Fjalimi i Henri Kissinger mbi “Planin Marshall” ndryshoi gjeopolitikën

Viti 2021 shënon 74-Vjetorin e mbajtjes së fjalimit të famshëm mbi “Planin Marshall” të George C. Marshall në Universitetin e Harvardit (5 Qershor 1947) dhe artikulli në fjalë i Henry Kissinger përkthehet ekskluzivisht për George C. Marshall Albania, në shenjë përkujtimi të këtij burri të madh dhe kësaj ngjarjeje me karakter të veçantë historik.


Në Qershor të vitit 1947 Gjenerali George C. Marshall, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i vlerësuar nga Winston Churchill “si organizatori i fitores së Forcave Aleate”, në muajin e pestë të mandatit të tij si Sekretar i Shtetit në administratën e presidentit Harry Truman, gjatë ditës së diplomimit të studentëve të Harvardit, i drejtoi një fjalim kësaj audience në Harvard Yard. Duke përshkruar shkatërrimin e ekonomisë dhe shoqërisë evropiane, Marshall u zotua që Shtetet e Bashkuara do të bënin “gjithçka që është e mundur” për të ndihmuar në rindërtimin e kontinentit evropian dhe në rivendosjen e “shëndetit të tij ekonomik normal”, pa të cilin nuk mund të kishte “as stabilitet politik dhe as paqe të sigurt” në të gjithë botën.

Fjalimi i tij shënoi një ndarje historike në politikën e jashtme amerikane. Marshall nuk përdori anekdota apo metafora poetike për ta ilustruar rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Detyra ishte vet justifikimi i saj dhe ajo veçse mund të dëmtohej prej të tilla zbukurimesh. Pas një hyrje të shkurtër, duke ju kujtuar të diplomuarve se “situata botërore është tepër e rënduar,” Marshall përshkroi “kërkesat për rehabilitimin e Evropës.” Duke i hedhur sytë rrallë prej tekstit të cilin ai e kishte mbajtur në podium, ai ofroi një revolucion në politikën e jashtme amerikane, në maskën e një programi ekonomik praktik. Nga fundi i fjalimit, ai kërkoi falje për hyrjen në një “diskutim teknik” që me sa duket i kishte mërzitur dëgjuesit. Në të vërtetë, të pranishmit gjatë këtij fjalimi, përfshirë këtu edhe presidentin e Harvardit, James B. Conant do të pohonin më vonë se nuk e kishin kuptuar fill në atë çast domethënien historike të asaj që Marshall kishte përshkruar. Ai në fakt kishte propozuar një model të ri për politikën e jashtme amerikane.

