Kur Qazim Mulleti dhe “kolaboracionistët” e tjerë, mbronin hebrenjtë

Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë dhe ai i Ministrisë së Punëve të Jashtëme, të cilat hedhin dritë për veprimtarinë e hebrejve në Shqipëri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1939-1944. Si u morën ata në mbrojtje dhe u paisën me dokumentet përkatëse nga qeveritarët e lartë të asaj kohe si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Qazim Mulleti, Javer Hurshiti, Engjel Çoba, Mihal Zallari, Mehmet Gani, etj


Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë dhe ai i Ministrisë së Punëve të Jashtëme, të cilat hedhin dritë për veprimtarinë e hebrejve në Shqipëri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1939-1944. Si u morën ata në mbrojtje dhe u paisën me dokumentet përkatëse nga qeveritarët e lartë të asaj kohe si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Qazim Mulleti, Javer Hurshiti, Engjel Çoba, Mihal Zallari, Mehmet Gani, etj., dhe konfliktet e tyre të herë pas hershme me autoritetet e larta gjermane që ishin asokohe në Shqipëri, si gjenerali gjerman Hauzding në qytetin e Shkodrës, i cili i lironte hebrejtë në këmbim të marrjes së rryshfeteve që shkonin në disa mijra franga ari?!.

Tashmë është shumë i njohur fakti se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botëror, në vitet 1939-1945, asnjë nga rreth 1800 shtetasit e ndryshem me origjinë hebraike që ndodheshin asokohe në Shqipëri, nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese gjermane, ashtu siç ndodhi, fatkeqësisht, në disa shtete të tjera të Europës Lindore të pushtuara nga nazistët, si në Bashkimin Sovjetik e Poloni, ku rreth 4 milionë hebrej përfunduan furrave të krematoriumeve. Por, ajo që është më thelbësorja e këtij fakti është që hebrejtë që ishin në Shqipëri nuk u morën në mbrojtje vetëm nga familjet e thjeshta shqiptare, që i strehuan ata në shtëpitë e tyre, por në rradhë të parë ata u morën në mbrojtje edhe nga të gjitha qeveritë shqiptare të asaj kohe, si në periudhën e pushtimit italian, ashtu dhe në kohën e okupimit gjerman nga shtatori i 1943-it, deri në nëntorin e vitit 1944 kur ata u tërhoqën nga Shqipëria. Madje kjo e kishte zanafillën që nga periudha e Monarkisë, kur me nisiativën e vetë Mbretit Zog, me qindra shtetas me origjinë hebraike, jo vetëm që u pranuan në Shqipëri, por ata u pritën mirë duke u paisur me dokumentet përkatëse dhe iu krijuan kushte jetese aq sa ata e ndjenin veten si në atdheun e tyre. Dhe kjo vazhdoi edhe gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, ku shumë politikanë, zyrtarë e funksionarë të lartë të asaj periudhe, si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Fiqëri Dine, Mihal Zallari, Engjëll Çoba, Javer bej Hurshiti, Kol Tromara, Qazim Mulleti, Mehmet Gani e të tjerë ministra, antarë të regjencës, deputetë, prefektë, kryetarë bashkish, apo funksionarë të tjerë të lartë të administratës së shtetit shqiptar të asaj kohe, jo vetëm që i morën në mbrojtje hebrejtë, duke i pajisuar ata me dokumente false si shtetas shqiptarë, por ata shpesh herë hynë në konflikte të thella edhe me autoritetet gjermane që kërkonin me çdo kusht arrestimin dhe eliminimin e tyre fizik. Veç të tjerash, për veprimtarinë e hebrejve në Shqipëri gjatë viteve të Luftës (1939-1944) dhe mbrojtjen që iu bë atyre nga qeveritarët e lartë të asaj kohe, flasin më së miri edhe mjaft dokumente arkivore të cilat janë bërë publike vetëm pas viteve ‘90-të. Kështu nga disa studjues historianë, gazetarë, etj., si Apostol Kotani, Dr. Prof. Shaban Sinani, Dr. Monika Stafa janë bërë studime të veçanta lidhur me herbrejtë në Shqipëri dhe janë botuar edhe disa libra prej tyre, ku vlen të përmëndet libri “Hebrejtë në Shqipëri” i gazetares dhe studjueses së njohur, Doktore e Shkencave Historike, Monika Stafa, libër i cili mban parathënien e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare. Përveç sa më sipër, për historinë e herbrejve në shqipëri janë marrë edhe mjaft individë të veçantë e personazhe të tjera të njohura të jetës publike, si Tanush Mulleti, (i diplomuar për Matematikë), nipi i ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulletit, i cili nisur edhe nga lidhjet që ka pasur familja Mulleti që nga periudha e Monarkisë dhe ajo e pushtimit me herbrejtë në shqipëri, në mënyrë individuale ka hulumtuar në arkivat e shtetit shqiptar duke nxjerrë një numër të konsiderueshëm dokumentash arkivore krejt të panjohura, ku disa prej tyre ai i ka referuar edhe në sipoziume e konferenca shkencore që janë organizuar në përvjetorë të ndryshëm me rastin e ditës së Holokaustit. Po kështu, nisur edhe nga të njëjtat motive, një gjë të tillë ka bërë edhe Besim Ndregjoni, kreu aktual i Unionit të ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, pasi babai i tij, Imer Ndregjoni, ish-kapiten i Monarkisë së Zogut, me porosi të major Xhemal Herrit, ka ardhur nga Dibra në Tiranë dhe ka marrë në dorzim disa hebrenj të cilët kërkoheshin nga forcat gjermane dhe i ka strehuar për disa muaj në Kullën e njohur të Ndregjonëve dhe te të afërmit e tij në fshatin Lukan të Katër Grykëve në rrethin e Peshkopisë. Dhe në shenjë nderimi për atë xhest fisnik, prej kohësh një nga rrugët e Tiranës mban emrin e Imer Ndregjonit. Ashtu si edhe Tanush Mulleti, besim Nrdregjoni ka qenë i ftuar në mjaft sipoziume e konferenca që janë mbajtur me rastin e përkujtimit të Ditës së Holokaustit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë, SHBA, etj. Ndërsa këto tashmë janë të njohura, sot, në përkujtim të 27 janarit, ditës së Holokaustit, kemi përzgjedhur disa dokumente arkivore që na janë vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit Shqiptar në Tiranë, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtëme, etj., ku një pjesë prej tyre po i publikojmë në këtë shkrim ekskluzivisht për Memorie.al.

