Valentina Leskaj: Miratimi nga Shqipëria i Përkufizimit IHRA të Antisemitizmit një ngjarje e rëndësishme!

Nga Valentina Leskaj, anëtare në Bordin Këshillues në Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit (CAM)


Nga Valentina Leskaj,
anëtare në Bordin Këshillues në Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit (CAM)

Gati një shekull nga Aushvici, në diskursin publik artikulohet shpesh një rrezik për rritjen e antisemitizmit. Ju jeni pjesë e Bordit të njohur të Lëvizjes kundër Antisemitizmit dhe një njohëse e mirë e kësaj çështjeje. Si do ta lexonit çështjen e antisemitizmit në shekullin XXI, diskutimet që bëhen shpesh mbi politikat e Izraelit apo ato të SHBA-së. Po kujtoj që Shqipëria vetëm pak kohë më parë miratoi përkufizimin e antisemitizmit të bërë nga Aleanca Ndërkombëtare e Kujtesës së Holokaustit.

Nuk mund të them që jam eksperte e fushës, po kam pasur një angazhim për disa vite që më kanë motivuar në këtë çështje e më kanë bërë të njoh situatën, cila po merr një vëmendje të madhe sidomos vitet e fundit. E vërteta është se ndjeshmëria e lartë që kam ndaj kësaj çështjeje e ka burimin në faktin që sot ka një rritje të antisemitizmit dhe formave të tjera të urrejtjes. Pothuajse çdo javë dëgjojmë lajme se ka ndodhur një sulm tjetër antisemit apo një sulm terrorist islamik diku në botë, siç ishte dhe ky i fundit në nëntor të vitit 2020, në Vjenë, apo të tjera më përpara në vende të tjera që janë të lidhura direkt me rritjen e frymës së antisemitizmit. Veçanërisht të bën përshtypje kur këto sulme, që kanë për bazë urrejtjen, ndodhin në Europë ku 75 vjet më parë, në fund të Luftës së Dytë Botërore, bota tha “Kurrë më”.

Për fat të keq, kohët e fundit ka pasur më shumë sulme, më shumë gjuhë urrejtjeje nëpër botë. Nga të dhënat e Raportit vjetor të ODHIR-it, për vitin 2019, rezulton se incidentet antisemite zënë 22 % të krimeve të urrejtjes në Europë duke zënë vendin e dytë në numrin e incidenteve që kanë për bazë urrejtjen, ndërkohë që popullsia herreje në këtë rajon zë vetëm 1 %. Po nuk është vetëm Europa, në harkun e një viti ka pasur disa sulme antisemite me pasoja të rënda, siç ishte rasti i sulmit në një Sinagogë të komunitetit hebre në Pitsburg në SHBA, ku u vranë 11 vetë, raste të tjera të shfaqjeve të antisemitizmit me goditje apo kërcënime përveçse në Gjermani, në Francë, Itali, Angli ku rasti i fundit ishte kërcënimi me jetë i një politikani britanik, sekretar Shteti, vetëm sepse premtoi mbështetje për ngritjen e një memoriali për Holokaustin në Londër, sulme të antisemitizmit ka pasur deri edhe në Sidnei, Melburn etj. Ndjenja e antisemitizmit është shtuar dhe simbole naziskine, Swastika etj., shfaqen gjithnjë e më shpesh nëpër botë dhe kjo ka disa arsye. Një pjesë kanë si burim politikat ekstremiste me gjuhë urrejtjeje, një pjesë tjetër kanë të bëjnë me mite, teori konspirative, injorancë apo dhe raste që përdoren për hakmarrje ndaj politikave të Izraelit. Nuk janë të rralla rastet kur ka një keqkuptim apo ngatërrim të politikave të Izraelit apo të politikanëve të caktuar të atij vendi dhe antisemitizmit. Kjo ka bërë që shpesh sulmet antisemite të lidhen apo të justifikohen si sulme kundër politikave të Izraelit ose ka një hezitim apo keqkuptim, për t’i pranuar ato për atë çka  janë në të vërtetë: sulme urrejtjeje antisemite.