Premisa e Marshallit ishte e drejtpërdrejtë.Kriza ekonomike prodhon pakënaqësi sociale dhe pakënaqësia sociale gjeneron paqëndrueshmëri politike.Dëmtimet e Luftës së Dytë Botërore e paraqitën këtë sfidë në një shkallë madhore.Borxhet kombëtare evropiane ishin astronomike; monedhat dhe bankat ishin dobësuar. Industria e transportit dhe ajo hekurudhore gati mezi funksiononin.Minierat dhe fabrikat ishin shkatërruar.Fermeri i mesëm, i paaftë për të siguruar “shitjen e mallit dhe atë që dëshironte të blinte” e kishte “lënë fushën djerrë duke u tërhequr nga kultivimi i të korrave” dhe duke krijuar për pasojë një mungesë të theksuar ushqimi në qytetet evropiane. Në të njëjtën kohë, një sfidë me karakter politik dhe strategjik ndaj shoqërive demokratike kishte lindur.Moska vendosi diktaturat komuniste në çdo territor që forcat e saj pushtuan në përfundim të luftës, të cilat arritën deri në lumin Elba, në qendrën historike të Evropës.Përtej shteteve satelite, fraksionet politike të mbështetura nga Sovjetikët po studionin gjithashtu kohezionin politik të Evropës Perëndimore.Për të mbrojtur të ardhmen e tyre politike, demokracitë perëndimore kishin nevojë para së gjithash për të kthyer shpresën në të ardhmen e tyre ekonomike.“Kura” që ofroi Marshall ishte partneriteti midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë për të rehabilituar “tërë fabrikën” e tyre ekonomike. Për t’iu përgjigjur kësaj krize në mënyrë të menjëhershme Amerika do t’iu dërgonte miqve të saj evropianë ushqime dhe lëndë djegëse (qymyr, naftë, gas, etj). Më vonë, ky plan do të subvenciononte modernizimin dhe zgjerimin e qendrave industriale dhe sistemeve të transportit. I ashtuquajturi “diskutim teknik” i Marshall ishte në fakt një thirrje e qartë për një rol të përhershëm të Amerikës në ndërtimin e rendit të ri botëror. Historikisht, amerikanët e kishin konsideruar politikën e jashtme si një seri sfidash diskrete për t’u zgjidhur rast pas rasti, por jo si një kërkim të përhershëm. Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, mbështetja e brendëshme amerikane për organizatën e re të Lidhjes së Kombeve u shua dhe vendi ju rikthye politikës izolacioniste.Duke mos pranuar që të përfshihej në krizat e fshehta të Evropës, izolacionizmi amerikan kontribuoi në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.Por qëndrimi tradicional i Amerikës ishte përsëri i debatueshëm edhe pas fitores së Forcave Aleate.Me fjalimin e tij në Harvard, Marshall i dha fund nostalgjisë izolacioniste amerikane.Duke i shpallur luftë “dëshpërimit dhe kaosit,” ai i ftoi Shtetet e Bashkuara që të merrnin një përgjegjësi afatgjatë të dyfishtë; për të rindërtuar Evropën Perëndimore dhe për të rikrijuar një rend botëror.

George C. Marshall në Ditën e Diplomimit të studentëve të Harvardit (1947)

Sekretari i Shtetit, George C. Marshall e shpalosi Planin Marshall gjatë Ditës së Diplomimit të studentëve të këtij universiteti në Harvard Yard në vitin 1947. Shumë prej propozimeve të Planit Marshall bazoheshin në mësimet e nxjerra prej kapërcimit të “Depresionit të Madh” gjatë viteve 30-të, duke mbyllur kështu hendekun midis pritshmërive ekonomike dhe realitetit në Amerikë. Në këtë kuptim, plani përfaqësonte zbatimin global të një Kursi të Ri (New Deal). Ky plan pati sukses sepse ai transformoi nevojat e përbashkëta në partneritet. Marshall theksoi se nuk do të ishte “as e përshtatshme dhe as efikase” për Amerikën që të përpiqej të drejtonte rimëkëmbjen ekonomike të Evropës “në mënyrë të njëanshme”. Objektivat e përbashkëta ishin të domosdoshme dhe ato duhej të pasqyronin një vizion më të gjerë të rendit politik për Evropën, rajonin e Atlantikut por edhe gjithë botën. Plani Marshall frymëzoi një rend të ri ndërkombëtar duke u mundësuar kombeve të Evropës që së pari të rizbulojnë identitetin e tyre në ndjekjen e tij, pastaj të vazhdojnë me ndërtimin e sistemeve që e tejkalojnë sovranitetin kombëtar, të tilla si Komuniteti i Qymyrit dhe Çelikut dhe më pas në formën e tij të plotë Bashkimi Evropian (EU). Fatmirësisht, Evropa pati udhëheqës përvoja e formuar e të cilëve ishte e paraardhur prej Luftës së Parë Botërore dhe njëri prej ndikimeve të saj ishte për pasojë edhe humbja e besimit të Kontinentit në vetvete. Por Conrad Adenauer (Gjermani), Alcide De Gasperi (Itali) dhe Robert Schuman (Francë) kishin ruajtur bindjen që kishte karakterizuar jetën e Evropës përpara këtyre katastrofave të vetë-shkaktuara. Ata e panë sfidën e tyre jo në terma teknikë por si përmbushjen e një vizioni politik të bazuar në një trashëgimi kulturore të përbashkët.

