Hebrenjtë dhe humanizmi unik shqiptar

Ish-drejtues i Muzeut historik të Shijakut (1978 – 1998) Tiranë, nëntor 2022 dhe “Mjeshtër i madh”


Nga Nikolla Sudar*

Shpeshherë kërkojmë shembuj atdhetarie dhe humanizmi gjithandej, ndërkohë që i kemi para syve, midis njerëzve të thjeshtë, por me zemër të madhe, që habiten kur u thua se kanë kryer vepra të rralla, por që përjetësisht kanë lartësuar, jo vetëm veten por edhe fqinjët apo krahinën ku kanë jetuar.

Si në të kaluarën dhe me vonë jeta do të vërtetonte virtytet e rralla të popullit shqiptar dhe në veçanti të shijakasve, modestia e të cilëve kapërcen çdo limit, por vjen një kohë dhe patriotizmi e humanizmi i tyre del në pah me tërë madhështinë e vet, duke i dhënë vendin e merituar kësaj treve në historinë e Shqipërisë. Fjala është për atë specifikë të popullit shqiptar, që me të drejtë zë një vend të veçantë në Evropë, sepse një numër i konsiderueshëm hebrenjsh, që fashistët dhe nazistët i përndoqën vite me radhë, gjetën strehim në Shqipëri dhe asnjëri prej tyre nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese.

Njerëz të thjeshtë, por me zemër të madhe, duke rrezikuar jetën për vite me radhë i fshehën, i ushqyen dhe i mbrojtën nga pushtuesit nazifashistë një numër të konsiderueshëm hebrenjsh. Pikërisht edhe shijakasit kanë të drejtë të krenohen me ato familje, të cilat kontribuuan pa asnjë interes në këtë drejtim. Në librin tim, “Copëza jete”, f. 96, botim i vitit 2007, kam shkruar: “Fakt historik është marrja nën mbrojtje nga qytetarë shijakas të disa familjeve hebreje, të cilat u vendosën në qytet, sidomos me fillimin e luftës.

Ndër ta vlen të përmenden antifashistë si Zenel Seiti, Ali Arbana, Daut Shahini, Metali Alite, Halil Gashi etj., të cilët deri në çlirimin e vendit nga pushtuesi, i strehuan në shtëpitë e tyre (duke rrezikuar seriozisht veten dhe familjet)”. Në fillim do të përqendrohem te familja e një bamirësi të shquar shijakas, i cili strehoi tri familje hebreje në shtëpinë e vet, që gjatë pushtimit italian, të cilat më pas u riatdhesuan menjëherë mbas mbarimit të luftës. Ai quhet Zenel Seiti. Njëra nga lagjet e qytetit të Shijakut ka marrë emrin e lumit, sepse ndodhet buzë tij, prandaj quhet lagja “Erzen”. Në një masë të konsiderueshme në këtë lagje kanë zënë vend edhe mjaft të ardhur nga qyteti i Krujës, që me kontributin e dhënë në dekada, e kanë lartësuar Shijakun. Në këtë mjedis ka ngritur folenë e vet edhe fisi i përmendur Seiti.

I pari i familjes, Zeneli, pasi kreu gjimnazin, me përvojën e fituar hapi një zyrë të vogël në qendër të qytetit, ku në ballë të saj lexohej: “Shkrues publik – Zenel Seiti”. Ai kryente aty detyrën e avokatit, por edhe të noterit për kohën, kur nëpunësit ishin të pakët. Çdo ditë para zyrës mblidheshin hallexhinj nga qyteti, por sidomos nga fshatrat, të cilët kërkonin ndihmë nga bamirësi i palodhur Zenel Seiti: dikush për një vërtetim pronësie, një tjetër për t’i shkruar letër djalit ushtar, një i tretë për një prokurë, etj. Kjo ishte puna e përditshme e intelektualit të nderuar z. Zenel Seiti.

E shoqja, Znj. Zyrafet, një grua energjike dhe tepër mikpritëse, ishte e motra e mësuesit të mirënjohur, z. Riza Deliallisi, i cili, megjithëse pësoi një aksident të rëndë, vazhdoi detyrën fisnike të mësuesit deri në fund të jetës së vet. Në periudhën më të vështirë të luftës, zonja Zyrafet mbështeti fuqimisht të shoqin dhe u shërbeu me humanizëm të lartë emigrantëve hebrenj. Familjen Seiti do ta gjallëronin fëmijët e shumtë: Sadetja, që ishte fëmija i parë, më vonë do të bëhej bashkëshortja e antifashistit të orëve të para, Abdyl Keçi, i cili mbas çlirimit do të drejtonte veprimtarinë arsimore në nënprefekturën e Shijakut.