 

Shpesh përzihen këto dy gjëra, pra lidhja mes akteve të antisemitizmit dhe politikave të Izraelit, me të cilat mund të pajtohesh ose jo, mund të jesh kritik për politika të caktuara apo mund të jesh kundër dhe kjo është një e drejtë e secilit. Por unë besoj se megjithatë shumëkush e ka të vështirë të shpjegojë çfarë lidhje ka midis një dyqani me ushqime “kosher” 1 , një qendre qendre kulturore hebreje, një sinagoge ku ata njerëz kanë të drejtën e tyre të respektojnë ritet, një shkolle ku mësojnë  fëmijë hebrenj diku nëpër Europë apo në SHBA, të cilat shpesh janë bërë pre e sulmeve, me atë çfarë po ndodh në Izrael?

Blerësit në dyqan, nxënësit apo besimtarët janë njerëz të zakonshëm që nuk kanë pse të paguajnë për politikanët, qofshin këta edhe të vendit të tyre. A nuk është thelbi që e bën një krim urrejtjeje, fakti që fajësohet çdo individ që i përket një feje ose besimi apo race, për fyerjet, reale dhe të perceptuara, të kryera nga një individ apo nga një grup që i përket asaj feje, atij besimi apo asaj race?

A nuk është kjo në fakt, thelbi i antisemitizmit, i islamofobisë dhe formave të tjera të urrejtjes?

Në këtë rast do të doja të përdor përcaktimin që OSBE-ja i ka bërë kësaj çështje në vitin 2004 përmes deklaratës së adoptuar prej saj se: “zhvillimet ndërkombëtare ose çështjet politike, përfshirë ato në Izrael ose diku tjetër në Lindjen e Mesme, nuk e justifikojnë në asnjë rast antisemitizmin”.

 

Kjo është edhe një nga arsyet pse nga shumë vende të botës dhe institucione ndërkombëtare, është miratuar definicioni i përkufizimit të antisemitizmit, për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë ndarjen e gjërave dhe besoj që kjo ndarje është thelbësore për të luftuar këtë fenomen! Por, ndonëse përcaktimi i përkufizimit për antisemitizmin është një standard dhe një instrument i rëndësishëm në këtë luftë, pa dyshim që nuk është i mjaftueshëm. Lufta kundër antisemitizmit dhe gjuhës së urrejtjes është shumë më e gjerë dhe më komplekse se kaq, veçanërisht sot me ngjarje të rënda që kanë ndodhur nga radikalët e çdolloj feje, besimi apo politike.

Ndërkohë që mbetet e vështirë të adresohet pa shkuar te rrënjët e problemit: ekstremizmi politik dhe fetar, politika të urrejtjes, racizmi, fanatizma të të gjitha llojeve, veç arsyeve të tjera, janë edhe pasojë e padijes dhe e mungesës së informacionit dhe edukimit për të shkuarën tonë. Për shumë njerëz sot, holokausti është një koncept gjithnjë e më i mjegullt. Diçka që ka ndodhur në kohën e gjyshërve apo stërgjyshërve të brezit të sotëm. Dhe mësimet që bota nxori nga ato krime të tmerrshme kundër njerëzimit po humbasin fuqinë dhe aftësinë për të tronditur.

Raporte të ndryshme të institucioneve prestigjioze konstatojnë që ka një mungesë të thellë informacioni për atë çka ka ndodhur me holokaustin. Sipas të dhënave të Eurobarometrit vetëm 3 % e europianëve deklarojnë se janë të mirinformuar me historinë e hebrenjve, ndërkohë që 68 % thonë se nuk kanë asnjë informacion. Sot 23 % e amerikanëve të moshës 18-39 vjeç besojnë se holokausti është një mit, ndërsa 12 % të tjerë, besojnë se nuk ka ndodhur kurrë.