Për Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Ernest Bevin Plani Marshall ishte “një litar shpëtimi për njerëzit që po mbyteshin”, ç’ka solli “shpresë atje ku nuk kishte” duke ju dhënë përfituesve të saj jo vetëm një mundësi për të kapërcyer vështirësitë e tyre aktuale por gjithashtu edhe për të imagjinuar prosperitetin e tyre të ardhshëm në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Paul-Henri Spaak, Kryeministri i Belgjikës, e quajti atë “një demonstrim të mrekullueshëm të avantazheve të bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, si dhe midis vetë vendeve të Evropës me njëra-tjetrën”. Pikërisht për këtë arsye, Ministri i Jashtëm i Francës, Georges Bidault u shpreh kështu: “Nisma fisnike e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është për popujt tanë një thirrje të cilën kurrësesi nuk mund ta injorojmë.” Ndërsa Ministri i Jashtëm i Hollandës, Dirk Stikker parashikoi impaktin e gjerë të Planit, duke pohuar se “Nëse fjalët e Churchill-it ishin ato që fituan luftën, fjalët e Marshall-it fituan paqen.”

Një aspekt mjaft domethënës në fjalimin e Marshall-it është se ai bëri të mundur dhe lehtësoi rikthimin e Gjermanisë në bashkësinë e kombeve si një partner i barabartë. Kjo është arsyeja pse në vitin 1964, Adenauer, gjatë përfundimit të mandatit të vet si Kancelar i Gjermanisë Perëndimore e vlerësoi presidentin Truman për shtrirjen e masave të këtij plani edhe në Gjermani “pavarsisht të kaluarës së saj”. Plani Marshall, kumtoi Adenauer, e bëri Gjermaninë “të barabartë” me “vendet e tjera të vuajtura”, duke kundërshtuar kështu për herë të parë pikëpamjen në mesin e fuqive aleate “thjesht për ta fshirë Gjermaninë nga historia.” Plani i dha Gjermanisë jo vetëm një ndihmë ekonomike por ajo çka është edhe më e rëndësishme, “një shpresë të re.” Siç u shpreh vet Adenauer në lidhje me këtë Plan: “Ndoshta për herë të parë në histori, një komb fitimtar i shtriu dorën e vet një të munduri që ai të mund të ngrihej përsëri.”

Një tjetër aspekt inteligjent i Planit Marshall qe se ai iu ofrua të gjitha vendeve evropiane, duke përfshirë këtu edhe Bashkimin Sovjetik dhe shtetet e tij satelite. Disa prej tyre, veçanërisht Çekosllovakia u tunduan prej këtij propozimi.Por lideri i Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin e refuzoi atë thjesht mbi baza ideologjike.Ai e denoncoi këtë plan si një formë imperializmi ekonomik; si një “dredhi” për “tu infiltruar brenda vendeve evropiane” dhe i detyroi shtetet satelite që të ndiqnin shembullin e tij, duke ndjekur për pasojë të njëjtën linjë gabimesh gjatë Luftës së Ftohtë dhe strategjisë së frenimit (containment) që SHBA do të zbatonte. Ndërsa Moska impononte me forcë ideologjinë e vet në sferën e saj të influencës, synimet e Planit Marshall u bashkuan në një qëllim politik edhe më të gjerë: tek zgjerimi i konceptit të dinjitetit njerëzor, si një parim universal dhe mbështetja tek vetvetja si metoda më e rekomandueshme për promovimin e tij. Ndërsa sistemi komunist u gërrye gradualisht, Adenauer, De Gasperi dhe Schuman ishin ndër të parët që frymëzuan formimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut dhe më vonë me kalimin e kohës, të Bashkimit Evropian (EU).

