiferenca ndaj vuajtjeve, frustracioneve, nëpërkëmbjes dhe ndjenjës së poshtërimit, shoqëruar me një mosnjohje të thellë të realiteteve më të largëta të popujve dhe besimeve, i ka bërë të ndrojtur edhe më të guximshmit promotorë të përparimit.

 

Terrorizmi mbi mendimin e lirë, ushtruar sistematikisht nga të rinj të lindur e të rritur në Perëndim ngre me të drejtë pikëpyetje. Terrorizmi është instrument dhe jo ideologji. Është mjet dhunë dhe frikësimi për arritjen e qëllimeve të caktuara. Për rrjedhojë, përballja me të bëhet e suksesshme vetëm nëse arrijmë të kuptojmë, luftojmë e transformojmë mjedisin që e ushqen atë.

Prapësimi i forcave progresiste, liberalizmit filozofik, dobësia e institucioneve shtetërore, thellimi i hendekut të pabarazisë, njohjes pa komplekse të tjetrit pa hequr dorë nga identiteti vetjak (Papa Francesku, Homeli në Sheshin Nënë Tereza, 21 shtator 2014), është kthyer në një dinamikë ogurzezë, prej së cilës lulëzojnë ekstremizmat politikë dhe fetarë, brunë, të gjelbër, blumarinë, të kuq, objektivi i përbashkët i të cilëve është i njëjtë: kufizimi i lirive dhe cenimi i vazhdueshëm, nëpërmjet frikës, i zgjedhjes së lirë së gjithsecilit.

Por për sa kohë ekstremizmi duket i përgjumur në shtratin e indiferencës, dhe akte si ai që përgjaku Parisin pak javë më parë ndodhin rrallë, ne mbetemi të pavëmendshëm. Vihemi në pritje se gjërat do të marrin drejtimin e duhur vetvetiu. Politika vazhdon të tutet nga marrja e përgjegjësive, mediat shpesh japin sinjale shpërqendruese, ndërkohë që shoqëritë e kamura deklarohen ende të civilizuara dhe fetë e instaluara prej disa mijëvjeçarësh, të emancipuara.

Dhe kur ndodh vrasja kuptojmë se jemi prodhues të vonesës. Se veprimtaria jonë e përditshme ka qenë përçmimi i realitetit.

Ekstremizmi mund të përfshijë pjesërisht popuj, kombe, bashkësi fetare, por nëse moskokëçarja përfshin pjesën tjetër, atë më të ndriçuarën, më të përmbajturën, atëherë paqja mes ekstremizmit dhe injorancës do të jetë tmerri i vërtetë, lufta totale e të gjithëve kundër të gjithëve. Vrasja në emër të fyerjes do të jetë vetëm shfaqja sipërfaqësore e cila nuk do t’i faturohet kujt. Thelbi i tragjedisë do të jetë faji ynë i përbashkët.

Zonja dhe zotërinj,

Shqiptarët zgjodhën të mos ishin indiferentë gjatë krimit të pashoq të Holokaustit. Ata zgjodhën anën e së drejtës, anën e të gjallëve.

Edhe sot, shqiptarët e të gjitha besimeve me marshimin e tyre simbolik në Paris, dëshmojnë përkatësinë e tyre ndaj vlerave dhe civilizimit perëndimor. Me besë, ne do të jemi gjithmonë në krahë të njeriut, përkrah tjetrit, përkrah jetës.

Liria në jetë nuk mund të barazohet kurrë me lirinë për të hequr jetë. Kjo diferencë duhet të jetë lokomotiva e të vepruarit në çdo kënd të botës.

Intolerancës së ekstremistëve nuk duhet t’u përgjigjemi duke iu kundërvënë me intolerancën tonë apo mbylljen në vetvete. Sepse kjo nuk është përballje mes feve, as mes qytetërimeve. Kjo është – në fjalët e Mbretit Lear të Shakespeare – luftë midis të verbërve të udhëhequr nga të marrë dhe syçelurve që nuk duan të humbasin dritën e urtësisë.

Shumica nuk e sheh këtë situatë si një mundësi për t’iu përgjigjur sfidave, ndërsa pakica e sheh si instrument në mungesë të perspektivës. Ndaj, përballja me ekstremizmin nuk mund të kufizohet vetëm në fushëbetejë. Fitorja ndaj ekstremizmit varet gjithaq nga mirëqenia dhe perspektiva e përbashkët që ndërtojmë.

Mos të harrojmë se Holokausti ishte mishërimi i antisemitizmit që kishte kapluar atëbotë Evropën. Tashmë është e qartë se antisemitizmi, ekstremizmi islamik dhe terrorizmi, pa rrjedhur nga i njëjti burim, kanalizohen nga urrejtja dhe frustracioni për të konverguar në bllok si një kërcënim i vetëm dhe homogjen kundrejt të gjitha shoqërive demokratike.

Elie Wiesel (Eli Vezel), dikush që ende “rrnon për me tregue” siç do të kishte thënë At Zef Pllumbi, është shprehur se: “Ta harrosh holokaustin do të thotë të vrasësh dy herë”.

Prania jonë këtu është dëshmi se jo vetëm nuk do të harrojmë por mbi të gjitha nuk do të rrimë indiferentë.

Ju faleminderit!

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023