Shkroi poezinë “Kosova”, poetja izraelite Gili Haimovich botohet në Kosovë
Haimovich ishte pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec.
Shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë ka botuar në gjuhën shqipe librin me poezi të përzgjedhura të poetes së njohur ndërkombëtarisht, Gili Haimovich, nga Jerusalemi.
Poezitë i përzgjodhi dhe i përktheu poeti dhe përkthyesi letrar Fahredin Shehu, i cili një kohë të gjatë ndjek punën kreative, letrare të poeteshës Haimovich.
Gili Haimovich është poete dhe përkthyese bilinguale nga Izraeli. Ajo është autore e dhjetë librave me poezi, katër në anglisht dhe gjashtë në hebraisht, si dhe ka shkruar një libër multilingual të poezisë së saj Note. Librat e saj të fundit janë Tokat e Premtuara (2020) dhe Ninullë (2021). Ajo fitoi konkursin ndërkombëtar të poezisë në Itali “I colori dell’anima” (2020) dhe “Ossi di Seppia” (2019) për poeten më të mirë të huaj, një grant ekselence nga Ministria e Kulturës në Izrael (2015), etj.
Poezitë e saj janë përkthyer në 30 gjuhë dhe janë paraqitur në antologji, festivale dhe revista të ndryshme botërore. Lexuesit tanë në Kosovë nëpërmjet këtij libri, të titulluar nga vetë autorja – “Tokat e premtuara”, do të begatohen me një kulturë të lashtë të cilën Haimovich e artikulon me një gjuhë bashkëkohore dhe poezi autentike.
Rikujtojmë se, në kohë pandemie, Haimovich ishte pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec.
Pas kthimit në Jerusalem, Haimovich shkroi poezinë “Kosova”.
Librin mund ta gjeni edhe në libraritë Artini-Toena dhe Dukagjini.