N/prefekti i Kavajës i pajis hebrejtë me dokumente

Cilët ishin disa nga hebrejtë që u fshehën dhe u strehuan në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, nga kishin ardhur ata në vendin tonë, ku ishin shkolluar dhe me çfarë aktiviteti merreshin ata në qytetet kryesore të vendit ku ishin vendosur? Për këtë bëhet fjalë në një dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 15 maj 1944, dhe që është firmosur nga Drejtori i Policisë Qendër, Shaqir Preza dhe Prefekti i Klasit I-rë, i Tiranës, Qazim Mulleti (AQSH F.252 V. 1944 D. 225. fq.57).

Ky dokument, në të cilin jepen me hollësira të gjitha të dhënat dhe aktiviteti i disa hebrejve, të cilët janë arrestuar nga komanda gjermane në datën 16 prill të vitit 1944, i drejtohet Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Lidhur me aktivitetin e atyre shtetasve me kombësi hebraike dhe qëndrimet e tyre politike, në atë dokument midis të tjerash shkruhet:

“Në gjegjie të sipërmes, kemi nderin t’Ju lajmërojmë, se çifutët t’arrestuem më datën 16 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane në bashkëpunim me organet e kësaj Zyre, me datë 30 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane, të shoqnuem, janë dërgue nga ana e Strugës e Bitoljes (Manastirit) në drejtim të padijtun. Nga hetimet e imta të zhvillueme nga kjo Komiseri, na rezulton si vijon:

Çifuti Sallomon Saltiel, i të vdekunve Isak e Matilda, lindun më 1915 në Shkup, banues në Shkup, nështetas i ish-Jugosllavis, ka ardhur në Shqipni në 10 Fruer 1943 tinzisht, tue kalue kufinin bullgaro-shqiptar në Ferizaj abuzivisht, mbasi nuk ishte i pajisun me pashaportë të rregullt ose të ndonjë tjetër dokument udhëtimi. Në Ferizaj, i mshefun ka qëndrue dy muaj, por nga autoritetet e vëndit asht diktue dhe kap e internue në Kavajë, ku ka qëndrue deri në kapitullimin e Italisë. Nënprefekti i Kavajës, zoti Mehmet Gani (Qani) më datë 17.12.1943 me Nr. Extra, i ka lëshue një letër idenditeti në emën false, SALI ISA SALTIEL. Ky letër idenditeti e përmban edhe fotografinë e Sallomonit si dhe vulën Zyrtare të N/Prefekturës në fjalë. Përveç kësaj, Bashkija e Tiranës-Zyra e Shëndetësisë, më datën 12.VI.1943, me Nr.2021 i ka lëshue një letër idenditeti, po në emën fallso, Sali Isa Saltiel, ku midis të tjerash, thuhet: “Këtu në Tiranë, Sallomoni asht marrë me tregtina të vogla. Përveç kësaj asht marrë edhe me shitjen e monedhave italiane (Lireta), të cilat të holla ja dërgonte një farë Dervish Jahi, tregtar nga Shkodra me anën e një shoferi nga Shkodra që quhet Qamil Gali, me shërbim pranë shoqërisë automobilistike transportesh “Çurçija” në Shkodër. Bankënotat në monedha Italiane, Dervish Jahi i paska ble prej njërzve të ardhun nga Mali i Zi dhe sipas marrëveshjes që paska me Sallomon Salitelin, këto të holla me shoferin e naltëpërmëndun ja dërgonte në Tiranë. Sallomoni këto monedha Italiane ia shiste Italianëve, të cilët po ktheheshin në Itali. Në vijën politike nuk ka qenë e mundun të konstatohet ndonjë gja, megjithse Sallomoni asht i dyshimtë”. Pas të dhënave për Sallomon Saltiellin, i cili është ndihmuar nga n/prefekti i Kavajës dhe Bashkia e Tiranës, duke u pajisur me dokumente false prej tyre, po në atë dokument jepen edhe të dhënat e disa hebrejve të tjerë, si Samiko Salltiell, Jakov Gatenjo, Haim Matallon, Matilda Matallon dhe Ester Matallon, të cilët, siç bëhet e ditur aty, janë arrestuar nga policia gjermane dhe janë dërguan në drejtim të paditur prej tyre.

Drejtori i Policisë: durrsakja K. S., spiunoi hebrejtë për të dashurin komunist

Po në ç’rrethana u arrestuan hebrejtë për të cilët bën fjalë dokumenti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 12 maj 1944 dhe kush i spiunoi ata tek gjermanët? Lidhur me këtë, po në atë dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, midis të tjerash shkruhet:

“Arrestimi i të naltpërmendunve ka ndodhë në këtë mënyrë: Një vajzë e qyejtuna K.S, nga Durrësi, tash banuese në Tiranë, më datën 15 të Prillit, u paraqit në këtë Zyrë tue thanë se çifutët e nalt-përmëndun, zhvillojnë veprimtari spiunazhi, se ata kanë shumë të holla në monedha të hueja, stërlinga e dokumenta kompromentuese. Kjo Zyrë, thanjet e kësaj vajze i muarr parasysh edhe disponoj, që me datën 16, d.m.th. me nesermen, nga organet e kësaj Zyre të bahet një kontroll i imtë në banesën e tyne edhe ne rast pozitiv të veprohet n’arrestimin e tyne. Kur organet e kësaj Zyre, vajtën në banesën e çifutëve të përmëndun, aty gjetën Policinë Gjermane të Komandës SS në veprim e sipër. Me ardhjen e Policisë Shqiptare, Policija Gjermane jo vetëm që nuk kundërshtoj veprimin e Policisë Shqyptare, por përkundrazi i asht lutë që në bashkëpunim t’i vazhdojë veprimet. Organet e kësaj Zyre, me qenë se Policija Gjermane veprimet ma parë i kishte fillue edhe çifutët e nalt-përmendun nga Gjermanët, ishin ndalue edhe grumbullue në një qoshe t’oborrit, pranuen bashkëpunimin e propozuem edhe veprimet e mandejshme bashkarisht u zhvilluen. Në kontrollin e bamun, përveçse letrave në gjuhën Malazeze me karakter tregtare, ndonjë gja tjetër nuk u gjetë. Ne përkuizimin personal të Sallomon Saltiel-it u gjet një shumë të hollash si vijon: gjithsej 10.300 franga shqiptare e 11.000 lireta italiane. Për këto të holla dha spjegime Sallomoni se janë të Dervish Jahit, tregtar nga Shkodra… Të hollat në fjalë u sekuestruen nga Policija Gjermane, mbasi veprimi ishte fillue nga ata. Nga hetimet e ma-pastajshme, rezulltoj se, vajza K.S. përveç lajmimit që kishte ba në këtë Zyrë, njikohesisht kishte lajmue edhe komandën e Policisë Gjermane SS, Komandën e Regjimentit të Gjindarëmrisë “Kosova” dhe Komandën e Rrethit të Mbrendëshme të Gjindarmerisë, edhe kështu vajza në fjalë ka shkaktue një konfuzion. K.S. këtë gjë e ka ba me qëllim, që të shpresonte në shpëtimin e dashnorit të saj komunist J. K., i cili nga organet e kësaj Zyre, më datën 14 Prill të k.v. ishte arrestue si pjesmarrës në vrasjen e nji Nënoficeri e nji Agjenti të Policisë. Edhe vajza në fjalë asht me ndjenja komuniste dhe imorale, por tash për tash nuk asht konstatue nëse zhvillon ndonjë aktivitet komunist. Sa sipri Ju parashtruem për njoftim e në gjegje të sipërmes”.

Drejtori i Policisë së Qëndrës

 (Shaqir Preza.d.v.)

Pra, siç shihet edhe nga dokumenti i cituar më lart, shkas për arrestimin e gjashtë shtetasve me kombësi hebraike është bërë një vazjë e re komuniste nga qyteti i Durrësit, e cila i ka spiunuar ata në Komandën Gjermane, duke shpresuar se ata do t’i lironin të dashurin e saj komunist, që ishte arrestuar për pjesëmarrje në një atentat kundër një agjenti të policisë.

Urdhëri i Qazim Mulletit: Liroi hebrejtë

Po cili ishte fati i mëtejshëm i hebrejve që u arrestuan nga gjermanët, pasi ata ishin spiunuar nga një vajzë e re komuniste me origjinë nga qyteti i Durrësit dhe banuese në Tiranë? Për këtë gjë në dokumentet arkivore që disponojmë nuk bëhet e ditur, por aty flitet për dy shtetas të tjerë me origjinë hebraike, të cilët janë liruar nga burgu me vendimin e një komisioni të posaçëm të kryesuar prej Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Në atë dokument arkivor, që mban datën 9.6.1944, shkruhet:

Shteti Shqiptar, Prefektura e Tiranës

 Zyrës së Burgut e për njoftim:

 Komandës Qarkut Gjind. Komiseris Policis Tiranë

Ju njoftohet se komisioni i posaçëm i mbledhun pardje me 7 të k.m. nën Kryesinë e Titullarit të kësaj Prefekture, vendosi qi të reshtuemit Sallomon Tashi e Mina Roshi nga Durrësi, të lirohen me garanci, mbasi nuk kishin fakte për t’i u referue Gjyqit dhe me qënë se bani konviksion se nuk janë persona të rrezikshëm që lenia e tyre e lirë të damtojnë qetësinë publike. Lutemi prandaj që mbasi të sigurojën si garantë ndojë person të ndershëm të njoftun me sjellje të mira morale dhe politike, të shoqnohen në këtë Prefekturë, ku mbasi të redaktohet akti i garancisë, do të lehen të lirë.

Prefekti i Klasit të I-rë  

 Qazim Mulleti d.v.