Çdo brez ka nevojë për një vizion para se ta ndërtojë realitetin e tij. Por asnjë gjeneratë nuk mund të flejë mbi dafinat e paraardhësve të vet; secila prej tyre ka nevojë të bëjë një përpjekje të re për t’iu përshtatur kushteve dhe rrethanave të veta. Në Evropë, Plani Marshall ndihmoi në konsolidimin e kombeve, legjitimiteti politik i të cilave ishte zhvilluar përgjatë shekujve. Sapo të stabilizohen, këto kombe mund të kalojnë në krijimin e një rendi më bashkëpunues dhe më përfshirës.Por gjeneratat pasardhëse shpesh e merrnin “ad literam”[2] përshkrimin e Planit Marshall duke e konsideruar atë “teknik” dhe duke theksuar aspektet e tij ekonomike mbi të gjitha. Gjatë këtij proçesi ata rrezikuan të humbnin përbërësin e tij politik, që në të vërtetë është në thelb edhe shpirtëror.Teksa Amerika u angazhua në ndërtimin e kombeve në vende të tjera, zbuloi se legjitimiteti politik kishte baza të ndryshme. Ndërsa Shtetet e Bashkuara u përpoqën të vendosnin rendin ndërkombëtar përtej Evropës, ekonomitë mbetën jetike. Por zgjidhja e konflikteve civile ndoqi një ritëm përtej dhe më të komplikuar sesa zhvillimi ekonomik. Përpjekjet për të zbatuar fjalë për fjalë parimet e Planit Marshall disa herë madje dhe e thyen unitetin e Amerikës në vend.Luftërat civile nuk mund të përfundojnë vetëm me programe ekonomike.Ato duhet të kapërcehen nga një vizion politik edhe më gjithëpërfshirës.

Kompleksiteti i kësaj sfide i jep sot fjalimit të Marshall-it një domethënie të re.Në një moment krize, ai u ngrit lart duke shpalosur me guxim vizionin e pajtimit dhe shpresës dhe duke i bërë thirrje Perëndimit që të ketë guximin për ti kapërcyer kufijtë e vet kombëtar.Tani sfida e rendit botëror është akoma edhe më e gjerë. Në vend që të fuqizoj një rend të vetëm mbi një kontinent me sisteme të vendosura politike, detyra tashmë është bërë globale.Sfida është që të krijohet një sistem në të cilin një larmishmëri shoqërish të mund t’iu përqasen problemeve të zakonshme në një mënyrë të tillë e cila bashkon kulturat e tyre të shumëllojshme. Kjo është arsyeja pse ka një rëndësi të veçantë për djemtë dhe vajzat e Harvardit një fjalim i tillë, i mbajtur pothuajse dy gjenerata më parë. Universitetet janë trashëgimia e kulturave dhe në një farë mënyre ura lidhëse midis tyre. Thirrjet e dyfishta për në krye të detyrës janë shfaqur pas gati 74 vjetësh që prej Fjalimit të Marshallit: që Amerika duhet të kultivojë me Evropën Perëndimore një partneritet jetik të Atlantikut; dhe se ky partneritet duhet të përmbushë kuptimin e vet, duke ngritur këndvështrimin e tij për të përqafuar të gjitha kulturat e universit.


Harvard Gazette | (Përktheu: Melsen Kafilaj – George C. Marshall Albania Fellow)

[1] Shënim: Viti 2021 shënon 74-Vjetorin e mbajtjes së fjalimit të famshëm mbi “Planin Marshall” të George C. Marshall në Universitetin e Harvardit (5 Qershor 1947) dhe artikulli në fjalë i Henry Kissinger përkthehet ekskluzivisht për George C. Marshall Albania, në shenjë përkujtimi të këtij burri të madh dhe kësaj ngjarjeje me karakter të veçantë historik.

[2] Ad literam (Lat) = fjalë për fjalë

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023