Ky atdhetar fisnik nuk u pajtua me sloganet bajate të komunizmit, prandaj u dënua me dhjetë vjet burg politik. Fëmijët e tjerë ishin: Ylvija, Syrjai, Naimja, Robnia, Bashkimi dhe Engji. Familja Seiti ishte e përmendur edhe për kopshtin e mrekullueshëm prej 7 dynymësh. Në të gjeje të gjitha pemët, si dhe zarzavatet e kohës. Ngjitur me Zenelin jetonin edhe vëllezërit e tij. Në banesën e njërit prej tyre, Rizait, që ishte beqar, u strehuan tri familje hebreje, që nga fillimi i vitit 1942. Ndonëse mbi të nëntëdhjetave, vajza e dytë e z. Zenel, Ylvije Reçi (Seiti), sot me banim në Tiranë, të habit me kujtesen e saj brilante.

Një takim të veçantë me këtë zonjë të nderuar na e mundësoi i vëllai, Z. Bashkim Seiti, ish Kryetar i Bashkisë së Shijakut në vitet 2000-2003, personalitet i njohur në Shijak jo vetëm për kontributin e tij në rini si futbollist, por dhe në detyrën e kryetarit të Bashkisë Shijak, duke mundësuar një përmirësim rrënjësor të infrastrukturës së qytetit. Ja çfarë na rrëfen Zonja Ylvije Seiti, për të tri familjet hebreje: “Në fillim të vitit 1942 mbërritën në Shijak disa familje hebreje dhe si gjithnjë vendasit u hapën dyert dhe i strehuan gjatë gjithë periudhës së luftës. Babai mori për të strehuar tri familje, të cilat i sistemoi tek shtëpia e xhaxhait, Rizait, që ishte beqar.

Njëra nga familjet përbëhej nga mamaja që quhej Albina, nga djali, Mishel dhe vajza Violeta. Familja e dytë përbëhej nga burri, gruaja dhe vjehrra. Ata quheshin Hercek, Kate, kurse të moshuarën e thërrisnin Babo. Familja e tretë përbëhej nga Jozhi, Ruzhica dhe Finica. Përpjekje e suksesshme me ndihmën e miqve e Z. Zenel, ishte pikërisht pajisja e të gjithë këtyre me dokumente identiteti vendase, prandaj kur kontrolloheshin, sidomos nga gjermanët, ata paraqisnin pasaportat shqiptare. Dy familjet e para ndenjën më se dy vjet dhe menjëherë pas lufte Albina u kthye në Itali me fëmijët, ku kishte të shoqin të internuar. Herceku dhe Babo vdiqën para kohe për shkaqe natyrale, ndërsa Kate u martua me një shqiptar dhe u largua.

Jozhi ishte shumë punëtor dhe ka bërë punë të ndryshme si lustraxhi, shitës mallrash të ndryshme dhe fotograf. Ruzhica dhe Finica merreshin me stampimin e fotove që bënte Jozhi. Ndërkohë, rreziku u shtua në shtator 1943, me dyndjen e pushtuesve nazistë në Shijak. Atëherë xhaxhai ynë, Rizai, i mori Jozhin dhe të dyja vajzat, i veshi me rroba fshatarësh dhe i dërgoi për strehim drejt Krujës përkohësisht, te disa miq tanë. Por, dikush fshehurazi e kishte ndjekur, pabesisht e qëlloi dhe e vrau xhaxhanë (që, për fat të keq deri më sot ka mbetur plotësisht i harruar).

Mes një rreziku të madh, hebrenjtë e shoqëruan trupin e Rizait nga Kruja në Shijak. Të tre ata, pasi kërkuan leje nga familjarët, e qanë në fenë e tyre hebreje, si njeriun më të afërt, këtë bamirës që dha jetën për ta. Kjo ceremoni habiti qindra shijakas që morën pjesë në funeralin e xhaxhait, i cili dha jetën për të shpëtuar jetë, kur ishte vetëm 25 vjeç. Pas çlirimit hebrenjtë e mbetur u larguan për në Tiranë dhe prej andej u riatdhesuan në vendin e vet. Sapo mbërritën në atdhe, na dërguan një letër të gjatë ku na falënderonin për sakrificën e bërë vite me radhë si dhe një fotografi (që për rrethana të kohës, nuk u ruajt dot deri më sot).