Zv/Ministrat Ejëll Çoba dhe Kol Tromara: lironi hebrejtë

Në dokumentet e tjera që gjenden në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shtetit në Tiranë ku bëhet fjalë për aktivitetin dhe veprimtarinë e shtetasve të huaj me origjinë hebraike të cilët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore (1939-1944) gjendeshin në Shqipëri, ndodhet edhe një korrespodencë e gjatë e bërë ndërmjet Prefektit të Shkodrës, Javer bej Hurshitit, dhe zv/ministrit të Brendshëm të qeverisë shqiptare të asaj kohe, Engjëll Çoba. Në ato dokumente flitet për arrestimin nga ana e gjermanëve të katër shtetasve të huaj me origjinë hebraike që ndodheshin në qytetin e Shkodrës, nga ana e gjermanëve, dhe ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare për lirimin e tyre. Kështu, në datën 2 maj 1944 (ora 11.55) Prefekti i Shkodrës, Javer Hurshti, me anë të një telegrami njofton Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë, duke i shkruar:

“Informohemi se Komanda H.S. Hausding ka arrestue katër ebrej prej Prishtine dhe me qëndrim në këtë qytet. Thuhet se këtynë u janë kërkue njëmijë napolona ar për lirim”. Pas marrjes së këtij telegrami, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Engjëll Çoba, i ka bërë një telegram Prefekturës së Shkodrës, ku kërkon të dijë se shumën e napolonave të arit e ka marrë Prefektura e Shkodrës apo komanda gjermane. Dhe pasi njoftohet nga Prefekti Hurshiti se ajo shumë është marrë nga komanda gjermane, zv/ministri Çoba ka lajmëruar menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, e cila kishte dhe autoritetin e duhur ligjor për të kontaktuar me Komandën e Përgjithshme Gjermane në Shqipëri.

Zv/ ministri Çoba: Autoritetet gjermame të mos ndërhyjnë në punët tona

Në njoftimin e zv/ministrit Çoba, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, pasi jepet fjalë për fjalë njoftimi i Prefektit Hurshiti për arrestimin e katër hebrejve dhe shuma që u është kërkuar për t’i liruar nga burgu, më tej shkruhet: “Prandaj lutemi të keni mirësinë me ndërmjetësue ku duhet që autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë në punët e mbrendëshme t’onat, vetëm ndër raste qi kanë të bëjnë drejt për së drejti me ushtrinë Gjermane”.

Pas këtij njoftimi të zv/ministrit Çoba, duket se Ministria e Jashtme në Tiranë ka reaguar menjëherë pranë Komandës së Përgjithshme të Gjermanëve po në Tiranë, gjë e cila bëri që katër hebrejtë e arrestuar të liheshin të lirë. Kjo u bë e ditur edhe nga telegrami i Prefektit Hurshiti, i cili, më 4 maj 1944, njofton Ministrinë e Brendshme, duke i thënë se Komanda Gjermane në Shkodër i la të lirë katër hebrejtë, mbasi ata paguan gjobën prej 60.000 franga shqiptare. Por edhe pas këtij njoftimi, Ministria e Brendshme duket se nuk është e kënaqur me faktin që hebrejtë janë liruar, pasi kanë paguar para, dhe me anë të një telegrami tjetër, që mban datën 6 maj 1944, ajo ka reaguar përsëri pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në atë telegram shkruhet:

“Kemi nderin me Ju informue se Prefektura e Shkodrës me telin shifër Nr. 191/2 res. d.5 vazhduesit na raporton se, Komanda Gjermane e atjeshme S.D. Hausding. Më datën 2 të k. m. ka arrestue 4 Ebrej prej Prishtine e me qindrim në Shkodër. Më datën 4 të k. m. mbasi u ka marrë një shumë prej gjashtëdhetmijë (60000) fr.shq. i ka lanë të lirë. Prandaj sa sipri lutemi të kini mirësinë me ndërmjetsue ku duhet qi Autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë ndër punët e mbrendshme t’ona, vetëm ndër raste qi kan të bajnë drejtë për së drejti me ushtrin Gjermane”./Memorie.al

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023