Të dhënat për disa vende të Europës, janë pothuaj në të njëjtat shifra ndaj s’ka arsye për të besuar se situata aty është më e mirë, sa kohë që antisemitizmi është dukshëm në rritje. Italia, e cila në opinionin tim, është nga vendet me më pak paragjykime ndaj tjetrit e ndër vendet më të hapura ndaj emigracionit, sipas raportit vjetor të vitit 2019 për antisemitizmin, në vitin 2009 kishte 47 incidente antisemite, ndërsa në vitin 2019 kishte 251 të tilla ose me një rritje 434 %. Këtu besoj se kryesisht ka ndikuar ekstremizmi politik vitet e fundit.

Dhe nuk duhet të harrojmë: urrejtja që fillon me hebrenjtë, nuk ndalon kurrë vetëm te hebrenjtë, bëhet rrezik edhe për të tjerë! Shtrihet më tej te të krishterët, që po vuajnë urrejtjen e persekutime sot në Lindjen e Mesme.  Shtrihet te myslimanët, që po vriten nga ekstremistët për faktin e vetëm që janë Suni ose Shia, ose që për shkak të islamofobisë, po fajësohen për krimet e kryera nga ekstremistët islamikë. Ne e dimë nga historia e vetë rajonit tonë, që nga luftërat për shpërbërjen e Perandorisë Otomane deri tek ato për shpërbërjen e Jugosllavisë, se e njëjta urrejtje ka shkaktuar vuajtje dhe gjakderdhje të paimagjinueshme edhe në Ballkan. Siç e përmenda më sipër, në epokën e rrjeteve sociale, ku ka një fluks të madh informacioni dhe kaq shumë mite dhe teori konspirative, që qarkullojnë, lidhur me urrejtjen dhe antisemitizmin e ku është kaq e vështirë të ndash të vërtetën nga e pavërteta dhe të verifikosh informacionin që qarkullon, nuk është një ndërmarrje e lehtë e ndërkohë askush nuk është i imunizuar, këtu kam parasysh edhe vendin tonë, që nuk ka pasur shfaqje të antisemitizmit e që është një shembull unik për atë që ka bërë gjatë Luftës së  Dytë Botërore. E them këtë, sepse pyetjen që bëni ju për adoptimin e definicionit të antisemitizmit nga parlamenti ynë ma kanë bërë edhe të tjerë duke e parë Shqipërinë si një vend të imunizuar nga shfaqje të antisemitizmit.

Shpesh thonë: A na duhet kjo ne?

Së pari, siç e thashë, askush nuk është i imunizuar nga ndikimet, në një botë të hapur e së dyti, por jo për ta mbyllur diskutimin këtu, po citoj një pasazh nga Konferenca e BE-së lidhur me përkufizimin e antisemitizmit ku zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, përgjegjës për çështjet e antisemitizmit Margaritis Schinas , e përmblodhi me dy fjali. “Ju nuk mund të luftoni atë çka ju nuk mund ta definoni. Përkufizimi i antisemitizmit nga Aleanca e Përkujtimit të Holokaustit është një pikë referimi”.

Në fakt Parlamenti Shqiptar e miratoi përkufizimin e antisemitizmit, të bërë nga Aleanca Ndërkombëtare për kujtimin e Holokaustit (IHRA), e kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse është një instrument që ndihmon në punën e institucioneve dhe shmangien e keqkuptimeve me ose pa dashje lidhur me antisemitizmin.

Përkufizimi i përcaktimit të antisemitizmit përdoret nga vendet që e kanë njohur atë, për të ndihmuar institucionet e politikëbërjes, të drejtësisë si, gjyqtarë, prokurorë etj., ato të policisë, ato të edukimit, institucionet që merren me identifikimin e incidenteve apo me monitorimin e situatës, qofshin këto shtetërore apo të shoqërisë civile, për të pasur një përcaktim të qartë se kush mund të konsiderohet antisemitizëm. Ky përkufizim është formuluar nga institucione ndërkombëtare të specializuara si, Qendra e BE-së për Monitorimin e Racizmit dhe Ksenofobisë (EUMC), me ekspertizën e specialistëve të fushës nga Europa, Izraeli dhe SHBA-ja. Ky nuk është detyrim ligjor, por një përkufizim, që ndihmon si instrument pune.