Në letër shkruanin se Jozhi dhe Ruzhica ishin bërë me djalë, kurse Finica kishte humbur jetën në një aksident automobilistik në një qytet, në Izrael. Korrespondenca me ta nuk vazhdoi gjatë, sepse situata në vend u ndërlikua dhe nuk lejohej të mbaheshin lidhje me të huajt”. Ndonëse këto familje hebreje janë përpjekur të mbijetojnë, duke dhënë edhe kontributin e tyre, por kryesore për mbijetesën e tyre u bë familja e nderuar e Z. Zenel Seiti, që i konsideroi si pjesëtarë të familjes dhe bëri që të mos ju mungojë asgjë për vite me radhë. Me këtë humanizëm të thellë familja Seiti nderoi, jo vetëm veten, por edhe Shijakun.

Në kuadër të këtij humanizmi do të përmend edhe familjet e tjera shijakase që në ato vite të vështira lufte strehuan, ushqyen dhe mbrojtën familje të tjera hebreje. Shembull në këtë drejtim u bë edhe burri i urtë, por energjik, atdhetari i paharruar, Ali Arbana. Në shtëpinë e tij u strehua një familje hebreje prej tre personash. Ai shpesh manovronte, duke i përcjellë përkohësisht edhe tek disa miq të tij jashtë qytetit, për arsye sigurie. Në korrik të vitit 1943, Z. Ali Arbana u zgjodh kryetar i këshillit Nacionalçlirimtar për nënprefekturën e Shijakut, detyrë të cilën e kreu me nder. Edhe në këto kushte, kur rreziku për të u shtua, ai nuk i braktisi miqtë hebrenj, të cilët u riatdhesuan në vitin 1945.

Si për koincidencë, nipi i tij, z. Elton Arbana, drejton sot me sukses Bashkinë e Shijakut. Meritë e pamohueshme e tij është angazhimi i gjithanshëm në rindërtimin e qytetit, pas dëmtimit të rëndë nga tërmeti i fundit. Në qendër të qytetit, gjatë luftës ka jetuar edhe familja e Z. Halil Gashi. Ndonëse në një pozicion delikat edhe kjo familje mori parasysh rrezikun dhe strehoi një familje hebreje prej dy personash. Në lidhje me këtë rast, mësuesja e nderuar e anglishtes, veterania e arsimit, Znj. Durrije Faja (Shtraza), që sot nuk jeton, tregonte:

“Përballë shtëpisë sonë banonte familja e Halil Gashit, njerëz të urtë dhe mjaft mikpritës. Mua si fëmijë më bënte përshtypje se në atë familje banonin një burrë dhe një grua që dukeshin ndryshe nga të tjerët. Ata dilnin shumë rrallë nga shtëpia. Më vonë do të mësoja se ata ishin hebrej dhe që komshiu ynë, i kishte marrë në mbrojtje. Ashtu si edhe të tjerët, ata u larguan pas çlirimit të vendit”. Në librin “Shijaku nëpër vite”, i intelektualit të shquar shijakas Agim Faja, i cili këto ditë doli nga shtypi, në f. 110, na jepen disa të dhëna plotësuese dhe shumë interesante lidhur me strehimin e hebrenjve në Shijak: “… në familjen e Zylyf Shtrazës ishte strehuar usta Mateo (hebre) me të shoqen dhe dy fëmijët, Klarën dhe Markon.

Ai shiste qofte, por në të vërtetë kishte qenë sipërmarrës konfeksionesh. Kur gjermanët hynë në Shijak, i biri i Zylyfit, Haxhiu, i dërgoi në fshatin Shtrazë për t’i fshehur nga nazistët, te një miku i tyre, Xhemal Driza*, që ishte hoxha i katundit”. Z. Daut Shahini dëftonte për një çift hebre, Enio dhe Marshela, që i kishte strehuar në shtëpinë e tij. Kur kishin ardhur gjermanët për të kontrolluar, ai i kishte fshehur në kaushët e hasrave dhe ata nuk i kishin gjetur. Atë ditë që do të largoheshin, Marshela i kishte lënë si kujtim nënë Nurijes, nuses së Dautit, makinën qepëse. Në shtëpinë e Z. Dyl Qehajai (Kaçiu) ishin strehuar një hebreje me profesion doktoreshë, Urani Graca, që mjekonte partizanët e plagosur.

