
Muzika izraelite në Shqipëri, çmimi Andre Hajdu

Nga Etrit Adami
Bashkëpunimet kulturore në fushën e muzikës midis Izraelit dhe Shqipërisë po intensifikohen gjithmonë e më tepër. Tashmë ato kanë krijuar traditën e tyre. Janë disa koncertistë izraelitë që kanë performuar në Shqipëri, ashtu si dhe vepra te kompozitorëve izraelitë që janë performuar nga pianistë shqiptarë.
Ndiq "Izraeli Sot" në Facebook dhe Twitter dhe Instagram dhe behu anetar i Grupit Izraeli dhe Shqiptaret
Në konferencën 34-europiane të Epta-as (European Piano teachers Association ) të zhvilluar në Stockholm (Suedi) në vitin 2012, presidentja e EPTA-Albania, Znj.Takuina Adami, zhvilloi një bisedë të ngrohtë me pianistes izraelite Michal Tal mbi ciklin “Milky way” të kompozitorit Andre Hajdu dhe e ftoi atë në Tiranë në maj të 2014.
Andre Hajdu, 82 vjeç, është një nga kompozitorët dhe etnomuzikologët më të njohur në Izrael dhe i vlerësuar gjerësisht në komunitetin botëror të muzikës. Në vitin 1997, ai u nderuar me çmimin “Israel Prize” për muzikën. Hajdu ka shkruar shumë vepra për piano.
Për të njohur vlerat didaktike që përmban “Milky Way” i kompozuar nga kompozitori Andre Hajdu, EPTA-Albania organizoi blerjen, shumëfishimin e shpërndarjen e kësaj literature në të gjitha shkollat muzikore pjesëmarrëse të festivalit 19-të “Pianisti Ri” 2014.
Në vigjilje të festivalit (28 maj-2 qershor 2014), pianistja izraelite Michal Tal realizoi leksion-recital mbi këtë temë në Liceun Aristik “Jordan Misja” Tiranë në prani të mësuesve e nxënësve pianistë, ku asistonin dhe Ambasadori i Shtetit të Izraelit Z.David Cohen me zonjën e tij, atasheu kulturor Z. Avraham Lev-Louis si dhe të ftuar nga Universiteti Arteve.
Në ditët që pasuan, në koncertin e finalistëve të festivalit pianistja Michal Tal në funksionin e anëtares së jurisë së tij, nderoi katër pianistë të rinj të moshës nga 6-28 vjeç me çmimin “Andre Hajdu” krahas çmimeve të tjerë si “Mozart”, Beethoven e deri tek kompozitorët shqiptarë Çesk Zadeja, Lola Gjoka etj.
Në fund të këtij projekti, Znj.Adami duke i uruar krijimtari të mëtejshme Z.Andre Hajdu, falënderoi Znj. Michal Tal (sot, presidente e IPTA-Izrael) si dhe zotërinjtë Sokol Pirra dhe Etrit Adami dhe kolegët e saj për mbështetjen që dhanë në formimin bashkëkohor të shkollës pianistike shqiptare e talente të saja për njohjen e kësaj krijimtarie të mrekullueshme.
“EPTA Albania” u themelua në vitin 1994. Shoqata prej 20 vitesh organizon një sërë aktivitetesh në fushën e pianistikës, nga konkurset për pianistët e rinj, konferencat vjetore, koncerte dhe takime të ndryshme. Aktivitete të cilat, jo vetëm kanë evidentuar talente, por edhe i kanë dhënë një ndihmesë rritjes dhe promovimit të tyre edhe jashtë vendit e po ashtu kanë sjellë eksperiencën e mirë perëndimore për mësuesit e pianos në Shqipëri.