Përkufizimi i IHRA-s është miratuar nga 34 shtete në Europë, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Austrinë etj., si dhe SHBA-në dhe shumë institucione ndërkombëtare apo kombëtare në vendet europiane dhe përtej tyre, duke filluar nga vetë Parlamenti Europian, që ua ka rekomanduar edhe vendeve anëtare, Këshilli i Europës etj. Janë disa universitete në SHBA, Europë e sidomos në Angli, që e kanë adoptuar në disa institucione, kulturore e sportive, ku është përfshirë edhe Premier League dhe klubet e saj në të gjithë Britaninë e Madhe. Kohët e fundit janë disa institucione edhe në Shqipëri që e kanë adoptuar përkufizimin e antisemitizmit, sidomos ato që lidhen me arsimin dhe shkencën.

Valentina Leskaj dhe ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler

 

Besoj se fakti që për rezolutën dhe miratimin e përkufizimit të antisemitizmit nga Kuvendi, i  Shqipërisë pati mbështetje unanime, në një vend, ku partitë rrallëherë bien dakord mbi diçka, flet vetë se kjo konsiderohet një çështje përbashkuese, është prova që shqiptarët e kanë dhënë edhe në kohë shumë të vështira me qëndrimet e tyre ndaj hebrenjve. Dhe me të drejtë shqiptarët janë krenarë për çfarë bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që iu ofruan hebrenjve mbështetje dhe mbrojtje në familjet e tyre, e bënë këtë pa dallim myslimanë, ortodoksë dhe katolikë.

Natyrisht që kjo traditë i ka rrënjët e thella në të shkuarën tonë të largët, burime të autorëve të ndryshëm si Maximilian Lambertz etj., e lidhin praninë e hebrenjve në Shqipëri me periudha shumë të hershme. Edhe pse përgjithësisht referenca e lidhjeve mes hebrenjve dhe shqiptarëve lidhet me Luftën e Dytë Botërore, kjo edhe për shkak se është periudha më e afërt, autorë seriozë shqiptarë e të huaj, që e kanë trajtuar këtë çështje dhe prania e dëshmive të kulturës hebreje në Shqipëri, si toponime, godina kulti etj. janë dëshmi e një kohe shumë më të largët. Në zonën e Vlorës, sidomos në zonën e bregdetit deri në Borsh e Sarandë, ka të dhëna që rrënjët e tyre i gjen qysh prej vitit 1542. Gjithsesi, çështja e luftës kundër antisemitizmit sot ka marrë një përmasë ndërkombëtare, nuk është thjesht një çështje lokale apo thjesht e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Qëndrimi ndaj kësaj çështjeje te ne lidhet edhe me tolerancën që populli shqiptar ka ndaj besimeve të ndryshme, por, nuk mendoj se toleranca është diçka e koduar në ADN-në e shqiptarëve. Përkundrazi, është diçka që kultivohet duke investuar në vazhdimësi e që lipset të ruhet madje me fanatizëm si vlerë që u shërben në radhë të parë atyre që e kanë e pastaj edhe të tjerëve, prandaj, besoj se miratimi i përkufizimit për antisemitizmin është një hap i rëndësishëm që na ndihmon për ta adresuar çështjen në mënyrë të drejtë. Sepse pa dyshim që në botën e sotme, me rrjedhën e informacionit dhe ndikimeve radikale dhe ekstremiste, në epokën e rrjeteve sociale dhe globalizimit, çdo vend mund të bëhet pre e antisemitizmit dhe urrejtjes.

Në 12 tetor të vitit 2020 Facebook mori një vendim të rëndësishëm për të hequr nga platforma e tij të gjitha postimet që mohojnë ose shtrembërojnë historinë e Holokaustit. Kjo është një lëvizje e rëndësishme që gjithashtu tregon se mediet, rrjetet sociale mund të jenë aleate shumë të rëndësishme në këtë betejë të përbashkët për nxitjen e tolerancës dhe kundër gjuhës së urrejtjes ngado që vjen dhe kujtdo që i adresohet.