Ajo kishte edhe një motër, e cila ishte profesoreshë muzike, një vëlla dhe një djalë teze dhe të gjithë kishin ardhur nga ish-Jugosllavia. “Në familjen tonë, – kujton mësuesi pensionist Z. Metali Alite, – qe strehuar një hebreje tjetër, doktoreshë Ana, e cila fitoi dashurinë e të gjithëve, jo vetëm se ishte e papërtueshme, por edhe se ishte shumë kompetente dhe precize në diagnozë. Ajo guxonte të shkonte nëpër shtëpitë e shijakasve për të mjekuar fshehurazi partizanët e plagosur. Im at, Nekiu, e donte shumë dhe e furnizonte me ilaçe krejt falas. Doktoreshë Ana, kishte një motër shumë simpatike, Salltanën, që të tërhiqte për kulturën e saj. Ajo dëftonte se të shoqin ia kishin vrarë nazistët.

Në Shijak kishte edhe të tjerë hebrenj të ardhur, të cilët kanë bërë punë nga më të ndryshmet si qoftexhi, fotografë, punëtorë krahu, gjer edhe lustraxhi. Për t’i shpëtuar holokaustit, shijakasit i dërgonin tek të njohurit e tyre në fshatrat e thella kodrinore, si Shtrazë, Kënetë, Shetel, Pinet, Sauqet, Shesh, Çale-Bërzez e fshatra të tjerë, që ishin nën administrimin e Shijakut”. “Shoqata e Miqësisë Shqipëri – Izrael”, që në fillimet e saj ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë shumë të lavdërueshme për të pasqyruar me vërtetësi kontributin humanist (si asnjë popull tjetër në Europë) të popullit shqiptar, që strehoi, ushqeu dhe mbrojti edhe me gjak popullsinë martire hebreje.

Meritë të veçantë në këtë drejtim ka kryesia e shoqatës si edhe kryetari i saj, prof. dr. Petrit Zorba, përvoja e pasur shumëvjeçare e të cilit, i bën nder, jo vetëm atij dhe shoqatës, por edhe të gjithë vendit. Interes të dukshëm paraqesin edhe kujtimet personale të këtij personaliteti të mirënjohur lidhur me këtë tematikë, që gjithmonë do të mbetet madhore, si kulm i humanizmit njerëzor. Ndër të tjera ai thekson: “Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore hebrenjtë e ndodhur në hapësirën shqiptare apo të ardhur nga jashtë kufijve të Shqipërisë së asaj kohe, u strehuan në zona të ndryshme të vendit, ndërkohë që vendet më të sigurta, kuptohet, ishin ato larg qyteteve dhe komandave të forcave pushtuese.

Mënyrat e strehimit dhe pretekstet ishin nga më të ndryshmet. Gjithsesi, një histori e shkurtër e pathënë më parë, më shumë për modesti, është e lidhur me një traditë të lashtë shqiptare, sipas së cilës e mira nuk duhet përmendur, dhe që në fakt është karakteristikë e veçantë e mikpritjes dhe respektit për mikun. Fjala është për strehimin dhe shpëtimin e jetës së dy hebrenjve, në familjen e Z. Shaqir Shahini, në fshatin Shahinaj të Shijakut. Natyrisht që strehimi i hebrenjve, të cilët qëndruan në atë fshat, në atë familje, ishte meritë e z. Shaqir, njeri me autoritet, mjaft punëtor dhe që kishte mundësinë për t‘u dhënë ushqim e strehim. Fakt tjetër ishte rrethi i gjerë i miqve, si në qytetin e Shijakut, ashtu edhe në fshatrat e tjerë pranë, ku duhet thënë se ai gëzonte një reputacion të madh.

Në atë kohë ai po ndërtonte dhe një shtëpi të re dhe nën pretekstin e punësimit, kishte përfshirë dhe dy hebrenjtë si ustallarë. Interesant është fakti se në shtëpinë e ndërtuar, në njërën prej faqeve të murit, në shenjë respekti miqtë hebrenj lanë edhe simbolikën e tyre si kujtim, “Yllin e Davidit”, të gdhendur në një vend të veçantë, pranë hyrjes. Sigurisht që bashkëfshatarët e dinin se kush ishin e nga vinin dy hebrenjtë, por fakt është se askush nuk i informoi pushtuesit. Por, a pati ndonjë pasojë nga kjo mbështetje e bërë, Z. Shaqir Shahini? Kjo pyetje edhe për raste të tjera është shtruar dhe vijon të analizohet nga mjaft hulumtues të rinj, historianë e studiues të huaj.

Krahas pranimit të faktit të strehimit, të sakrificës dhe rrezikut, etj., që familjet shqiptare përballuan, nga ana tjetër ata pyesin dhe analizojnë se cila ishte “fatura”, apo pasojat që paguan strehuesit nga pushteti i kohës apo pushtuesit? Fakti mjaft domethënës në këtë rast është se, në momentin kur forcat pushtuese naziste u dyndën në fshatin Shahinaj, përveç shtëpive të tjera të zonës kodrinore, dogjën edhe shtëpinë e Z. Shaqir Shahini, duke grabitur bagëtinë, gjithë drithin dhe produktet blegtorale, që kishte në pronën e tij. Duke marrë shkas nga ky informacion i bërë publik, rezulton se prania e hebrejve në atë zonë nuk ishte e rastësishme apo e vetmuar. Në qytetin e Shijakut (që në atë periudhë kishte vetëm rreth 1 mijë banorë) llogaritet të kenë qëndruar 12 familje hebreje, që janë në proces të dokumentimit.

Përse shumë hebrenj u gjendën në Shqipërinë qendrore? Me të drejtë lind kjo pyetje nga kushdo. Pikësëpari duhet thënë se i gjithë fluksi i hebrenjve të ardhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, nga vendet e ndryshme të Europës, si nga ishJugosllavia apo Greqia, ishte pasojë e masakrave të kryera kundër tyre në ato vende (si ato të Selanikut, etj.). Të ardhurit nga vende më të largëta si nga Austria, Polonia, Bullgaria, etj., u drejtuan dhe përfunduan në Tiranë dhe më pas në Durrës, ku, sipas mendimit të tyre, ekzistonte mundësia teorike, por dhe praktike për t’u larguar drejt brigjeve Italiane, sidomos pas kapitullimit të fashizmit italian (gjatë viteve 1943-1944). Kësisoj, hebrenjtë “kuturisnin” fshehurazi që të gjenin një dritare shpëtimi, prandaj në këtë hapësirë rastisim shumë histori, që lidhen me zhvendosjen e hebrenjve gradualisht nga pikat kufitare më të largëta të Shqipërisë drejt pjesës qendrore të vendit.

Por, kjo kishte dhe një të keqe të madhe dhe një rrezik të lartë për familjet që strehonin hebrenjtë, pasi prania e pushtuesve ishte më e madhe si në Tiranë, ashtu dhe në Durrës. Në këtë kontekst mund të përmendim historinë e prof. Scarlett Epstein, e cila, pasi erdhi nga Vjena, kaloi në Jugosllavi dhe, kur i kërkuan të largohej nga ky vend, e vetmja dritare shpëtimi i ngeli Shqipëria dhe më pas, nëpërmjet Durrësit ajo përfundoi në Angli. Kështu pak a shumë të gjitha historitë, të treguara dhe publikuara deri më sot, dëshmojnë për një fluks të lëvizjes së hebrenjve drejt Shqipërisë së Mesme.

Fillimisht lëviznin nga jashtë brenda vendit, nga zonat kufitare e më pas nga Korça, Gjirokastra, Shkodra, etj., drejt territoreve më në brendësi si Vlorë, Berat, Elbasan, etj., dhe përfundimisht në Tiranë apo Durrës. Këtu, me një popullatë relativisht më të madhe në numër, ishte më e lehtë për t’u fshehur e mbijetuar se sa në qytetet e vegjël dhe pa ndonjë dritare me mundësi arratisjeje. Por kjo shoqërohej edhe me një shkallë rreziku, guximi dhe përgjegjësie më të madhe për familjet strehuese si në Tiranë, në Durrës, Shijak, apo në fshatrat pranë tyre. Një arsye tjetër ishte se në kryeqytet, me ndihmën e humanistëve tiranas, kishin më tepër mundësi për t’u pajisur më shpejt me dokumente identiteti shqiptare”.

Si historian dhe drejtues prej shumë vitesh i muzeut të Shijakut, jam i mendimit se e vërteta e së kaluarës së hebrenjve në Shijak duhet evidentuar dhe publikuar. Gjithsesi erdhi momenti kohor kur, pas një kontakti të mundësuar nga ambasadori i Izraelit në Tiranë, Z. Noah Gal Gendle, takova Prof. Dr. Petrit Zorbën, kryetar i “Shoqatës së Miqësisë Shqipëri Izrael”, i cili, jo vetëm që u bë nxitësi kryesor për ta thelluar punën hulumtuese në fushën e historikut të hebrenjve, por në bisedë me të mësova dhe ngjarjen e treguar prej tij, lidhur me kontributin e Z. Shaqir Shahini, i cili ishte gjyshi i vet nga nëna. Kalimthi ngulmoj të përmend edhe disa momente të tjerë domethënëse, të shkëlqimit të humanizmit shijakas, që i bëjnë nder këtij komuniteti të mrekullueshëm.