Kur gazetari francez, Antoine Leiris 1 , humbi gruan etij Hélène Muyal-Leiris, gjatë sulmit terrorist në nëntor të vitit 2015, në Bataclan në Francë, në postimin e tij tha diçka që ka një mesazh shumë të fortë brenda, po citoj një pjesë: “Të premten në mbrëmje ju vodhët jetën e një personi të jashtëzakonshëm, dashurinë e jetës sime, nënën e djalit tim, por nuk do ta keni urrejtjen time. Kështu që jo, nuk do t’ju jap kënaqësinë që t’ju urrej juve. Ju e doni këtë gjë, por t’i përgjigjesh urrejtjes me zemërim do të thotë të dorëzohesh me të njëjtën injorancë që ju bëri atë që ju jeni. Do të dëshironit të frikësohesha, të shikoja bashkëqytetarët e mi me një sy të dyshimtë, të sakrifikoja lirinë për sigurinë time. Ju keni humbur. Lojtari ende luan…”. Mendoj se nëse duam të bëjmë diçka, kjo është që të investojmë në informimin e ndershëm, të drejtë dhe edukimin e të rinjve me tolerancën dhe në ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore mes tyre, pranimin e tjetrit.

Ka mjaftueshëm modele që mund të përdorim, për të përmendur një, BE-ja ka zhvilluar programin Erasmus, për të promovuar marrëdhëniet midis të rinjve që vijnë nga vende të ndryshme të rajonit dhe për të krijuar unitet e kohezion, ky është një projekt me shumë vlerë për ata që kanë nevojë më shumë.

 

Personalisht e çmoj shumë këtë nismë si një instrument të rëndësishëm edhe për komunikimin e solidaritetin mes të rinjve, që vijnë nga vende e kultura të ndryshme. Po Erasmus nuk është modeli i vetëm. Ndërkohë që ekzistojnë mundësi të shumta që mund t’i shfrytëzojmë qoftë dhe në nivel vendi e rajoni. Për shembull, ne kemi këtu në Shqipëri Zyrën Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, të ngritur në kontekstin e Procesit të Berlinit, me propozim të presidentit serb dhe kryeministrit shqiptar.

Ne mund ta shndërrojmë këtë qendër në një qendër ekselence për të rinjtë nga rajoni, për të ndikuar në edukimin e tyre me vlerat e tolerancës dhe të luftës kundër të gjitha formave të ndasisë dhe urrejtjes. Pa dyshim, kjo qendër mund të shërbejë si katalizator për ndërtimin e një rrjeti të mirëfilltë të organizatave të shoqërisë civile dhe individëve në të gjithë rajonin dhe më gjerë, të cilët besojnë në promovimin e idealit të bashkëjetesës dhe tolerancës dhe të punojnë drejt këtij qëllimi.

Kohë më parë, teksa kërkoja disa të dhëna për antisemitizmin, hasa një artikull shumë interesant, në të ishte një fragment ku shpjegohej se si Moisiu, profeti që i nxori izraelitët nga skllavëria e Egjiptit, kur po i afrohej fundit të jetës së tij, u thoshte të rinjve izraelitë që të mos i urrenin egjiptianët që i kishin skllavëruar dikur. S’e kisha dëgjuar kurrë më parë këtë, por ishte një këshillë që të lë gjurmë. Sepse vetëm duke refuzuar t’i nënshtrohesh urrejtjes, mund të jesh vërtet i lirë. Mund të jesh i lirë nga e shkuara dhe të fillosh të ndërtosh të ardhmen. Besoj se ky është mesazhi që duhet t’u japim të rinjve, sepse vetëm kështu mund të fitojmë luftën me urrejtjen dhe antisemitizmin.

( Pjesë nga libri i saj “Politika si ide”)

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023