Pas Kongresit të Berlinit të vitit 1879, kur Fuqitë e Mëdha “luanin hapur me fatet e popujve”, disa qindra familje boshnjake, për t’i shpëtuar sundimit austro-hungarez, erdhën dhe u ngulën në periferi të Shijakut, duk e krijuar dy vendbanime të përmendura: Koxhas dhe Borake. Që nga ajo kohë kanë kaluar mbi 140 vjet dhe mikpritja e humanizmi i banorëve shijakas për integrimin e këtij komuniteti fisnik, në të gjitha fushat e jetës, është emblematik. Ishin ditët e para të çlirimit nga pushtuesit e huaj, kur dhjetëra familje martire çame, të persekutuara nga shovinizmi grek, gjetën në Shijak strehim dhe mikpritje të patreguar në ato ditë të vështira për të gjithë vendin. Të dyja komunitetet, si ai boshnjak dhe ai çam, që me kontributin e tyre e kanë lartësuar dinjitetin vendas, u janë mirënjohës për jetë qytetarëve shijakas.

Gjithashtu, do të përmend edhe rastin kuptimplotë të familjes sime, Sudar: në tetor të vitit 1940 fashistët italianë internuan familjen time malazeze në Shijak. Burra shpirtmëdhenj të këtij qyteti si Qazim Domi, Sulë Zalla, Dhimitër Dika, Ibrahim Kërtalli, Cen Kruja, Ali Dashi e Kost Toçi morën në mbrojtje familjen time, duke i siguruar mbrojtje dhe jetesë normale gjatë gjithë periudhës së luftës (1940 -1945). Im at, Petar Sudar, ia shpërbleu këtij populli trim dhe fisnik, duke luftuar në radhët e Brigadës 4-t partizane, ndërsa unë, me kontributin tim 60-vjeçar si historian dhe përkthyes. Dekada kanë kaluar, por fisnikëria e bamirësve shqiptarë, ku bën pjesë edhe ai i familjeve të sipërpërmendura shijakase, do të përmendet brez pas brezi.

Kjo është arsyeja që populli i shquar hebre i Izraelit ushqen konsideratën më të lartë për humanizmin e popullit shqiptar. Në vijim të këtij kontributi modest nga ana ime, natyrisht një detyrë e veçantë dhe e vështirë pasi tashmë kanë kaluar shumë vite, u takon studiuesve, historianëve dhe institucioneve përkatëse, që të hulumtojnë më tej në arkiva apo në burime të tjera informacioni me qëllim plotësimin e të dhënave dhe ngjarjeve historike, që lidhen me këtë periudhë të Luftës së Dytë Botërore.

Saktësimi më tej i mbiemrave të familjeve hebreje apo datave të caktuara të lëvizjeve të tyre, pa dyshim do të kërkonte një impenjim serioz nga familjet hebreje të shpëtuara, trashëgimtarët e të cilëve tanimë jetojnë në Izrael apo vende te tjera. Angazhimi fisnik i tyre do ta bënte më të plotë kontributin e popullit shqiptar, sepse do të kishim një vlerësim më korrekt të historisë dhe ngjarjeve të periudhës së luftës. *Fakt i pamohueshëm unikal, që gjithashtu i bën nder të veçantë popullit shqiptar, është edhe harmonia dhe respekti që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë prej shekujsh midis të gjitha feve në Shqipëri.

Hoxhë Xhemal Driza, i fshatit të përmendur Shtrazë të Shijakut, do të kujtohet brez pas brezi për atdhetarizmin e tij të flaktë dhe për humanizmin e rrallë. Shtëpinë e tij ai e ktheu në një nga bazat më të sigurta të batalionit partizan të zonës, më pas në spital partizan dhe vendstrehim për hebrenjtë. Nazistët i arrestuan dhe i torturuan mizorisht atë dhe pjesëtarët e familjes së tij, megjithatë nuk arritën t’i mposhtnin, por pasojat në shëndet i vuajtën tërë jetën. /Panorama

*Ish-drejtues i Muzeut historik të Shijakut (1978 – 1998) Tiranë, nëntor 2022 dhe “Mjeshtër i madh”.

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023